INEPTOKRACIA RILINDASE DHE PLANET KOMBËTARE TË TERRITORIT. Mapo, 07. 12. 2015

Nëse do të ishim të detyruar të emërtonim qeverisjen Rama të këtyre dy vjetëve me vetëm një epitet, pa mëdyshjen më të vogël do të përdorja titullin ‘Ineptokraci’. Për një kuptim të gjerë të këtij epiteti mund të themi se kështu quhen qeveritë që karakterizohen nga lider inkompetentë. Për ta zbutur pak hidhësinë e përkufizimit, jo pa qëllim përdora dy fjalë të huaja por gjerësisht të njohura. Megjithëse mund të ishte interesante, nuk do hyjmë në historikun e termit porse mund të prekim etimiologjinë e saj. Kjo fjalë, cka e bën edhe më të pushtetshme, vjen nga dy gjuhë të ndryshme: nga frengjishtja fjala ‘inep’, që do të thotë ‘i paaftë’, dhe; ‘cratos’nga greqishtja e vjetër, që do të thotë ‘pushtet’. Përjashtuar ndonjë gjitholog të vetmuar, vështirë të gjendet sot ndonjë zë publik që vlerëson pozitivisht veprimet thellësisht inepte të kësaj qeverisje. Tashmë, në këtë varg të gjatë janë reshtuar edhe eksponentë nga gjysma LSI-ste e kësaj qeverisjeje. Përjashtim bën vetëm nukli ojq-ist që kanë shoqëruar z. Rama që nga opozita, për tu përfshirë në ekzekutivin e sotëm. Duket si e rastësishme, por nuk është. Ka arsyet e veta, që shoqërojnë krijimin e forcimin e asaj që në Shqipëri quhet shoqëri civile, porse në fakt janë ‘shoqëri tregtare me përgjegjësi të kufizuara’, produkti i të cilave ka qënë i porositur. Me një fjalë, një lloj fasonerie që ndonjëherë edhe produktin e marrin të gatshëm nga interneti.
Do ishte shumë naive të prisje që këto lloj ekipesh, me këto lloj aftësisht, të ndërtonin qëndrime politike dhe programe qeverisëse. Jemi duke folur për programe reale dhe jo një grumbull fjalësh të vëna me forcë të rijnë bashkë. Sepse një të tillë e kishte edhe kjo qeverisje. Kishte një seksion edhe për cështjet e zhvillimit të territorit, përfshirë legalizimet dhe turizmin. Plot, 406 fjalë. Pak më i shkurtër se fjalia më e gjatë e Kryeministrit në librin e tij ‘Kurbani’. Duket se, ekipi qeverisës i zhvillimit të territorit, nuk i morri Kryeministrit thellësinë dhe gjatësinë e tjerrjes së mendimit, por praktikat e tij kur menaxhonte Tiranën urbane. Kështu që për dy vjet, trajtimi i cështjeve urbane i ngjante një déjà vu-je obeze. Meremetuan godinën e Kryeministrisë sikurse godinën e Bashkisë një dyzinë vjetësh më parë. Vendosën një moratorium për ndërtimin, të cilin mund ta shkeli vetëm z. Rama. Ndërmorrën aksionin e prishjeve të ndërtesave paleje apo me leje të pamoralshme, me kuptim dhe produkt zero. Iniciuan të këtilla turli kinkalerirash për të ardhur te projekti i ‘Rilindjes Urbane’ të qëndrave të qyteteve! Lyen fasadat që po ju bien suvatë nga mungesa e mirëmbajtjes e rinovimit dhe kthyen në këmbësore rrugët qëndrore. Kështu të papunët e disafishuar mund të hanë fara luledielli dhe të marrin nëpër gojë dynjanë, vecanërisht ditëve kur nuk janë të përmbytura nga vëshimi i ujrave të shiut nëpër qytetet pa infrastrukturë.
Produkti që i lejon të shprehin më mirë vetveten politike është ligji i 2014. Si një kopje identike e sivëllajit të tij të 1978 “për hartimin dhe zbatimin e planeve rregulluese të qyteteve, fshatrave dhe qëndrave të banuara”, ai centralizon cdo gjë. Cdo gjë e bën ose ministria ose kryeministria! Kryeministria jepka lejet e ndërtimit, ndërsa ministria bëka planet urbane! Dhe në këtë rrëmujë mosdije dhe mbrojtje interesash speciale, ministria paska marrë përsipër të bëj edhe tre plane kombëtare. Do bashkokan Tiranën me Durrësin në një qytet të vetëm, për popullimin e të cilit do t’ju duhet të gjejnë 7 milion shqiptar të tjerë. Dhe, do hartokan planin e zhvillimit të turizmit për bregdetin jonian, për herë të tretë pas qeverisë Nano e qeverisë Berisha! Si një qershi mbi tortë, do bëkan edhe Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit. Këtë ja kanë besuar Agjensisë Kombëtare së Planifikimit të Territorit! Njësoj si 37 vjet më parë, besojnë se planifikimi territorial qënkan ca vija dhe njolla me ngjyra në tabakë të mëdhenj letre. E kanë të pamundur të superojnë paaftësinë dhe botkuptimin e tyre bolshevik, për të kuptuar se së pari planifikimi është qëndrim politik. Vecanërisht planifikimi strategjik kombëtar. Nuk është për ti vënë faj! Nga koha ku mëndjet e tyre vijnë, qëndrimet politike ishin vendosur një herë e përgjithmon në librat e shenjtë të shokut Enver, dhe cdo gjë në lidhje me planifikimin kishte vetëm kuptim algjebrik apo gjeometrik.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017