RILINDJA URBANE, NJË SERI SHPËRDORIMI POPULIST I PARAVE PUBLIKE. Mapo, 15. 03. 2017

Gjithashtu, janë shpërfillur planifikimet territoriale dhe planifikimet urbane për të kaluar direkt te projektimi urban i këtyre territoreve qëndrore të qyteteve, duke injoruar një nga karakteristikat bazike të planifikimit territorial, atë të hirearkisë. Projekti përforcon një nga karakteristikat më të shëmtuara të urbanistikës socialiste, atë të uniformitetit urban/arkitektonik. Të gjithë e njohin metodologjinë e projektimit të qyteteve socialiste dhe nëse studion projektet e sotme rezulton se ato janë fotokopje të njëra tjetrës. Kjo asnjëanson avantazhet konkuruese të qyteteve, sepse vret specifikën dhe specializimin e tyre të mëtejshëm. Ai është një shkallë më e lartë e një kuptimi shumë të gabuar që kemi mbi cështjet urbane, sipas të cilit qytetet shqiptare kanë nevojë për projekte zbukuruese, për ndërhyrje në estetikën dhe vizualitetin e tyre. Elita politike dhe teknike i shikon qytetet shqiptare me të njëjtat probleme sikurse qytetet europiane. Në të kundërt, qytetet shqiptare kanë domosdoshmëri për projekte të infrastruktukturore (inxhinierike dhe sociale), në mënyrë që të evoluojnë nga fjetore kolektive në qytete. Projekti përforcon pabarazi midis qëndrave të banuara të të njëjtës bashki. Nëse duhet ti gjejmë patjetër një aspekt pozitiv të ashtuquajturës Reformë Territoriale, atherë ajo është se duke bashkuar mekanikisht njësi të ndryshme monocentrike krijoi njësi policentrike urbane (në shkallë bashkie). Të cilat që në fillesë ishin në pabarazi mes tyre për shkak të diferencave bashki/komunë, porse me këto investime pabarazia e tyre bëhet më e theksuar. Ai dëmton policentrizmin e rajoneve urbane, në shkallën bashkiake, duke investuar në pikat më qendrore të qyteteve të reja (qendrat e bashkive qëndrore). Projekti punon si një parakusht për krijimin e një qasje centripetale të ribërjes urbane të qytetit në vazhdim. Sikurse forca centripetale e lavatrices i tërheq rrobat drejt qëndër së saj, edhe ky projekt do tërheqi investime dhe bisnese drejt pikës qëndrore të territorit ku këto investime janë kryer, duke injoruar territoret periferike të qytetit.

Ky projekt nuk maksimilizon përfitimet nga investimi i parave publike, sepse impakti i tij është me një cikël. Pra, në ndryshim me investime të tjera, këto para’ publike ngurtësohen këtu. Në të kundërt, këto investime do kërkojnë herë pas here para’ të tjera publike për tu mirëmbajtur. Gjithashtu, ai nuk ka impakt të ndjeshëm në ekonominë lokale, sepse komponentët e tij (dizain, supervizioni, elementët e mobilimit urban, materialet e ndërtimit) vijnë nga qytetet kryesore apo nga jashtë vendit. Ai ndikon negativisht edhe në tregun e pasurive të patundshme. Nëse banesave, njësive të shërbimit apo shitjes me pakicë, në zonën e prekur nga ky projekt i fragmentarizuar u rritet vlera, zonave që nuk preket nga investimi ju ulet ndjeshëm. Kjo, sepse ky projekt nuk rrit aftësinë blerëse të banorëve në mënyrë që këta të kenë mundësi të paguajnë më shumë për cilësinë më të mirë, por rrit cilësinë e jetesës në një pikë të vetme të qytetit duke i tërhequar të gjitha paratë në këtë pikë. Projekti nuk ka ndikim në rritjen e avantazheve konkuruese të qyteteve shqiptare ndaj qyteteve të tjera të shteteve të rajonit apo më gjerë, për të synuar një rritje të turizmit në këto qytete. Vet projekti tenton ti ‘bëj qytetet shqiptare si qytetet e vendeve të tjera të botës perëndimore’ dhe në këtë kuptim, nuk shton arsye racionale dhe të logjikshme pse një turist i huaj që jeton në qytetet e botës perëndimore do të vizitonte Shqipërinë.
Comments
Post a Comment