SHTETI ANADOLLAK I RILINDJES URBANE! Mapo, 30. 05. 2017

Dy mbeten figurat e mëdha politike që nuk e njohin dimensionin shtetëror të Shqipërisë. I pari ishte Otto fon Bismark, Kancelari i parë i Gjermanisë që e konsideronte Shqipërinë ‘nocion gjeografik’. Dhe i dyti Edi Rama, Kryeministri aktual i Republikës së Shqipërisë, i cili rreth një shekull pas krijimit të Shtetit Shqiptar ka marrë përsipër ti bëj shqiptarët me Shtet! ‘Do bëj shtet’ mund të ishte emri i dytë i këtij Lideri Global që për interesa të vogla mohon historinë e Shtetit të një prej kombeve më të vjetër të Europës. Mirëpo, unë jam edukuar e arsimuar të refuzoj me neveri të parin, kështu që me forcë dhe me neveri do injoroj edhe të dytin e të fundit prej tyre! Sepse Shteti Shqiptar është ‘bërë’ në 28 Nëndor 1912! Shtet, që megjithë tranformimet e tij dhe pavarësisht nga cilësorët që ju vunë, u trashëgua nga shqiptarët ndër breza deri sot kur z. Rama ushtron funksione qeverisëse. Prandaj, Shteti Shqiptar nuk ka nevojë të bëhet, por si cdo shtet tjetër, ai ka nevojë të modernizohet. Këtë shpresuam edhe nga z. Rama dhe e tija ‘Rilindja Urbane’. Pritëm të decentralizoj e të forcoj autonominë locale, të forcoj institucionet, të rrisi përfshirjen qytetare në qeverisje, të uli nivelin e ‘dhunës legjitime të shtetit’, të risi transparencën dhe përgjegjshmërinë e burokracisë shtetërore, të lehtësojë komunikimin e Shtetit me qytetarin.

Nëse shfletojmë dokumente politike e teknike nga të institucioneve ndërkombëtare të qeverisjeve qëndrore, qeverive vendore por edhe të unioneve të ekspertizës së zhvillimit territorial dhe urban, do identifikojmë te të gjitha nënvizimin e disa parimeve bazë. Janë këto parime, si: subsiaritetit (decetralizimi); angazhimi social (gjithëpërfshirja qytetare); integrimi dhe koordinimi i politikave; transparenca dhe përgjeshmëria, nëpërmjet të cilave bota perëndimore tenton ti evoluoj qeverisjet e veta në ‘Qeverisje të Mira’. Nëpërmjet këtyre praktikave e proceseve modernizuese, ne do të testojmë edhe Shtetin që ‘Rilindja Urbane’ “bëri” këto katër vjet. Do ta nisim me parimin e subsiaritetit (kalimit të vendimarrjes qeverisëse sa më afër qytetarit), i cili merr valencë nga procesi i decentralizimit të vendimarrjes nga qeveria qëndrore drejt qeverisë vendore. Personalish nuk arrij ta gjej në asnjë element të tij, në të kundërt qeveria e ‘Rilindjes Urbane’ rrëmbeu cdo funksion lokal. Le ta nisim nga aksioni kundër ndërtimeve paleje apo me leje të pamoralshme (ligjërisht të diskutueshme), i cili startoi që ditët e para të saj. Funksioni më identitar i qeverisjes vendore, ai i kontrollit dhe disiplinimit të punimeve ndërtuese në territorin lokal, u përvetësua nga të gjitha ministritë me në krye Kryeministrin në vet të parë. Kalojmë te praktika e mirë europiane e fuqizimit të pushtetit vendor. Cfarë të përmendësh e masësh për të? Për të kundërtën ka shumë për të folur, por ne do mjaftohemi me ligjin e vitit 2014, ‘Për Planifikimin dhe zhvillimin e territorit’! Një kthim i plotë në vitin 1978, kur u miratua sivllau i tij komunist. Bile, më i përkeqësuar, sepse ligji komunist ja njihte pushtetit vendor fuqinë (funksionin) e hartimit dhe miratimit të disa lloj ‘Planesh Vendore’, kurse ky “modernizuesi” i ‘Rilindjes Urbane’ nuk mund t’ja lejonte kurrsesi. Sipas saj, këtë meritë mund ta kishte vetëm Kryeministri dhe disa ministra të tij në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT). Parimin e angazhimit social (përfshirjen e palëve të interesuara dhe të prekura në vendimarrje), do ishte tallje publike ta konsideronim si aspiratë teorike të kësaj qeverisjeje dhe jo më të kërkonim praktika konkrete. Për të mjafton të përmendim projektin e ‘Shesheve qëndrore të qyteteve’, nga i cili u përjashtuan jo vetëm institucionet lokale, por mbi të gjitha ata që i financojnë dhe do ti “gëzojnë” këto investime publike: qytetarët! Askush nuk u pyet se cfarë projekti ishte më prioritar për qytetin, e jo më të përfshihej në vendimarrjen konkrete se si duhet të ishin qëndrat e qyteteve ku kishin lindur dhe dëshironin të jetonin pjesën tjetër të jetës. Për domosdoshmërinë e koordinimit dhe integrimit të politikave në një ‘Qeverisje të Mirë’ nuk do masim gjë, sepse në një qeverisje thellësisht të centralizuar si e ‘Rilindjes Urbane’ nuk ekzistonin nivele të ndryshme politikash. Për të njëjtën arsye nuk do ndalojmë as te parimi i transparencës, përgjegjshmërisë dhe llogarillënies. A mund të jenë të tillë zyrtarët e një qeverisje që cdo gjë e di vetëm Kryeministri!? Bile edhe lejet e ndërtimit i jep vetëm Kryeministri! Kështu që, na mbetet vetëm të shpresojmë se dikush pranë tij të marri guximin dhe ti thotë se shqiptarët nuk kanë nevojë që qeveria t’ju “bëj Shtet” të ri, por t’ju modernizojë këtë që kanë trashëguar.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017