NDAJ TË NJËJTIN MENDIM ME DI’CAPRION, POR PËR NJË TJETËR ARSYE! Liberal, 04. 11. 2019

Ylli Hollivudian, Leonardo DiCaprio,
ditët e fundit na bëri ‘krenar që jemi shqiptarë’ kur shpërndau në faqen e tij
të instagramit një shkrim të ‘The
Associated Press’ të shoqëruar me një video të lumit tonë Vjosë. Statusi
i këtij autoriteti, përvecse na bëri të ndiheshim globalisht më të rëndësishëm
edhe na kënaqi pa masë. Vecanërisht sepse ishte kundër një veprimi të Rilindjes,
në një kohë kur qeveria me vepra dhe shoqëria me fjalë kundër veprave të saj, po
marshojmë në drejtime diametrikisht të kundërta, drejt asgjësë apsolute.
Për të qenë i sinqetë, do të kisha preferuar
që vendi im të përmendesh për gjëra që i kemi arritur vet, me punë e përpjekje;
dhe jo për gjëra që na i ka dhuruar natyra. Nuk u ndjeva as i mbështetur në
identitetin tim si urbanist polemizues me qeverisjen, sepse qasje si kjo e z.
DiCaprio na mbajnë në kurrthin e asaj që latini do ta quante infinita disputandum (debat i pafund)!
Togfjalëshi ‘debat i pafund’, nuk e ka të
keqen te fjala apo koncepti ‘debat’. Për shoqëritë moderne debati është një nga
parimet më të rëndësishme të funksionimit të tyre, dhe një nga karakteristikat
që e diferencojnë nga shoqëritë e tjera. Prandaj, si artikulli i publikuar nga
prestigjozja ‘The Associated Press’ ashtu edhe shpërndarja e tij nga artisti dhe
ambjentalisti Leonardo DiCaprio, janë të mirëseardhur për vendin tonë të vogël
të halleve të mëdha. E keqja qëndron te ‘pafundësia’. Sepse zgjatja në
pafundësi e një debati nuk prodhon dot një vendimarrje, dhe pa vendimarrje mbetemi
në vend, ndërkohë që kemi domosdoshmëri të vrapojmë.

A ju kujtohet debati për Pedonalen Skënderbej,
që u harrua nga Këndi i Lojrave për fëmijë te Parku i Liqenit, i cili u harrua nga
Arena Kombëtare, e cila u harrua nga Unaza te Astir, e cila po rrezikon të
harrohet nga Teari Kombëtar, e kështu në vijim?! Të gjitha segmentet e ‘debatit
të pafund’, deri tani, janë fituar nga Rilindja, bile i kanë shërbyer asaj edhe
si “argumenta” pse “e vërteta” e tyre është më e mira për vendin. Mora
shembullin e Rilindjes në Tiranë sepse është më gjerësisht i njohur, por mund
të kisha marrë shembuj pafund nga Rilindja qëndrore, përfshirë edhe këtë për hidrocentrale
apo aeroporte, që ka nisur nga veriu i vendit e po zbret në jug.
Ky është kurthi ku na ka futur kasta dhe
ambjentalistët, urbanistët dhe opinionistët e saj. Ky kurrth na mban në
“demokraci” përderisa jemi në “debat” me qeverinë, dhe në të njëjtën kohë
qeveria merr vendimet që i interesojnë asaj. Kurse “arbitri” ndërkombëtar nuk e
ka të vështirë të mbaj anën e qeverisë, përderisa ‘edhe në vendet e tyre
demokratike ka pakica që kundështojnë projektet e mëdha të zhvillimit, por në
fund të fundit interesi i shumicës duhet, dhe, triumfon’.

Ky quhet planifikim hapsinor dhe
territorial, dhe është një shkencë që vet-zhvillohet dhe ndihmon zhvillimin e
botës moderne prej qindra vitesh. Nëse ne do të fillojmë ta përfshijmë këtë
shkencë në kulturën tonë qeverisëse, kuptimit të ‘debatit pafund’ ku qeveria
fiton gjithmonë i vjen fundi, sepse produkti përfundimtar i këtij planifikimi
(planet e zhvillimit) përfshin edhe mendimin apo interesin e ‘grupeve të zëshme
në minorancë që pengojnë shumicën e heshtur’.
Prandaj jam dakort me ambjentalistin
DiCaprio kur, fshehtas, i kërkon qeverisë Shqiptare të mos ndërtoj diga përgjatë
rrjellës së egër të lumit Vjosë, por jo sepse cdo ndërtim dige dëmton mjedisin.
Por sepse cdo ndërtim i pakaluar më parë në filtrat e planifikimit hirearkik e
gjithëpërfshirës territorial, mundet. Në fund të fundit, digat e
hidrocentraleve prodhojnë enegji të pastër dhe miqësore me mjedisin. Kush mund
ta ndajë më mirë se proceset demokratike e gjithëpërfshirëse të planifikimit
territorial, se kush e dëmton më shumë mjedisin: ndërtimi apo mosndërtimi i
digave?!
Comments
Post a Comment