Kurthi ku ka rënë PD-ja erdhi pikërisht prej parimeve të shitura! Liberale, 09. 08. 2021
Sikurse shqiptari politikisht më periferik e ka mësuar, Ambasadorja Kim, përdori një togfjalësh të shkëputur nga një parullë propogandistike të regjimit komunist në Shqipëri. Në deklaratën publike, të bërë pas një takimi me z. Basha, Ajo ndër të tjera do të theksonte se ‘Do të ishte një ironi historike dhe po aq tragjike nëse partia do të duhet të hajë bar për hatër të një deputeti të saj’. Kjo ngjarje ka hapur debat të gjerë publik në lidhje me marrdhënien midis SHBA dhe PD-s, por ky shkrim modest opinioni nuk është i interesuar për të. Ai është i interesuar për të ardhmen e PDs, dhe në këtë kuptim do tentojë të kuptojë çfarë ajo duhet të ndryshoj për më mirë.
Parrudha
origjinale ‘bar do hamë dhe parimet nuk i
shesim’, në kohën kur u përdor, kishte kuptimin praktik sipas të cilit
shqiptarët duhet të pranonin një cilësi jetese në kufinjtë e mjerimit por nuk
do të hiqnin dorë nga ‘uniteti i celiktë rreth Partisë’, ‘PPSh si forcë e vetme
udhëheqëse e shtetit dhe shoqërisë’, ‘lufta e klasave’, ‘centralizmi
demokratik’, ‘kolektivizmi mbi të drejtat e njeriut’, ‘planifikimi i
centralizuar’, dhe të tjera parime mbi të cilat ishte ngritur ideologjia e
partisë-shtet që kishte pengmarrë vendin. Me pak fjalë, parimet komuniste duhet
të mos shiteshin edhe pse gjendja e mjeruar politike dhe ekonomike vinte
pikërisht prej këtyre parimeve.
Kjo
është arsyeja pse shqiptarët e fillim viteve ’90-të, e shkarkuan të gjithë
urrejtjen te parrudha dhe jo te parimet. Ata besuan se ishte parrudha që i coi
në mjerim dhe jo parimet e regjimit. Ata nuk e dalluan dot ndryshimin e pasjes
së parimeve, me pasjen e parimeve të gabuara komuniste! Mbi këtë kuptim të
gjerë, shoqëria shqiptare ‘ndërtoi kapitalizmin’ e saj “pa parime”. Kështu
kujtonin shqiptarët, sepse asgjë nuk mund të ndërtohet pa parime. Sikurse na
thonë shumica dërmuese e politologëve, nisur nga mendimtari francez
Claude Destutt de Tracy, nuk ka
politikë pa ideologji dhe nuk ka ideologji pa parime. Në këtë kuptim të saj,
shoqëria shqiptare ndërtoi kapitalizmin, sipas modelit dhe parimeve që socializmi
45 vjeçar ja kishte përshkruar atë.
Nuk
do të doja të zgjatesha shumë, por është e kuptueshme se çfarë mostre del një sistem
politiko-ekonomik i ndërtuar mbi mënyrën sesi e percepton dhe shpjegon
filozofia që kërkon ta shkatërroj atë. Sikurse ‘arti i realizmit socialist’ na
e ka projektuar në mendjen tonë, në “kapitalizmin” e sotëm shqiptar ‘qeveria
punon për të pasurit dhe mban të shtypur masat popullore’, kurse ‘sistemi i
drejtësisë mban anën e të fuqishmëve që e kanë korruptuar atë’. Dhe këtu vijmë
te dy çështjet për të cilat ka interes ky shkrim: së pari, se në këtë realitet
të ndërtuar në 30 vite ka kontribuuar, në qeverisjet apo opozitat e saj, edhe
PD; dhe së dyti, se pikërisht këtu gjendet ‘guri i kthesës’ për të cilën ka
domosdoshmëri ndryshimi i PD-ës në të ardhmen.
Ishte
shitja që PD ju bëri parimeve mbi të cilat u frymëzua (si një parti antikomuniste
me thelb liberalizmin klasik), arsyeja pse ajo është kthyer në një fotokopje të
dale boje të PS-së. Pak e nga pak, me synim të vetëm ardhjen sa më të shpejt në
pushtet, Partia që mbështeti ndryshimet e forta shoqërore e politike të shqiptarëve,
shiti parimet për të mos ngrënë bar në opozitë. Kurse sot këmbëngul të vij në
pushtet -e të përforcoj zhvillimin e tregut të lirë dhe lirive politike të
shtetasve- duke u mbështetur në të njëjtat parime ideologjike kundështare.
Mirëpo, kjo nuk ndodh. Nuk mund të ndodh, sepse askush nuk është i interesuar
për fotokopjen kur ka origjinalin.
Loja
gjuhësore e sotme me fjalët e shkëputura nga kjo parullë e kohës së regjimit
komunist, nuk është një gjetje plotësisht e saktë. Vendosja e interesit të një
njeriu të vetëm mbi interesin e partisë (si një institucion politik i shoqërisë),
kur këto janë në kundështim të njëra-tjetrës, nuk është një parim liberalo-demokratik.
Ky veprim quhet ‘sundimi i Njëshit’. Ai ka qenë e mbetet një nga parimet
themelore të filozofisë politike kundër të cilës u krijua PD-ë, si dhe arsyeja
kryesore pse lindi ajo. Prandaj, që populli të mos ‘haj bar’ duhet që PD t’ju
kthehet parimeve mbi të cilat e krijua dhe të mos i shesi ato më. Sikurse ka
parime të këqia që i drejtojnë popujt ‘të han bar’, ka edhe parime të mira që i
drejtojnë ata në prosperitet, sepse ‘Freedom Works’.
This comment has been removed by a blog administrator.
ReplyDeleteThis comment has been removed by a blog administrator.
ReplyDelete