Dy fjalë mbi marrinën se në Shqipëri nuk ka të majtë! Liberale, 08. 03. 2021

 

Në Shqipërinë e tranzicionit nuk është korrupsioni problematika e parë, apo më së paku nuk është ai prodhuesi i ‘të gjithë të këqijave që gëzojmë sot’. Ai është pasoja më e dukshme dhe më e propoganduar e mendësisë socialiste që ka frymëzuar qeverisjet e tranzicionit, por kursesi shkaku. Shkaku është i qartë si drita e diellit për këdo që ka lexuar diçka mbi filozofitë politike. Ai është qasja etatiste dhe centralizuese e elitës partiake ndaj qeverisjes në këto vite tranzicion.

Kjo qasje nuk është shfaqur në zbrazëtirë të mendimit shoqëror. Akoma më pak, nuk ka ekzistuar një konflikt kuptimor mbi rrugën që duhet të ndiqte Shqipëria në këto vite, midis shoqërisë dhe elitës politike të vendit. Në këtë konteks, është e qartë, gjithashtu, se masa dërmuese e shoqërisë e kishin kuptuar demokracinë dhe kapitalizmin, si një rend shoqëror ku shteti të jep më shumë ‘gjëra falas’ se në socializëm. Fatkeqësisht, edhe sot shoqëria shqiptare ndan të njëjtin kuptim.

Elita politike në qeverisje, pavarësisht kush parti e ka ushtruar pushtetin qeverisës, nuk ka dashur ti zgjojë shqiptarët në gjumi. Sa më shumë, më gjatë dhe thellë të flenë shqiptarët aq më të lehtë e ka elita politike të realizojë ‘projektet e veta’ që janë shumë të ndryshme nga ato të shoqërisë; dhe akoma më të ndryshme se ato që duhet të ishin synimet e shqiptarëve në këto 30 vite.

Përsa kohë flenë, shqiptarët shohin të njëjtën ëndër. Ata presin që shteti në demokraci t’ju japi më shumë gjëra falas sesa shteti në socializëm; kurse faktin që kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në 30 vite, e justifikojnë me “argumentin” se politikanët që kanë drejtuar vendin kanë qenë të korruptuar. Medemek, sikur mos të ishin të korruptuar politikanët, sot Shqipëria do ishte njësoj si vendet europiane perëndimore, bile ato nordike, ku shteti ju jep aq shumë gjëra falas qytetarëve.

Këto rreshta nuk duan të thonë se në Shqipëri nuk ka korrupsion, se do ishte një marri po aq e madhe sa kjo për të cilën po flasim. Ato synojnë të shpjegojnë se korrupsioni galopant që shoqëron çdo aspekt të jetës shoqërore shqiptare, përfshirë dhe në mënyrë të veçantë atë qeverisëse, është pasojë e një shkaku tjetër më të madh. Është pasojë e filozofisë socialiste, kolektiviste e puniste, nëpërmjet të cilës është qeverisur vendi për këto 30 vite tranzicion.

Mirëpo, askush nuk ju’a thotë shqiptarëve këtë. Elita partiake nuk mundet, sepse kjo do të thotë që të zgjojnë shoqërinë nga gjumi letargjik. Nëse do ta bënin këtë, atyre do t’ju duhej të hiqnin dorë nga ‘projektet veta’ personale dhe të merreshin me projektet e shoqërisë. Kjo është arsyeja, pse gjithmon e më shumë dëgjohen premtime për ‘gjëra falas’ që do japi shteti në të ardhmen.

Njësoj si ‘firmat piramidale’ edhe partitë, ofrojnë “përqindje më të lartë fitimi” se konkurenca, ndërsa shoqëria flinte duke ëndëruar nëpër kafene e restorante. Sepse, këto premtime janë një lloj ninulle, apo një lëkundje e krevatit, që fëmija popull të kthehet në gjumin e thellë ku ishte, në ndonjë moment kur urija i zgjon. Kurse përradha më e preferuar që elitat partiake i tregojnë shoqërisë, është lufta e Gjergj Elez … (mbiemrin vendoseni vet) kundër Balozit ‘korrupsion’.

Mjerisht, kjo nuk qënka dyshemeja e të keqes, nuk qënka ‘më keq se kaq nuk ka ku të shkojë’. Paska, edhe më keq se kaq! Është marria që ‘në Shqipëri nuk paska të majtë’! Po na thonë se ky nivel socializmi nuk është i mjaftueshëm për Shqipërinë. Duhen më shumë përadha, ninulla dhe lëkundje krevati për këtë popull që fle i urritur. Më majtas se kaq është vetëm socializmi stalinist, që kemi përjetuar. Nëse e kanë fjalën për të, dakort, por të mos e bojatisin për ta shitur si të ri! 

Medemek, po ti japim elitës partiake në administrim më shumë prona publike, më shumë pushtet ndaj pronës dhe inisiativës private dhe më shumë para’ në buxhetin e shtetit nga paratë tona, ajo do të jetë më pak e korruptuar sesa ishte kur kishte më pak nga këto! Thojani fëmijës tuaj këtë dhe ai do tallet me ju. Kurse, majtistët e thonë pa problem fare, bile sikur po thonë gjënë më novatore ndonjëherë, megjithëse kolera socialiste kudo ku është provuar ka sjellë veç mjerim.

Diskursi se ‘në Shqipëri nuk ka të majtë’ është marrina më e madhe që mund të thuhet ndonjëherë. Në Shqipëri prej 77 vjetësh ka vetëm të majtë. Ajo mund të ketë ndryshuar diskursin apo formën, por thelbin e ka të njëjtë. Qoftë ai socializëm stalinist, demokratik apo nacionalist, ajo ofron grumbullimin dhe centralizimin e pushtetit politik dhe ekonomik në pak duar. Çfarë nuk mund të sjelli veçse korrupsion, krim e skllavërim politik; dhe mjerim social e ekonomik. 

Comments

  1. This comment has been removed by a blog administrator.

    ReplyDelete

Post a Comment

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017