KËMBËSORJA SKËNDERBEJ SI NJË PROFECI VET-PËRMBUSHËSE! Mapo, 12. 06. 2018
Termi profeci vet-përmbushëse
u prezantua në 1948 nga sociologu amerikan Robert K. Merton (1910-2003).
Profesori i Universitetit Kolumbia e përkufizoi teorinë e tij si ‘një shpjegim të rremë të realitetit, që
shkakton një sjellje të tillë e cila bën të mundur vërtetimin e konceptit të
rremë fillestar’. Një shembull shpjegues i kësaj teorie mund të ishte
skenari sipas të cilit Enver Hoxha në veprën ‘n’ të tij, të parashikonte “shkencërisht”
se për pak muaj shoqëria shqiptare do të arrinte një nivel të tillë kulturor e
ndërgjegjësimi komunist sa do të konvertohej në një shoqëri ateiste. Nga periudha
1945-1990 ne mund të përmendim pafund shembuj që e shpjegojnë këtë koncept,
sepse shumëcka nga eventet sociale të asaj kohe është ndërtuar mbi këtë lloj
diskursi politik. Porse, shpjegimin më i thellë i teorisë së Merton na vjen nga
Marksizmi, që është edhe filozofia mbi të cilën u ngritën regjimet kolektiviste
në shekullin e 20-të (përfshirë Shqipërinë).
Sepse edhe Marksizmi
është projektuar si një profeci vet-përmbushëse. Ai, nëpërmjet shpjegimit të
rremë të gjëndjes, synon të provokoj një sjellje shoqërore, e cila më tej “vërteton”
këtë shpjegim të rremë. Komunizmi, në ato vende, nuk ishte rezultat i veprimit
të forcave “të pa shmangshme” të
ndërgjegjësimit klasor dhe përparimit historik. Në të kundërt, komunizmi u
shfaq në realitetin shoqëror si pasojë e asgjëje tjetër përvec agjitacionit të
marksistëve dhe dhunës që e shoqëroi këtë. Ishte propaganda marksiste që arriti
ti bindi njerëzit që për të mbrojtur interesat e klasës së tyre të veprojnë në
një mënyrë të caktuar (revolucion), jo se vërtetë “klasa punëtore” në mënyrë të
pavarur kishte arritur në këto përfundime. Prandaj Marksizmi është një profeci
vet-përbushëse, dhe si e tillë mund të “vërtetohet” vetëm përkohësisht dhe
vetëm i shoqëruar nga propaganda. Në të kundërt, ai dështon me turp duke lënë
mbrapa dëme të mëdha.
Në të njëjtën tipologji
“profecie” gjendemi në cështjen e Këmbësores Skëndërbej! Rreth tetë vjet më
parë, profeti që drejtonte prej një dekade Tiranën urbane, z. Rama, u ndjeh i
sfiduar nga një propozim i kryeministrit të kohës, z. Berisha. Në përgjigje të
shqetësimeve të pafundme publike të qytetarëve për gjëndjen e mjeruar që ishte
katandisur ky shesh, Kryeministri ofroi zgjidhjen që cdo urbanist do kishte
propozuar. Pjesës së përshkueshme nga makinat të Sheshit Skënderbej ti bëhej
një veshje e përkohëshme asfaltike, në mënyrë që shqetësimi i shprehur publik
të adresohej, dhe ndërkohë administrata e bashkisë të përgatiste një projekt që
me financim të qeverisë qëndrore të kthehej, edhe praktikisht, në sheshin më
simbolik të kryeqytetit. Mirëpo, kjo zgjidhje e thjeshtë, racionale, afatgjatë
dhe mbi të gjitha në përputhje me interesin e shprehur nga publiku, nuk mund ta
përmbushte egon e madhe të profetit që drejtonte punët e Tiranës urbane.
Profetët bëjnë profeci,
dhe profeti i Tiranës urbane nuk mund të bënte më pak. Ai shpalli se interesat
e “klasës” së qytetarëve të Tiranës mund të realizoheshin vetëm nëpërmjet një
zgjidhje të vetme, radikale dhe përfundimtare. Sheshi Skënderbej duhej të konvertohej
në Këmbësoren Skënderbej, që qytetarët do ta mbushnin deri në derdhje me
prezencën dhe aktivitetet e tyre sociale, kulturore dhe rekreative. Qytetarët,
nëpërmjet kronikave televizive të përditshme, kërkonin vetëm të mbylleshin
gropat e thella dhe të shumta që kishin pushtuar sheshin, por profeti e dinte
më mirë se ata vet cfarë ishte interesi i tyre. Dhe kështu u bë. Sheshi
Skëndërbej, pas disa masave të ndërmjetme dhe disa milion euro të qytetarëve të
sotëm dhe të nesërm, u konvertua në Këmbësoren Skënderbej. Sot, në vend të këtyre
miliona eurove që mund të përdoreshin për punë të tjera dhe një nyje të
lëvizjes multimodale, kemi një këmbësore gjigande!
Profecia u bë e
vërtetë, por jo si produkt i nevojës reale qytetare! Porse, si konseguencë e
agjitacionit të dishepujve të profetit dhe dhunës “legjitime” të pushtetit që
këta ushtrojnë. Vërtetë sot Tirana urbane ka një këmbësore gjigante, sikurse
profeti e profetizoi, por ka gjithashtu dy probleme më të mëdha për të zgjidhur
dhe të dyja të parashikuara më parë. Së pari mbetet cështja e trafikut të
ngarkuar në zonën qëndrore të kryeqytetit. Problemi i dytë, ai që në fakt e
provokoi këtë shkrim, mbetet krijimi i motiveve që do ta conin një qytetar në qendër
të qytetit. Sepse Këmbësorja Skënderbej, në vetvete, nuk përligj asnjë përdorim
që mund ti tërheqi qytetarët, përvec atyre që po stisin agjitatorët e profecisë.
Konvertimi i këmbësores në një qebabtore gjigande në ditët e ndërimit të viteve
apo në një skenë gjigande me kosto deri në miliona euro sikurse në dy koncertet
e fundit, nuk mund ti përligjin kostot publike të profecisë së rreme.
Comments
Post a Comment