PËR TEATRIN DUHET TË MBËSHTESIM ARTISTËT! Mapo, 19. 06. 2018
Debati mbi godinën e
Teatrit Kombëtar po hyn në fazën përfundimtare të tij, atë të konfliktit mes
palëve. Shumë shpejt, shqiptarët do njihen me cfarë do të ndodhi me një nga
godinat më të rëndësishme të zonës historike të Kryeqytetit të tyre. Forca dhe
ndikimi i palëve të përfshirë në këtë debat po balancohet, cka do të thotë se monopoli
i dy-tre oligarkëve për të vendosur për gjithcka që i përket qytetit, po thyhet
të paktën në një zonë të tij. Dhe kjo është një ngjarje shumë e mirë për
demokracinë gjerësisht të munguar shqiptare, vecanërisht në trajtimin dhe
vendimarrjen për cështjet urbane. Sepse nuk ekziston një hapsirë tjetër
politike ku demokracia e drejtpërdrejtë të ketë kuptimin praktik më të
qënësishëm sesa planifikimi dhe zhvillimi i qytetit. I gjithë spektri politik,
përjashtuar periferi të caktuara, dakortësojnë se qyteti nuk mund të ribëhet pa
përfshirjen në proceset planifikuese të palëve të interesuara dhe të prekura
nga zhvillimin.
Mirëpo, përtej qasjes
teorike, qasjet praktike të partive shqiptare ndaj përfshirjes së palëve të
interesuara në proceset vendimarrëse urbane janë shumë të ndryshme nga ligjërimi
(e folura) i tyre publik. Praktikat e tyre, sikurse për shumëcka, janë më shumë
të ngjashme me praktikat e sistemit kolektivist të tre dekadave më parë, sesa
me tezat politike të statuteve apo programeve zgjedhore të tyre. Ata shtriren
sikur po përfshijnë palët e interesuara në cështjet urbane, por realisht
vendimarrin në mënyrë të pavarur nga publiku. Edhe në kohën e diktaturës,
megjithëse pushteti i kastës vendimarrëse ishte i pakufijshëm, ekzistonte një
nen (ligji sektorial i 1978-ës) që përcaktonte detyrimin për afishimin e Planit
Rregullues në mjediset e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit. ‘Mbledhja e mendimit të masave punonjëse’ për një muaj, kur masat
punonjëse i kishin zhveshur nga cdo interes personal për zhvillimin, ishte
thelbi i talljes me publikun në atë kohë.
E njëjta qasje praktike
për ‘mbledhjen e mendimit të masave
punonjëse’, megjithëse i kanë ndryshuar emrin në ‘dëgjesë publike’, funksionon
edhe sot. Bile, pushtetarët e sotëm shkojnë më tej në talljen e tyre publike me
publikun. Ata i shtojnë edhe fragmentarizimin e cështjes në debat, si rrjedhim
logjik i fragmentarizimit të zhvillimit urban. Një karakteristikë kjo e
zhvillimit të paplanifikuar të dekadave të fundit, ku plani mungon në cdo rast
dhe debati është mbi një objekt të caktuar pavarësisht hapsirës urbane në të cilin
ai përfshihet. Të paktën kasta vendimarrëse e socializmit monist e hartonte një
Plan për gjithë qytetin, pastaj tallej me publikun. Kurse vendimarrësit e sotëm
të socializmit demokratik nuk e marrin as këtë mundim. Jo sepse përtojnë, porse
planifikimi i përgjithshëm apo pjesor, dhe përfshirja e palëve të interesuara e
të prekura nga zhvillimet e planifikuara, do ti pengonin ata në vendimarrjet
preferenciale që synojnë.
Pa nënvlerësuar
dimensionin e trashëgimnisë kulturore që është një materie shumë e rëndësishme
për godinën në fjalë, ky është thelbi i kontraditës midis kastës vendimarrëse
dhe publikut të gjerë të përfaqësuar përgjithësisht nga artistët. Thelb i cili mbështetet në dy karakteristikat e
planifikimin dhe administrimit të qëndrave urbane. Së pari, është Plani si produkt material i planifikimit,
i cili na drejton me lehtësi te ‘ai që mban të drejtën’ në këtë debat. Fakti që
as Plani i Përgjithshëm Vendor që miratuam një vit më parë, dhe as Plani
Francez për zonën Qëndrore të Tiranës, nuk vendimarrin për ndërtimin e një
Teatri të ri me kulla mbi shpinë, do të thotë se e drejta ‘sipas planit’ qëndron
me artistët. Dhe në këtë pikë na duhet të përsërisim një të vërtetë që pakkush
nga publiku ka mbetur pa e kuptuar: prishja e teatrit është pasoja, jo shkaku. Pra,
teatri duhet prishur që të ndërtohen kullat, dhe jo se, kullat duhen lejuar që
të mund të ndërtohet teatri.
Kjo sentencë vërteton
se vendimi për prishjen e godinës së teatrit është marrë tashmë nga kasta
drejtuese (njëra pale), dhe ‘dëgjesat publike’ me artistët (palën tjetër) janë
një farsë e rilindur nga socializmi monist. Mirëpo, planifikimi territorial dhe
urban bashkëkohor pa karakteristikën e
tij të dytë nuk ka vlerë. Dhe, planifikimi
si një proces demokratik dhe gjithëpërfshirës i palëve të interesuara dhe
të prekura nga vendimarrjet për zhvillim, na thotë se e drejta ‘sipas
planifikimit’ qëndron gjithashtu nga ana e artistëve. Prandaj artistët duhen mbështetur,
jo vetëm për fatin e një godine me histori, dhe as vetëm për faktin se e drejta
sipas shkencës së urbanistikës qëndron me ta. Por edhe se, me nxjerrjen e protestës
jashtë skemave ‘nga brenda –jashtë’ të përcaktuara e modeluara nga burokracia
dhe interesat speciale të grupeve ekonomike, ata po sjellin një erë të re për përfshirjen
qytetare në vendimarrjet për planifikimin e qytetit: atë të vet-organizimit
qytetar.
Comments
Post a Comment