KATËR CËSHTJE MBI HIPOTEKIMIN E PALLATEVE ME SHKELJE TË LEJES NDËRTIMORE. Mapo, 23. 04. 2017

Anekdodat e ‘Rilindjes Urbane’ nuk kanë të sosur. ‘Unë jam dhe historian, shqiptarët kanë 3200 mijë vite që ndërtojnë pa leje.’- do të theksonte një zyrtar i lartë Rilindas në një intervistë mbi hipotekimin e pallateve me shkelje të lejes ndërtimore! Nuk di të them cili grup fjalësh, ai para presjes apo ai pas saj, më bëri më shumë për të qeshur por një gjë është e sigurtë: ato nuk mund të qëndrojnë bashkë në një fjali. As historiani, urbanisti apo historiani i urbanistikës më i madh i botës, pas një studimi disa dekadash, nuk do kishte guxuar ta thoshte. Më shumë se kaq, është një fyerje e inteligjencës njerëzore të mbash ligjërata mbi lejet e ndërtimit të para 3200 vjetësh. Porse një pyetje mund ta ngremë: kujt duhet ti marrin leje shqiptarët e sotëm për të ndërtuar, dhe pse? Është përgjigjja e kësaj pyetje që bën dallimin midis kuptimit amatoro-etatist dhe kuptimit shkencoro-demokratik të kontrollit të zhvillimit urban. Sipas të parit ky aktivitet qënka shprehja e vendimit subjektiv të një ose disa burokratëve. Kurse sipas të dytit është vlerësimi administrativ nëse një kërkesë për zhvillim përputhet me planifikimet urbane të miratuara më parë. Thënë këtë, është e kuptueshme që përsa kohë nuk ka instrumenta urbane të miratuara, nuk ka arsye pse shqiptarët ti besojnë subjektivizmit të ca zyrtarëve dhe jo subjektivizmit të tyre.


 Ajo që nuk kuptojnë burokratët dhe teknicienët shqiptarë të 20 viteve të fundit është se cështja e lejedhënies ndërtimore nuk është një marrdhënie preferenciale midis autoritetit të epërm të shtetit dhe qytetarit. Ajo është një cështje barazie, me origjinë kushtetuese, të drejtash për të zhvilluar pronësinë midis pronarëve të së njëjtës njësi urbane. Është ky kuptim i gabuar që prodhon legjislacion, i cili jo vetëm nuk zgjidhin problemin por sjellin ca probleme të reja. Sociologu e politologu Herbert Spencer në librin e tij ‘Njeriu përball shtetit’ (1884) do ta përfytyronte hiper-legjislacionin si një tren të gjatë që pasi është nisur në udhëtim, askush nuk mund ta ndali më. Në të njëjtën situatë jemi edhe me “reformën” e hipotekimit të pallateve me shkelje të lejes ndërtimore. Pak javë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin ‘Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesa anësore ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien’. Arsyeja që e shkruajta titullin e gjatë, të keqformuluar, evaziv dhe të rrëmujshëm, është evidentimi i cështjes së parë që krijon ky vendim që në titull, por edhe që kushdo të kuptojë sa probleme të reja pritet që ai të krijojë.

  Cështja e dytë ka të bëjë me të drejtat e zhvillimit të pronësisë truall nëpërmjet ndërtimit. Është e kuptueshme që nëse një pallat ka shkelur përcaktimet volumetrike të lejes së ndërtimit, nëpërmjet ‘shtesave në lartësi’, atherë ai objekt ka konsumuar përvec të vetave edhe të drejtat e zhvillimit të pronësive kufitare. Këto të fundit, për shkak të kësaj shkelje të konstatuar dhe të “rregulluar” nga shteti, nuk do kenë mundësi të realizojnë të drejtën për tu zhvilluar në mënyrë të barabartë me kufitarët e tyre. Zgjidhjet që mbeten pas kësaj ndërhyrje brutale të shtetit janë dy: ose në dëm të barazisë për zhvillim të pronave; ose në dëm të ekuilibrit urban të zonës (hapsira vs. ndërtime). Duhet kuptuar se një pjesë e konsiderueshme e ‘shtesave anësore’, por jo vetëm ato, janë bërë në brendësi të pronësive të kufitarëve (të të tretëve). Dhe ky fakt përcakton edhe cështjen e tretë që do të doja të parashtroja. Hipotekimi në mënyrë të njëanshme e këtyre volumeve ndërtimore nuk është vetëm një shkelje e drejtpërdrejtë kushtetuese e të drejtave themelore të individit. Ai gjithashtu, hap derën e një nevoje të re për ndërhyrjen e shtetit “për të rregulluar” marrdhënien e re pronësore të krijuar nga ky “rregullim” i shtetit, për të cilin po flasim. Cështje kjo, që pashmagshmërisht të con te “rregullimi” i famshëm i shpronësimit për arsye të “interesit public”. Cështja e katërt është edhe cështja më e ndjeshme për interesin public, vecanërisht për 30 mijë familjeve që jetojnë në këto 1300 pallate. Ajo ka të bëjë me qëndrueshmërinë mekanike të ndërtesave dhe ngre shqetësimin: sa të qëndrueshme mekanikisht janë këto ndërtesa të cilave ju janë bërë ‘shtesa anësore dhe në lartësi’! Nëse projekti konstruktiv fillestar, nëpërmjet të cilit është marrë leja e ndërtimit, nuk ka vlerësuar ngarkesat e këtyre shtesave të zhvilluara më vonë, nuk ka “rregullim” qeverie e legjislacioni që e ndalon atë tren. Ndryshe nga vendimet politike që mund të merren për pak sekonda, cështjet teknike kërkojnë vlerësime e vendime rast pas rasti.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017