I FUNDIT I BUNKERËVE NJË ‘SHKELJE SYRI ME NËNKUPTIM’! Mapo 14. 12. 2015

Prej muajsh tashmë, opinioni publik ishte njohur mbi një inisiativë kryeministrore të artit urban, për ndërtimin e një bunker pranë Ministrisë së Brendshme. Kishte përcjellë, gjithashtu, inisiativat e mbetura në tentativë të shoqatave të të përndjekurve politik për ta shkatëruar atë, porse gjithmon i keq informuar mbi vendndodhjen e sakt të tij. U desh protesta antiqeveritare e 8 dhjetorit që shqiptarët të mësonin vendin ku po ngadhnjente i ‘fundit i bunkerëve’. Ndryshe nga cfarë ishte thënë, nga media e gjithkush që foli për të, ai nuk ishte ndërtuar pranë Ministrisë së Brendshme, porse në mes të godinës së Ministrisë së Zhvillimit Urban, ku ajo vendoset sot dhe ku ajo gjendej para 2013-s. Dhe specifikisht, ngjitur me dritaret e zyrave të drejtorisë së strehimit social. Megjithëse rastësore, një simbolikë shumë domethënëse për shqiptarët që e njohin raportin e banesave me bunkerët në sistemin e kaluar.
Sistemi, nga ku evokohet ky objekt (bunkeri), që do na mbronte nga sulmet e Nato-s dhe Traktatit të Varshavës në të njëjtën kohë, kishte menduar të ndërtonte 700 mijë prej tyre, por jo banesa për shtetasit e saj të lumtur në mjerim! Imagjinoni për një moment, sikur në vend të këtyre mostrave të shëmtuara të ishin ndërtuar 700 mijë apartamente. Sepse, kaq ishte kosto e një bunkeri, sa kosto ndërtuese e një apartamenti banimi (një dhomë e guzhinë)! Përgjigjja teknike është se realiteti urban që ndeshim sot do ishte shumë i ndryshëm. Me një stok të tillë banesash, vështirë të ndërtohej një kërkesë për banesa në tregun e pas vitit 1992 aq e madhe sa të përmbyste për kaq keq situatën urbane në vend. Bile, nuk do kishim as këtë kryeministër, i cili bëri karierë politike i financuar pikërisht nga kjo ribërje urbane. Por kjo është një cështje tjetër dhe shumë e rëndësishme për tu trajtuar si komponent i këtij shkrimi të shkurtër, kështu që vazhdojmë më tej.
Thonë se bunkerizimi i Shqipërisë ishte një akt cmendurie nga paniku i diktatorit, por unë nuk i jap këtë kuptim. Diktatori dhe kasta komuniste ishin shumë të qartë për forcën ushtarake të dy superfuqive dhe aleatëve respektiv. Ai e dinte se mjaftonte një vëmendje minimale dhe fuqia e tij ushtarake shkërmoqej në mosqënie. Në tjetër drejtim e vendoste sigurinë e tij fizike dhe të vazhdimësisë së ushtrimit të pushtetit. E siguronte te indoktrinimi i masave injorante, të lëna të tilla në shumicë dërmuese. Bunkerizimi masiv i vendit, pas bërjes hasha të vëllezërve tradhtar sovjetik e më pas kinez, ishte faza e tretë e indoktrinimit të popullatës. Pas përfundimit të luftës, kasta e kishte qetësuar popullin me argumentin se përballë armiqve perëndimor ‘nuk ishin vetëm dy por dyqind milion’ duke përfshirë edhe protektorët rus. Më tej ‘vëllezërit kinez’ do ti mbronin kundër të gjithë botës, derisa edhe këta të tradhtonin dhe ti bashkoheshin botës imperialiste e revizioniste që qëndronte e trembur para tytëve të pushkëve që dilnin nga frëngjitë e bunkerëve tanë!
Kjo është vlera e vërtetë e bunkerizimit, mjetit të fundit të indoktrinimit masiv. Dhe nëse do të kërkonimi një vecori karakteristike të diktaturës shqiptare, ajo është pikërisht bunkerizimi, sepse vetëm pas kësaj, ne ishim plotësisht të vetëm dhe plotësisht të ndryshëm nga e gjithë bota. Ai është simboli specific i komunizmit shqiptar. I cili, ndryshe nga: festimi public dhe i detyruar i festave komuniste; përshëndetja me grushtin lart të fëmijëve të Përmetit; shfaqja e fotografisë së diktatorit pranë Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit; duartrokitjes së një grupi ministrash e politikanësh të urimeve për diktatorin; përkulja e një ministri përpara fotos së diktatorit apo parakalimeve më parulla komuniste në qëndrat e qyteteve, nuk ka nevojë as të fshihet apo mohoen në sytë e ndërkombëtarëve. Për ‘të fundit të bunkerëve’ kanë gjetur një argumentim artistik. E fshehin pas termit ‘vepër e artit urban’!
Por për cfarë? Cfarë e bën artistik këtë volum? Pamja vizive! Nuk besoj! Estetika apo simbolika e mardhënies së tunelit me bunkerin? Vështirë të thuhet, përsa njëra vjen nga neoklasicizmi fashist e tjetri nga realizmi socialist. Mirëpo, ajo që nuk mund të lihet pa thënë është se bunkeri qëndron si vraga më e shëmtuar në fytyrën e bukur të të vetmit ansambël të trashëgimisë ndërtimore të Tiranës. Pasi shkatëruan cdo bllok banimi të Tiranës për arsye përfitimi ekonomik, tashmë po dëmtojnë për përfitime politike. Sepse, është e kuptueshme se kush është arsyeja e vërtetë e ndërtimit të ‘të fundit të të bunkerëve’! Qeverisja e socialistëve të integruar apo të thjeshtë, po i shkel syrin me nënkuptim votuesve të tyre nostalgjik për kohën e komandantit. Është ky veprim dhe të tjerë që bëjnë sikur ‘nuk i kanë parë’, që ju lejon atyre të shtiren si antikomunist në sytë e ndërkombëtarëve apo të atyre shqiptarëve që besojnë vërtet në një reformim të punistëve shqiptar 25 vjet më parë.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017