BETEJA KUNDËR QESEVE PLASTIKE SI BETEJË KUNDËR MULLIVE TË ERËS! Mapo, 25. 07. 2018
Ka një dallim
thelbësor, midis të majtës dhe të djathtës, në synimet e politikbërjes përgjatë
qeverisjes. Të majtët, së pari, mendojnë se qytetarët janë budallenj dhe të papërgjegjshëm,
prandaj nevojitet që qeverija ti mbroj ata nga budalliku dhe papërgjegjshmëria që
i karakterizon. Rëndësia që i japin vetes, si qënie më inteligjente dhe më të
moralshme se qytetarët e thjeshtë, u siguron të majtëve të drejtën të ndërhyjnë
në shumë aspekte të jetës njerëzore, për të rregulluar atë që kanë prishur qytetarët!
Kjo është arsyeja pse, sa herë të majtët ushtrojnë pushtet ekzekutiv legjislacioni
rritet progresivisht me kohën. Hiper-legjislacioni që ata prodhojnë, vetëm në
dukje rregullon gjërat, sepse në brendi vetëm sa shton volumin e akteve ligjore
për tu respektuar nga shoqëria dhe ul nivelin e zbatimit të ligjit nga
qytetarët e atij vendi. Filozofi britanik Herbert Spencer (1820-1903) e ka laboruar
shterueshëm këtë cështje në esenë e tij ‘Hiper-legjislacioni’.
Kështu që nuk po
shkojmë më tej në këtë drejtim, për të kërcyer te një karakteristikë tjetër e
të majtëve. Ata përvecse pushtues të hapsirave të lirisë së qytetarëve, në
qasjet dhe praktikat qeverisëse politikbërëse shfaqen edhe si populistë të
pandreqshëm. Nëse vëzhgojmë të gjitha politikat e Rilindjes Rama, specifika që
i bën bashkë është fakti se të gjitha janë zgjidhje që edhe shumica masive e
qytetarëve të thjeshtë shqiptar do ti jepte problematikave me të cilat
përballet vendi dhe shoqëria. Kjo është arsyeja pse të gjitha politikat e
këtyre viteve ‘duken bukur’, por nuk prodhojnë asnjë përmirësim, dhe ky është
edhe dallimi midis të majtës dhe të djathtës, për të cilin po flasim sot. Nëse
e majta i harton politikat me synimi që ato ‘të duken bukur’dhe të pëlqehen nga
shumica e qytetarëve, të djathtët i orientojnë synimet e politikbërjes që ato të
‘japin rezultate’, pavarësisht se shumicës së qytetarëve do ju duket e largët dita
e përfitimit prej tyre.
Aksionet mjedisore me
goditje të përqëndruar ‘Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë’ dhe ‘Të pastrojmë
Shqipërinë në gjashtë muaj’, respektivisht të qeverive Rama 1 dhe Rama 2, janë
dy nga shembujt më emblematik të kësaj teze. Ndërmarrja e nismës së qeverisë
Rama 2, na vërtetoi se nisma e qeverisë Rama 1 kishte dështuar, kurse gjëndja
faktike e mjedisit, vecanërisht në zonat me potencial turizmin, na vërteton në
praktikë se edhe nisma e dytë nuk dha rezultatet e propoganduara. E theksova
togfjalëshin ‘në praktikë’, sepse në teori dështimi u parashikua që gjashtë
muaj më parë, kur kjo nismë u prezantua me pompozitetin ducejan që e
karakterizon kryeministrin tonë. Sikurse po parashikojmë që sot, se nisma e
fundit që u ndërmor nga i njëjti kryeministër me të njëjtin pompozitet, lufta
kundër qeseve plastike për blerje, do të ketë të njëjtin fund, sepse edhe kjo
nismë nuk është ndërmarrë që të ‘prodhoj rezultate’ por që të ‘duket bukur’.
Pa as më të voglin
dyshim edhe kjo nismë ‘duket bukur’, por ajo nuk mund të ‘prodhoj rezultate’
për disa arsye. Së pari, se në vendet nga ku është importuar ky projekt
qytetarët i largojnë mbetjet nëpërmjet ambalazheve të dedikuara, ndërsa
shqiptarët i përdorin qeset plastike të blerjeve edhe si ambalazh për largimin
e mbetjeve. C’ka do të thotë se edhe në rastin kur shqiptarët nuk do të
përdorin qese plastike për blerje, do ti përdorin ato për të larguar mbetjet.
Së dyti, qeset plastike kanë kosto të ulët dhe në këtë kuptim cmim të ulët në
shitje. C’ka do të thotë se, kostoja e blerjes së qeseve plastike nuk mund të punojë
si një barrierë e rëndësishme për mos përdorimin e tyre. Së treti, volumi i qeseve
plastike si mbetje zë vetëm 5% të mbetjeve totale urbane që prodhojnë qëndrat e
banuara. C’ka do të thotë se, edhe nëse kjo nismë do të suksesoj në masën 100%
ndikimi në mjedis, të paktën në volum mbetjesh, është pothuajse i
papërfillshëm.
Mirëpo, ka një kuptim sipas
të cilit nisma qeverisëse që ‘duket bukur’, mund të ‘prodhoj rezultate’. Në qoftë
se dy nismat e tjera qeverisëse ishin vetëm me profil të brendshëm, me synim edukimin
e masave, kjo nismë e tretë ka një profil të fortë globalist. Nëpërmjet saj,
sikurse bashkia Tiranë për projektet e Këmbësores Skënderbej apo Pazarit të Ri,
edhe qeveria Rilindase mund të fitoj ndonjë dekoratë ndërkombëtare. Sepse me
këtë vrull që ka marrë qeveria për të mbrojtur mjedisin mund të nxjeri
jashtëligji të gjitha llojet e ambalazheve plastike, dhe kështu të bëhemi ‘i pari dhe i vetmi vend në botë’ pa
mbetje plastike. Nuk do të ishte as ndonjë cudi, dhe as për herë të parë, shqiptarët
janë shtrënguar të jetojnë “të lumtur” nëpër biruca. Në këtë rast do e
meritonim plotësisht një dekoratë globaliste, pavarësisht se do duhej ta
paguanim me humbjen e një industrie shumë më të madhe se ajo prej 100 milion
euro investime që rrezikojmë sot.
Comments
Post a Comment