KOMPROMISI I PAMUNDUR PËR TEATRIN! Mapo, 16. 07. 2018
Sikurse pritej, antagonizmi për cështjen e
godinës së Teatrit Kombëtar avancoi ditët e fundit, kur pala pushtetmbajtëse shpalli
se teatri do të prishej. Sikurse kryebashkiaku i Kryeqytetit, z. Veliaj, në
Komisionin Parlamentar të Medias, edhe
kryebashkiaku i Republikës, z. Rama, në seancë plenare të Kuvendit, e deklaruan
këtë vendimarrje të tyre, megjithëse cështja ishte akoma në fazën e
‘konsultimit publik’. Një gabim shumë i madh në dukje ky, në lëminë e
agjitacion-propogandës, që mund ti falet z. Rama, i cili jo gjithmon ka
ftohtësinë ti qëndroj skenarit; por kursesi z. Veliaj, i cili meriton titullin
‘Mjeshtër i Madh’ në “disiplinën” e manipulimit masiv.
Sigurisht se, as për z, Rama dhe akoma më pak
për z. Veliaj, ky nuk ishte një gabim foshnjor, porse arsye të tjera më të
epërme se fasada hipokrite, i detyruan të marrin këtë vendim. Arsye të cilat po
i kupton edhe pala tjetër, megjithë dinamikat e ndryshimeve që ajo pëson
përgjatë këtij procesi. Përditë e më shumë monopoli i artistëve po humbet dhe
intelektualë të të gjitha fushave dhe patriotë nga treva të ndryshme të
Shqipërisë, po bëhen pjesë e protestës qytetare për mbrojtjen e godinës së
Teatrit Kombëtar. Vecoria e këtij eventi demokratik, ndryshe nga protesta për
Parkun e Liqenit dhe Stadiumin Kombëtar, është se ai po reziston drejt thelbit të
konfliktit.
Në shtresën e parë,
konflikti dukej si një hakmarrje personale e z. Rama ndaj artistëve të Teatrit
Kombëtar për dështimin në të njëjtin debat, por 20 vjet më parë. Dhe në fakt,
nuk do ishte një cudi, një kategori jo e vogël njerëzish kur fuqizohen kthehen
te betejat e humbura kur ishin më të dobët. Në rolin e ministrit dhe më vonë të
kryebashkiakut, z. Rama kishte përherë një autoritet më të fuqishëm mbi kokë, që
e pengonte të shtypte “mendimin mediokër” të artistëve, ndërsa sot, është Zot i
plotfuqishëm që e meriton hakmarrjen e e tij. Në këtë shtresë, nga qëndresa u
larguan disa artistë që nuk ndanin më mendimin se ‘të brendshmet e Violeta
Manushit ishin prej floriri’!
Konflikti kishte
dimension të fortë ideologjik, në shtresën e dytë të tij. Të majtët që besojnë
te deviza ‘E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash’
u larguan nga instikami i mbrojtjes së godinës së teatrit. Ata humbën nga
horizonti publik, apo ju bashkuan nevojës për të përqafuar modernen që lulëzon
mbi gërmadhat e së vjetrës që duhej shembur, por gjithësesi krijuan hapsira
boshe në barrikadën që filloi të mbushej nga qytetarë të thjeshtë. Këta ju
bashkuan qëndrestarëve konservatorë në mbrojtje të historisë dhe arkitekturës
së qytetit. Ishte kjo shtresë në të cilën debatin publik mori kthesën nga
‘artista v., qeveri’ në ‘qytetarë v., qeveri’!
Paratë hyn në lojë në
shtresën e tretë, dhe jo pak, qindra milion euro u shfaqën në lojën e
konfliktit. Disa milion për të ndërtuar teatrin e ri, që do të jetë më moderni
që është ndërtuar ndonjëherë, jo vetëm në 105 vite shtet në Shqipëri, por edhe përgjatë
gjithë historisë njerëzore globalisht. Për këtë arsye, ka shumë shpresa të
fitojmë një dekoratë ndërkombëtare kur ta ndërtojmë. Shumë milion të tjera për
të ndërtuar kullat, por edhe ca thërmija për të bindur ndonjë stoik, që në
fillim përbetohej për qëndresë deri në
vetflijim, megjithëse, shumë thonë se ishte shantazhi e kërcënimi i
autoritetit, dhe jo paratë që e zgjidhën këtë problem me barrikadën!
Në këtë pikë erdhëm te
bërthama e antagonizmit, te ajo që në fakt është thelbi dhe tërrësia e gjësë. Është
ajo që kemi thënë - edhe për cështjen e vendimarrjes së dhunshme për të
ndërtuar një kënd lojrash për fëmijë në territorin e mbrojtur të parkut të
Liqenit, për të ndërtuar një Arenë Kombëtare mbi themelet e Stadiumit Kombëtar,
për të ndërtuar një hapsirë këmbësore publike pa public në Sheshin historik
Skënderbej - ‘është politike or mik’! Qytetaria po e kupton, dhe do ta kuptoj
akoma më shumë, se Teatri nuk është cështje e një godine historike, as e qindra
milion eurove, aq më pak cështje ideologjike; mbrojtja e Teatrit është thelbi i
sistemit tonë politik.
Këtu kemi mbëritur pas 5
vjetësh “Rilindje”, do mbetemi në sistemin tonë hibrid të demokracisë apo do
kalojmë në një regjim autoritar oligarkik. Për Teatrin nuk mund të ketë
kompromis, sepse qeveria shfaqet e sigurtë në rrugën e saj, por edhe qytetarët
të vendosur. Mes tyre, si pika e fundit e ujit që mbush enën, qëndron një
godinë historike për arkitekturën dhe artin skenik, dhe ardhmëria e saj duhet
të bëjë historinë e shoqërisë. Dinamika e individëve dhe grupeve përballë
qeverisë, sikurse shtresat e këtij antagoinizmi, nuk janë lineare me kohën
sikurse ky shkrim i prezantoi; por nëse ato e humbin këtë betejë, vazhdimësia e
demokracisë është e rrezikuar.
Comments
Post a Comment