Çfarë shoqëria shqiptare duhet patjetër të dij për legalizimet! Liberale, 14. 02. 2022

 

I isha betuar vetes të mos shkruaja më për legalizimet. Pas një dekade që e trajtoj këtë fenomen, isha i bindur që nuk kisha çfarë të thosha më, për proçesin politik e qeverisës ‘me moralin e piramidave ekonomike’. Sepse kështu është trajtuar përballja qeverisëse me këtë fenomen urban që ka shoqëruar, dhe vazhdon ta bëjë edhe sot, të gjithë tranzicionin shqiptar.

Skema Ponzi (Ponzi Scheme), apo sikurse njihet në Shqipëri me emrin ‘piramidat’, ka në thelb një pamoralitet të madh. Njerëzit që dorëzojnë paratë të parët- në skemën ekonomike pa asnjë logjikë ekonomike- shërbehen me ‘këste’ dhe ‘përqindje’ të larta mujore që vijnë nga njerëzit që dorëzojnë paratë të fundit. Ky është mekanizmi, për aq sa zgjat, i ‘piramidave’! Kur ky mekanizëm nuk funksionon më - sepse gjithmon ai falimenton një ditë kur paratë, e njerëzve që dorëzojnë të fundit, nuk mjaftojnë për njerëzit që kanë dorëzuar të parët- skema bie dhe të gjithë vrasin mendjen si ka ndodhur gjithë kjo hata “e çuditshme”!

Përgjatë këtij proçesi e vetmja gjë që mund të bëjnë drejtuesit e kësaj skeme është rritja progresive e ‘përqindjes’ së fitimit potencial për klientët e vjetër por edhe të rinj. Këta të parët, kur shohin se përfitimet e tyre mund të jenë më të larta se ato që kanë arritur deri në atë kohë, i ridorëzojnë paratë e tyre së bashku me shtesat që kanë arritur. Por edhe të dytët, kur shohin se të parët kanë bërë “prokopi” nëpërmjet këtyre skemave, i dorëzojnë paratë e tyre me shpresën se do jenë aq me “fat” sa të parët.

Mirëpo, ky kurth mund të shtyjë përkohësisht falimentin, por asnjëherë nuk mund ta shmangi atë. Në të kundërt, sa më shumë e largon valën goditëse të falimentit, aq më shumë e lartëson dhe e përforcon këtë valë.

Mbi këtë moral kanë vepruar qeveritë shqiptare nga viti 1998, kur u shkrua ligji i parë për legalizimet, deri më sot, kur janë shkruar disa prej tyre, përfshirë dhjetëra ndryshime të bëra secilit ligj. Me pak fjalë, sa herë janë afruar zgjedhjet- që për qeveritë do të thotë rrezik ‘falimentimi’, apo dorëzim pushteti te partia tjetër- aq herë janë rritur “përfitimet” për “klientët” e përfshirë në këtë proçes. Për të mos u zgjatur shumë, mjafton të kujtojmë se në vitin 2013, premtimi i opozitës që u bë shumicë, ishte: legalizime falas për ndërtuesit informal; dhe kompensim me vlerë tregu për pronarët legjitim të tokës së zënë nga ndërtimet informale.

Rezultati i kësaj Skeme Ponzi të ngritur dhe drejtuar nga qeveritë e tranzicionit është se nëse në vitin 1998 në Shqipëri kishim vetëm 10-20 mijë ndërtesa informale të lokalizuara vetëm në periferinë veriore të Tiranës, sot kemi mbi 500 mijë të tilla të shpërndara nëpër gjithë qytetet e rëndësishme shqiptare, përfshirë edhe qendrat e tyre.

Dhe këtu vijmë në një pikë, kur pamorali i legalizimeve e tejkalon pamoralin e skemave piramidale. Së pari, skemat Ponzi i trajtojnë të gjithë klientët njësoj, kurse skema piramidale e legalizimeve jo. Nëse dikush ka paguar nën dorë te zyrtarët e qeverisë, me para’ apo me vota, atherë ai është më i preferuar dhe ka gjasa ta ketë mbyllur proçesin, ndërkohë që fqinjët e tij mbeten akoma në pritje.

Një pikë tjetër ku pamoraliteti qeverisës me legalizimet e tejkalon pamoralitetin e skemave Ponzi, është fakti se ka bashkuar proçesin e legalizimeve me një proçes tjetër pa lidhje me të. I ardhur nga mendësitë socialiste në qeverisje, proçesi i dytë ka lidhje me shtetëzimin e tokës ku janë ngritur ndërtesai informale nga pronari legjitim, dhe privatizimi i saj në përfitim të familjeve që kanë ndërtuar paleje. Pa asnjë arsye logjike, morale apo teknike, qeverisjet etatiste shqiptare të tranzicionit, i kanë dhënë të drejtën vetes të monopolizojnë një transaksion pronësor midis një privati dhe një privati tjetër.

Por ka edhe një pikë tjetër, ku pamoraliteti qeverisës me legalizimet tejkalon në mënyrë stratosferike pamoralitetin e skemës Fonzi. Ajo ka të bëj me faturën që duhet të përballoj publiku nga ky proçes i dyfishtë, dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për faturën e mbajtjes së një institucioni shtetëror kaq të stërmadh, sikurse është ALUIZNI. Jo e kam fjalën për super faturën që origjinalizon nga karakteristika etatiste, socialiste e shtetit që hyn kudo dhe shtrihet gjithkund, në çështjet që fare mirë mund ti rregulloj tregu. Diferenca midis faturës që paguan ndërtuesi informal për privatizimin e tokës së zënë nga ndërtimi i tij, me faturën e shtetëzimit të kësaj toke, duhet ta paguajnë taksapaguesit e tjerë që as nuk kanë ndërtuar informalisht dhe as nuk kanë toka të zëna nga këto ndërtime informale, dhe kjo është për rreth 25-30% të ndërtimeve informale, dhe mund të shkoj në disa miliard euro.

Dhe këtu vijmë te arsyeja, pse unë ju ktheva çështjes së legalizimeve, dhe ajo është se sikurse Skema Ponci, edhe ‘piramidës’ së legalizimeve po i afrohet fundi. Shtetëzimet (shpronësimet) e viteve të fundit, për ndërtimin e veprave publike, po prodhojnë humbësit e parë privat të pronës së tyre, qoftë ajo ndërtesë apo tokë. Por gjithashtu, po kthejnë edhe skemën e strehimit social, në një skemë të re Ponzi. Nëse dështuam me legalizimet, dhe falimenti i tyre megjithë dëmet ekonomike që e shoqërojnë është i pashmangshëm, jemi akoma në kohë të mos l;ejojmë një skemë të re Ponzi me strehimin social.

 

 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017