TA BRAKTISIM KASTËN NË SHOQËRINË E KULLAVE TË SAJ. Mapo, 11. 01. 2017


Në fakt, ky shkrim nuk është për Planin e Ndërtesave që kasta e bashkuar padallim feje, krahine e ideje, miratoi me vendim të Këshillit Bashkiak. Ky shkrim është për Planin e banorëve dhe qytetarëve. Për Planin tonë. Dhe ajo që duhet kuptuar është se kasta mund të miratoj cfarë të dojë, por asgjë nuk ka kuptim pa përfshirjen tonë. Nuk e kam fjalën për përfshirjen tonë në procesin e hartimit, e cila është një domosdoshmëri që Plani të ketë legjitimitet dhe mundësi praktike për implementimin e tij. Jo! Sepse kasta na përjashtoi nga kjo detyrë shoqërore më shumë se e drejtë individuale. E kam fjalën për përfshirjen e parave tona në implementimin e Planit të Ndërtesave të kastës. Sikurse janë votat tona që i japin të drejtën kastës të na përjashtojë nga proceset planifikuese të Planit të Qytetarëve e të vet-hartojnë Planin e Ndërtesave, janë paratë tona (si konsumatorë të bindur) që financojnë ndërtimin e kullave dhe pallateve të tyre! Janë paratë tona, ato që ne vet ose familjarët tanë kanë mbledhur me shumë mundim në emigracionin e tejzgjatur apo që marrim me kredi skllavëruese nga bankat e nivelit të dytë, që lejojnë kastën ti ndërtojë e ti shesi me shumë përfitim ato apartamente dhe ato dyqane. Sepse kasta nuk e ka bërë kot Planin e Ndërtesa. Ajo është shumë e qartë që ndërtesat e Planit duhen shitur, dhe shumë e sigurt që ne si banorë të bindur të pyllit artificial në domeinin e tyre do gjejmë paratë për të blerë ato produkte. Do braktisim tokën e shtëpinë në fshat, qytezë a qytetin ku jetojmë, për të ardhur buzë Lanën e për të blerë një volum të betontë për të fjetur. Për të fjetur e për të vegjetuar, në pritje që kasta të na gjej vend pune në administrate. Në të kundërt, punët e vërteta i kemi braktisur atje nga ku po vijmë. Dhe këtu nis Plani (jonë) i Qytetarëve. Plani i ndryshëm nga ai i kastës, sepse e bëjmë vet dhe në përfitimin tonë e në prosperim të atdheut.

Ta braktisim kastën në shoqërinë e vetme të kullave e pallateve të Planit të tyre. Ne paratë tona ti investojmë në idetë, aftësitë dhe iniciativat tona, në vendlidjen tonë. Na mbetet tokë pa punuar, të paguajmë për ndihmë njerëz që duan të punojnë, e të blejmë makineri moderne bujqësore që e rrisin prodhimtarinë. Na mbetet prodhim pa shitur, të ndërtojmë magazina e të blejmë makineri që e përpunojnë atë dhe e bëjnë të tregtueshëm gjatë gjithë vitit. Nuk gjejmë dot punë si mekanik, elektricist, axhustator, arsimtar, mjek apo cdo profesion tjetër, në ndërmarjet private apo publike të qytezave apo qyteteve tona, atherë të krijojmë serviset, klasat e klinikat tona. Eh sa shumë ide mund të investojmë me ato 100 mijë eurot që kasta do të na marrë, duke na shitur beton. E atyre që do na thonë se jeta bëhet në Tiranë, tu themi se jetën e bëjnë njerëzit. Dhe ne kemi vendosur të marrim përgjegjësi ndaj vetes, familjes e atdheut dhe ta vet-bëjmë jetën tonë.
Comments
Post a Comment