EKONOMINË BUJQËSORE E VRAU RILINDJA DHE DURASANA! Liberale, 18. 11. 2019
Panairi i librave, një nga eventet më të
rëndësishme kulturore në vend, u sfumua sivjet nga një tjetër panair.
Propaganda shtetërore përdori paratë e shqiptarëve për tju mbushur mendjen
shqiptarëve se edhe në Shqipëri ‘toka punohet’! Ajo organizoi panairin e
prodhimeve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, agropërpunimit dhe agroturizmit;
në të njëjtët ditë kur edhe shtëpitë botuese, sikurse cdo vit, organizojnë
panairin e librit. Në fakt, qeveria nuk ka ndonjë inat me librin, ose së paku, unë
nuk kam asnjë provë objective që ta mbështesi këtë “tezë”. Problemi i kësaj
qeverie ka qënë, mbetet dhe përforcohet në kohë, te qasja e saj populiste, demagogjike,
fasadiste dhe centraliste se ‘është duke bërë shtet’ që e përkthyer nga kuptimi
i saj mund të formulohet ‘asgjë individuale nuk ka vlerë jashtë organizimit
shtetëror’. Nga ky frymëzim duket se origjinalizon edhe kjo përplasje e
rastësishme midis një eventi të organizuar nga nisma e sipërmarrjes private dhe
një eventi të organizuar nga shteti që kontrollon gjithcka.
Dhe këtu vijmë edhe te thelbi i këtij
shkrimi të shkurtër opinion; pse i duhet një panair i tillë Tiranës Urbane dhe
pse duhet të jetë i organizuar nga makineria e shtetit! Këtë të dytën, le të
themi se e argumentuam me karakteristikat e Shtetit të Madh të kësaj qeverisje,
kurse për të parën do na duhet të thellohemi pak më shumë. Sepse, edhe më skeptikët ndër ne e kuptojnë se
në trojet shqiptare toka nuk ka filluar të punohet dy vitet e fundit të
qeverisjes rilindase, bile as vetëm në shtatë vitet që Shqipëria qeveriset nga
rilindja. Nëse i referohemi teoricienëve të urbanistikës që mbështesin tezën e ‘dominancës
së bujqësisë’ për mënyrën sesi njerëzit e parë krijuan vendbanimet e para të
përhershme, toka është punuar mijëra vjet më parë, përfshirë edhe trojet e
banuara nga shqiptarët. Mirëpo, megjithëse shqiptarët e punojnë tokën prej kaq
shekujsh, duket se vitet e fundit prodhimet bujqësore nuk po mbërijnë dot në
tavolinat e tyre.
Për ti rënë shkurt, dickaje për të cilën
mund të flitet me ditë, fajin që në tavolinat shqiptare nuk po mbërijnë
prodhimet shqiptare e ka fajin edhe modeli territorial, që vecanërisht kjo
qeveri po e stimulon, Durasana. Ne për këtë model, dhe vecanërisht për dëmet e
tij në shumë aspektet të jetës kemi folur dhe do të vijojmë të flasim sepse
është ky model që po dëmton edhe gjithë modelet e saj patriotike, ekonomike, sociale dhe
politike. Ky model ka të bëjë me koncentrimin e popullsisë në Tiranë, Durrës
dhe qytetet e ultësirës Perëndimore, duke shpopulluar territore të tjera
periferike apo kufitare të Atdheut; dhe pa rregulluar këtë model, është e kotë
të synojmë balanca të reja patriotike, ekonomike dhe politike. Ky model i
mbrapshtë i shpërndarjes së popullsisë nëpër territor vepron në dy mënyra për të
distancuar prodhimin nga konsumi: së pari, duke krijuar distancë midis
territoreve ku prodhohet nga territoret ku konsumohet; dhe së dyti, duke stimuluar
përdorimin e tokës për zhvillime ndërtimore në territoret ku konsumohet.
Grumbullimi i popullsisë në Durasanë, që
tashmë e ka kaluar 60% të popullsisë kombëtare, nga njëra anë dhe lokalizimi i
territoreve ku zhvillohet bujqësia, blegtoria në territoret e tjera të vendit,
bën që konsumatorët më numerikë dhe shumica e prodhimeve të jenë aq larg njëri
tjetrit saqë të kenë nevojë për shumë transport dhe shumë ndërmjetës ‘për tu
takuar’! Të dyja këto janë kosto që i shtohen cmimit me të cilin produktet mbërijnë
te konsumatori, dhe në këtë kuptim bëhen vështirësisht dhe me kosto të lartë
për tu konsumuar. Shikoni protestat e fermerëve të qarkut Fier në ditët e
fundit, por edhe ato të Korcës apo Kukësit në kohë të tjera, sepse në Shqipëri
nuk ka vetëm panaire por edhe protesta. Produktet e tyre shiten për “5 pare”
atje ku prodhohen, por bëhen të “sa frëngu pulën” kur mbërijnë në tavolinat e
konsumatorëve. Sigurisht që për këtë kanë ndikuar edhe taksat e Shtetit i Madh
e të plotfuqishëm që bën shfaqje teatrale panairesh me paratë e taksapaguesve,
për ti mbushur mëndjen shqitarëve të ‘blejnë shqip’.

Comments
Post a Comment