ANIJA QË LARGON SHQIPTARËT E SOTËM E KA EMRIN DURASANË! Liberale, 11. 04. 2019
Përditë e më shumë, në media, po flitet për fenomenin
shqiptar bashkëkohor të largimit masiv të shqiptarëve nga Shqipëria. Gjë e mirë
kjo, sepse pranimi se je prekur prej një sëmundje, është hapi i parë dhe i
domosdoshëm që të shërohesh; por edhe gjë e keqe, sepse të kujtohesh për
shëndetin vetëm pasi e ke humbur, është një sjellje sa e vjetëruar aq edhe kushtueshme.
Për shëndetin duhet të kujdesemi në vazhdimësi.
Investimin në shëndet duhet ta
bëjmë me moton ‘ta ruajmë atë, dhe jo ta rifitojmë’! Për këtë synim bota e
qytetëruar ka zhvilluar teori dhe praktika, një pjesë e të cilave kanë mbërritur
edhe në këtë ishullin e prapambetur në të cilin ne jetojmë; djeta të ushqimit
të shëndetshëm, aktivitete fizike dhe alternime të tyre, po e konservojnë
shëndetin e individit modern duke minimizuar prekjen e tij prej sëmundjeve. E
njëjta logjikë vlen edhe për shëndetin e territorit, për higjenën e mjedisit jetësor
e urban dhe konservimin e natyrës.
Në fakt kjo logjikë vlen për cdo aktivitet njerëzor,
por në shkrimin e sotëm vjen në shpjegim të fenomenit të braktisjes së atdheut
nga kombi. Elita politike, gjithashtu, e ka pranuar këtë sëmundje, por si
gjithmonë po e trajton sipas interesit të ditës; ose si një normalitet ose si
një produkt të keqqeverisjes momentale. Cka është një gabim po kaq madh. Sepse,
pas 25 vjetësh në procese liberalizuese në Shqipëri, normalitet duhet të ishte
fenomeni i kundërt; qytetarë të huaj duhet të vinin në Shqipëri për tu
përfshirë në zhvillimin e shpejtë të një vendi të sapo shkëputur nga kthetrat e
socializmit. Po kaq e pavërtetë është edhe teza se braktisja e Shqipërisë është
një fenomen i kushtëzuar vetëm nga qeverisja aktuale, sepse humbja e shpresës së
shoqërisë nga një qeveri sjell rebelimin ndaj asaj qeverie, dhe jo braktisjen e
atdheut. Kombi e braktis atdheun vetëm kur humb shpresën afatgjatë te cdo
komponet ekonomik, social e politik i atdheut!
Shqiptarët nuk largohen nga Shqipëria përshkak të
ndonjë patologjie kulturore kombëtare ‘për të braktisur atdheun’. Arsyet janë
shumë të thjeshta por bazike, ata largohen për përshkak të gjendjes ekonomike
të sotme dhe asaj në perspektivë. Të dyja të lidhura ngushtësisht me modelin
ekonomik dhe modelin social-politik të vendit. Është modeli ekonomik i konsumit
që i konverton shqiptarët në qënie konsumatore por pa i dhënë asnjë mundësi të
fitojnë të ardhura për shpenzime. Kurse modeli social-politik i partito-kracisë
së kryetaro-partive i përjashton edhe nga mundësia për të kontribuuar në
ndryshimin për të ardhmen e këtij modeli ekonomik përjashtues. Të përjashtuar
nga modeli ekonomik i sotëm dhe i atij në perspektive, shqiptarëve ju ngelet të
largohen nga vendi me shpresën se ekonomitë prodhuese të vendeve ku shkojnë do
ti përfshijnë brenda vetes, jo vetëm si konsumatorë të prodhimit por edhe si
përfitues të vlerave të shtuara.
Terapia për këtë tumor vdekje prurës për atdheun, që
lëngon në mungesë të kombit, nuk mund të jetë as injorimi i një ‘normaliteti’
sikurse na propozon qeveria; dhe as vetëm zëvendësimi i kësaj qeverie me një
tjetër sikurse na premton opozita! Ky tumor nuk shërohet as me barnat më të
shtrenjta e më të forta në botë, sepse nuk është thjeshtë një sëmundje që duhet
shëruar; por një keqfunksionim në shkallë të gjerë i cdo qelize të trupit të
atdheut. Terapia e vetme për të është rishpërndarja e balancuar e popullsisë
nëpër territorin kombëtar, është bërja bashkë e burimeve natyrore, burimeve
financiare dhe burimeve njerëzore! Vetëm një model i tillë i zhvillimit
territorial mund të na drejtojë në; zhvillimin e një modeli ekonomik prodhues
dhe një modeli politik demokratik, që e përfshijnë qytetarin brenda vetes si një
aksioner, pa e trajtuar atë si një konsumator të kapur peng nga “fati”, dhe për
të ndarë me të të gjitha kostot dhe përfitimet!
Analize interesante e profesionistit qe ne kerkim te shendetit territorial qorton mungesen e thelle te kultures sone mbareshoqerore, qe lejoi politiken postkomuniste te tre dekadave te shpopulloje periferite e rrezikoje krejt vendin.
ReplyDelete