GODINA E TEATRIT DHE PLANI I KULLAVE TË KASTËS! Mapo, 11. 07. 2018
E kishin menduar si një
pasexhatë, por prishja e godinës historike të Teatrit Kombëtar po ju kthehet në
një ngjitje sizifiane e shkëmbit në majën e malit. Mendonin se, për makinerinë
e tyre të manipulimit publik do të mjaftonin disa frikësime të tipit ‘godina
rrezikon të digjet brenda pak minutash’ apo ‘ajo është aq e vjetëruar sa mund
të bjeri cdo moment e të zëri njërëzit brenda’. Më shëmtuar akoma, mendonin se
mund tja dilnin me ligësinë ‘se godina helmon artistët, dhe kjo është arsyeja
pse disa prej tyre kanë ndëruar jetë në moshë të re’. Por gabuan rëndë, koha po
tregon se edhe një popull si shqiptarët, nuk mund ti manipulosh pafundësisht. Më
qesharakja nga tentativat e kastës, për të mashtruar publikun, ishte kur donin
ta njollosnin godinën me termin ‘dopo lavoro’! E përsëritën aq shpesh, edhe
nëpërmjet gojëve të mbështetësve të tyre, sa u duk sikur ja dolën. Medemek, godina
e Teatrit Kombëtar duhej shëmbur sepse ishte e pamoralshme!
Kaq primitivë dhe
injorantë na dijnë, për të tillë na llogarisin, dhe si të tillë na trajtojnë.
Si një turmë që do ta qethnin e torturonin Malenën, përshkak të nderit të saj
të humbur me ushtarët dhe oficerët fashistë e nazistë. Në fakt disa prej nesh
janë, vecanërisht kur ju’a do puna, porse në asnjë rast cilësori ‘dopo lavoro’,
që ju vendos godinës si një vello turpi, nuk ka ngjyra negative. Ai ka kuptimin
e aktivitetit rekreativ pas lodhjes në punë, dhe për urbanistikën është një nga
tre aktivitetet bazike të njeriut, si: banimi; puna/shkollimi dhe aktivitet clodhëse,
për të cilat duhet të detyrojë përcaktime shtrirjeje në planin urban të qytetit!
Nëse konsultojmë planet e hartuara para dhe përgjatë pushtim fashist Italian të
Shqipërisë, zonat e ‘dopo lavoros’ përfshijnë një sipërfaqe të konsiderueshme
të shtrirjes perspektive të Tiranës. Po ku i di kasta këto! Për ta dhe
shërbëtorët teknik të pushtetit të tyre, qyteti është vecse një fjetore e madhe
me konvikte kullash e pallatesh.
Është ky kuptim mbi
urbanistikën, arsyeja pse gjendemi në debatin: a na duhet apo jo një godinë e
re dhe nëse po, a duhet ta ndërtojmë mbi gërmadhat e godinës ekzistuese?! Mirëpo,
ajo që duhet pranuar që në fillim, është fakti se kasta pushtetmbajtëse nuk ka
hallin se Tirana ka një godinë të amortizuar për Teatër Kombëtar, dhe në këtë
kuptim po kërkon zgjidhje alternative për t’ju përgjigjur këtij realiteti të
shëmtuar. Cështja është se kasta para’dhe pushtetmbajtëse duhet të ndërtojë
disa kulla në terrenet private e publike kufitare me godinët e Teatrit, dhe kjo
godinë i pengon. Ajo ju ka zënë rrugën drejt suksesit të këtij operacioni financiaro-
ndërtimor, prandaj u kujtuan se është vjetëruar aq sa duhet shkatëruar. Sepse
kasta jonë ekonomike e politike, edhe pas tre dekadash në tranzicion, është
plotësisht e paaftë ta drejtojë shoqërinë shqiptare ndrejt një modeli të
ndryshëm ekonomik nga ai që i ka pasuruar në këto vite: ndërtimi i fjetoreve
kolektive.
Pasi ta pranojmë këtë
fakt si të vërtetë, atherë mund ti kthjejmë përgjigje pyetjes fillestare: ne
gjendemi në këtë debat public, me përmasa konflikti shoqëror, sepse prej tre
dekadash e zhvillojmë kryeqytetin tonë pa plan urban. Plani i fundit që Tirana
ka pasur është ai i vitit 1990, hartuar në 1989 dhe miratuar nga qeveria socialiste
e Adil Carcanit në fillimvitin pasardhës. I pa shfuqizuar asnjëherë, ai humbi
vlerën juridike në fillim të vitit 2010, ndërkohë që vlerën praktike e kishte
humbur vetëm dy vjet pas miratimit, kohë kur të gjitha balancat e vendosura nga
regjimi politik dhe ekonomik mbi të cilat u hartua, ranë bashkë me vet regjimin.
Dhe kjo bënte kuptim, përderisa shteti nuk ishte më i vetmi aktor në tregun e
planifikimit, menaxhimit dhe ndërtimit të imobiliareve. Kuptimet e reja mbi
pronësinë e produkteve dhe mjeteve të prodhimit si dhe reformat liberalizuese,
edhe në këtë treg, krijuan edhe domosdoshmërinë për një plan të ri urban.
Pa u ndalur te
tentativat e dështuara të administratës lokale Rama dhe Basha, për ti dhënë kryeqytetit
një plan urban, vijmë te “suksesi” i z. Veliaj. Vetëm një vit më parë, me
vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, Tirana juridikisht ka një plan për
zhvillimin e saj në vitet në vijim. Mirëpo, nëse juridikisht kemi një plan
zhvillimi, praktikisht kemi një plan kullash. Është parashikuar përgjatë procesit
të hartimit të tij, dhe e konstatojmë në praktikë sot. Sepse, nëse do kishim
një plan zhvillimi dhe jo një plan kullash nuk do niseshim nga nevoja e kastës
për të ndërtuar kulla, për të mbërritur te nevoja e qytetit për Teatër Kombëtar.
Bile nuk do ishim fare në këtë antagonizëm rolesh, sepse do ishte plani i
zhvillimit në perspektivë i qytetit që do të kishte përcaktuar nëse na duhej apo
jo një godinë e re për teatrin; ku dhe kur duhej ndërtuar; cfarë duhet të bënim
me godinën ekzistuese; dhe me cfarë burimesh financiare do ta ndërtonim godinën
e re.
Comments
Post a Comment