JA SI DUHEJ HARTUAR PLANI I TIRANËS! Mapo, 25. 01. 2017


Parë në këtë kuptim, ne gjendemi para pyetjes bazike: Cfarë duhet të ndryshojmë që gjerat të mos shkojnë në këtë drejtim të pa dëshirueshëm? Përgjigjen e të cilës duhet ta kërkojmë në bazament. Në kulturën tonë të planifikimit urban. Ne, përshkak të shkëputjes për 50 vjet nga bota perëndimore, trashëgojmë një kulturë të planifikimit urban që i përket viteve 60-të shekullit të kaluar. Kohë kur disa arkitektë, të cilët janë baballarët e urbanistikës shqiptare, mbaruan studimet në vendet lindore. Ndërkohë, urbanistët e rinj që po diplomohen në vitet e fundit në perëndim nuk janë ndeshur në debate apo teza në ndihmë të këtij kapërcimi shkencor, sepse vendet ku ata studiojnë i kanë kaluar këto procese demokratizuese dekada më parë. Në këtë kuptim, ne kemi trashëguar praktikat shqiptare të planifikimit urban që konsiston në ‘projektimin urban’ si aktivitet shkencor i profesionistëve dhe menaxhimin urban si aktivitet i elitës politike. Mirëpo bota, ka evoluar në kuptimin social e politik dhe, në këtë kuptim, ka evoluar edhe shkenca e planifikimit territorial. Modeli Lasswell (modeli linear i Harold d. Lasswell në 1948) u braktis përgjatë viteve 1970, kohë kur bota perëndimore e ktheu shikimin nga modeli ciklik dhe interaktiv i formulimit të politikave. Në ato vite, lëvizjet për demokratizim sollën edhe nevojën e përfshirjes (intearkivitetit) së palëve të interesuara në proceset e planifikuese. Procese që gjatë 50 viteve të fundit kanë evoluar deri në bashkëplanifikim. Së fundmi, Paul Krugman (fituesi i cmimit Nobël 2008) në librin e tij ‘Ekonomia e Vet-organizimit’, do të theksonte ‘vet-organizimi është dicka që ne e observojmë dhe përpiqemi ta kuptojmë dhe jo një gjë që ne e duam’. Prandaj ne sot gjendemi vetëm përpara një modeli për hartimin e Planit të Tiranës: kuvendim midis gjithë aktorëve të zhvillimit, në moderimin dhe suportin teknik të urbanistëve më të mirë të qytetit.

Një axhendë kuvendimesh sipas temave specifike duhej hartuar dhe bërë publike. Dyert e sallës së mbledhjeve të Këshilli Bashkiak duheshin hequr. Të gjitha organizatat shoqërore (fitimprurëse ose jo): ekonomike; kulturore; mjedisore; mjeksore; artistike e sportive, duhet të ishin tërhequr në debatet tematike. Departamenteve shkencore dhe intelektualëve u duhej kërkuar të përfshiheshin, së bashku me punimet e tyre shkencore për temat në diskutim. Kamerat e televizioneve duheshin montuar për të filmuar gjatë gjithë kohës. Transmetimet direkte mbi temat më të nxehta të kuvendimit duhet të zinin orët më pik të transmetimit. Dhe paralelisht me këto, një seksetari teknike që protokollon të gjitha dakortësitë e arritura në kuvendime, duke i kthyer ato ose në harta ose në materiale të shkruara. Kështu duhej të ishte hartuar plani i Tiranës. Si një festë e qytetit! Si një rigjenerim shpirtëror e kulturor i shoqërisë tonë të nëpërkëmbur!
Comments
Post a Comment