PËR TË BËRË CFARË, PO E PAGUAJMË Z. BOERI? Mapo, 03. 06. 2016

Të paktën për një gjë kryeministri Rama dhe pasuesit e devotshëm të tij kanë të drejtë! Ajo që po i ndodh Shqipërisë territoriale dhe urbane këto tre vite të qeverisjes së tij, nuk i ndodhur në 25 vjet. Unë do shkoja më tej dhe do e shtrija në kohë këtë shprehje. Nuk do gaboja po të thosha se dëme të tilla nuk i kanë ardhur Shqipërisë qëkur ajo është krijuar si shtet i pavarur në 1912. Ne kemi folur dhe do flasim në vazhdim mbi dëmet në dimensionin territorial dhe urban të qeverisë socialiste të ‘Rilindjes Urbane’, porse nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe një fakt tjetër të pamohueshëm. Shumëcka nga kjo që po pëson sot territori i Atdheut e ka themelin te ajo që nuk bëri dot apo bëri keq qeveria e kaluar. Ishin interesat speciale dhe paaftësia e administratës të asaj qeverisjeje, për të ndërtuar një sistem rregullator modern, që mundësuan realitet e sotme. Janë të njëjtat interesa dhe të njëjtat mendësi, dje në pushtet e sot në opozitë (që në fakt është një formë tjetër pushteti), që ndihmojnë qeverisjen e sotme ti mbaj cështjet urbane jashtë kornizës shkencore. Edhe pas dyqind vjetësh dije shkencore të grumbulluara dhe disa paradigmash, të shkencës së urbanistikës dhe zhvillimit të planifikuar territorial, elita teknike dhe politike e Atdheut sukseson ti trajtoj cështjet urbane nga qasje parashkencore. Të cilat filozofi francez i shekullit të 19-të Ogyst Kont, do ti quante etapa e mitologjisë. Etapë në të cilën, njerëzit nuk kanë nevojë për fakte për të pranuar një thënie si të vërtetë, porse mjaftonte autoriteti i atij që e kishte shpallur. Në të njëjtën etapë të ndërgjegjes njerëzore duan ti mbajnë shqiptarët e shekullit të 21-të. Në etapën e të “vërtetës” në varësi të faktit se kush e ka thënë (shpallur) atë! Pd apo Ps?
Këtë po bën elita teknike dhe politike e Atdheut me shqiptarët e ndarë në dy religjione ndaj të vërtetës. Kleriku demokrat në opozitë ju thotë se: pemët e parkut të liqenit nuk duhen prerë; stadiumi kombëtar nuk duhet ndërtuar me kullë; sheshi Skënderbej nuk duhet të kthehet në këmbësor; parku Rinia nuk duhet konvertuar në parkim nëntokësor; e të tjera si këto. Ndërsa kleriku socialist në pushtet ju thotë ekzaktësisht të kundërtën! Bile, kleriku politik në pushtet jo vetëm thotë por edhe bën. Bën me paratë e të gjithë publikut, ndërsa krekoset para grigjës së vet që e brohoret triumfatore dhe anatemon grigjën e religjionit kundështar. E gjitha një parajsë padijeje në shërbim të të njëjtës klientelë dhe në dëm të të njëjtit Atdhe, burimet natyrore dhe territoriale të të cilit shqyhen, shkatërrohen e përdhosen në shoqërinë e varfërisë mbizotëruese. Përballë kësaj qëndron e injoruar shkenca, dija e grumbulluar emirikisht dhe teorikisht prej shekujsh. Ajo që na thotë se, kleriku në pushtet mund ta ketë të drejtën të vendosi nëse një punim ndërtimor do lejuar apo jo, porse këtë duhet ta bëjë i kushtëzuar nga planifikimet e miratuara më parë. Në përputhje me plane hirearkike të hartuara në procese demokratike nga qytetarë të lirë dhe të mbështetur nga orientime shkencore dhe praktika teknike të mëparshme. Dhe në një rast të tillë, asgjë nuk mund të ketë për të shpallur kleriku në opozitë. Sepse të gjitha janë thënë të argumentuara shkencërisht në këto procese, ku të paktën për një periudhë kohore, është vendosur nëse: sheshi Skënderbej do bëhet apo jo këmbësor; pemët e Parkut do zëvendësohen apo jo nga lodrat për fëmijë; stadiumi do rikonstruktohet apo do bëhet i ri; do kemi park apo parkim Rinia!
Mirëpo kleriku në pushtet nuk mund ti interesoj rruga shkencore sepse në këtë rast fjala e tij nuk do kishte vlerë hyjnore, shteruese dhe përfundimtare. Ai nuk është i gatshëm të pranoj pyetjet e një shoqërie që kërkon të dijë. Dhe akoma më keq të një shoqërie që nëpërmjet këtyre dijeve kërkon të vendosi. Po kështu edhe kleriku në opozitë. Edhe ky ka qënë i pushtetshëm dikur dhe do jetë përsëri i tillë një ditë. Sepse këtë bëjnë klerikët tekniko- politik: ndërojnë vendet në pushtetin e përjetshëm por edhe të “vërtetat” sipas pozicionit me pushtetin vendimarrës. E sigurt si vdekja, përsa grigjat nuk kanë pyetje por shkojnë pas të “vërtetës” të shpallur prej klerikut të religjonit të tyre. E ndërsa të vërtetat shpallen në këtë konflik përsëritës mes grigjash, pyetja naive është: për të bërë cfarë, po e paguajmë z. Boeri? Mos vallë sepse është klerik i jashtëm!

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017