ISHTE QEVERIA E MADHE QË PENGOI HARTIMIN E PLANEVE TERRITORIALE DHE URBANE! Liberale, 06. 05. 2019
(qeveri e madhe vs.
qeveri e limituar)
Qytetet e mëdha
shqiptare calojnë fort në elementin fizik të tyre, dhe kjo është lehtësisht e
dallueshme për të gjithë. Përtej bindjeve politike shumica dërmuese e
shqiptarëve e pranojnë këtë fakt lehtësisht të konstatueshëm në përditshmëri. Ata
jetojnë gjithmonë e më keq përshkak të qëndrave të tyre urbane, dhe kjo nuk
është një gjë e lokalizuar, e përkohëshme apo e rastësishme. Për këtë pasojë të
papranueshme, ka, jo vetëm shkaktar politik, por edhe arsye teknike.
Mirëpo, nëse nuk e
solli pronësia private mbi tokën urbane, cfarë e solli këtë shpërfytyrim të
qyteteve shqiptare në tranzicion? Përgjigjet teknike do ishin të shumta, por në
këtë shkrim të shkurtër të opinionit, do të fokusohemi te planifikimi
territorial dhe urban. Ishte zhvillimi i pa-paraprirë nga planifikimi i
mëparshëm që prodhoi këtë dëmtim të dimensionit urban dhe territorial të
Shqipërisë në tranzicion. Qeverisjet (qëndrore dhe vendore) nuk arritën të sigurojnë
produkte planifikimi, sipas nivelit të tyre dhe në përputhje me funksioneve të
veta qeverisëse. E thënë thjeshtë, Shqipërisë së zhvillimit të shpejtë ekonomik,
politik, social, kulturor, demografik, dhe në këtë kuptim edhe ndërtimor, si
pasojë e shkëputjes nga thonjtë e socializmit të planifikimit qëndror; i
munguan për 25 vjet planet territoriale dhe urbane, që do ta orientonin drejt
zhvillimit të zgjuar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm këtë zhvillim të
shpejtë.
Për të testuar
vërtetësinë e këtij pohimi mjafton të dijmë se i fundit Plan i Përgjithshëm
Territorial (Plan Rregullues) i Kryeqytetit
është miratuar nga qeveria socialiste e z. Adil Carcani në 1990-të dhe
është shfuqizuar 20 vjet më pas, për arsye të vlefshmërisë kohore të tij!
Përtej shfaqjeve propogandistike të partive dhe kryebashkiakëve, as sot e kësaj
dite Tirana nuk ka një Plan Territorial të Përgjithsëm prej vërteti. Që do të
thotë se, nuk ka një Plan që ti paraprijë një zhvillimi gjithëpërfshirës, të
zgjuar dhe qëndrueshëm të saj. Situatë e ngjashme, për planifikimin e
përgjithshëm territorial, është për të gjitha qytetet kryesore shqiptare, për
të mos folur për studimet pjesore; apo planet Kombëtare të qeversisë qëndrore
për infrastrukturat kombëtare!
Mirëpo, ka edhe një të
vërtetë tjetër po kaq të vlefshme sa e para, mungesa e Planeve nuk erdhi si
konseguencë e mungesës së institucioneve qeverisëse apo të parave publike. Dhjetëra
miliona euro e dollarë të taksapaguesve shqiptar, europian apo amerikan janë
shpenzuar: në mbajtje institucionesh e agjensish shtetërore me detyra dhe
funksione specifike për ti bërë këto plane; në tendera e konkurse kombëtare apo
ndërkombëtare me synim hartimin e këtyre planeve! Në 20 vitet e fundit kemi tre
plane të financuara për Tiranën; Plani Rama, Plani Basha dhe së fundi Plani
Veliaj. Të pakta janë qytetet të cilat kanë përfituar financim vetëm për
hartimin e një Plani territorial, më të shumta se këto, janë qytetet që kanë më
shumë se dy herë financime për plane. Për hapsirën Tiranë-Durrës janë bërë dy herë
shpenzime publike me synim hartimin e studimeve territoriale e hapsinore.
Zonave
turistike bregdetare, nga Velipoja e Shkodrës te Ksamili i Sarandës ju është financuar
nga një deri në tre herë Masterplani. Zona VIP turstike, nga gjiri i Vlorës në
kepin e Stillos, ka thithur tre herë financime nga institucionet ndërkombëtare.
Mund të listoja edhe të
tjera, por edhe me kaq është e qartë se institucionet kanë ekzistuar dhe shpenzimet
publike nuk kanë munguar, dhe në këtë kuptim, dështimi në planifikim nuk ka
ardhur nga mungesa e shtetit, por nga qeveria e madhe. E cila i lejon vetes të
mbajë institucione inekzistente dhe të shpërdorojë paratë publike të
shqiptarëve dhe bujarinë e ndërkombëtarëve, pa asnjë produkt të vlefshëm. Në të
kundërt, ajo që i lipsej Shqipërisë, ishte një kulturë shumë e ndryshme. Asaj i
duhej një sistem legjislativ në përputhje me parimet europiane të qeverisë së
mirë urbane, dhe një kaskadë procesesh kuvenduese e demokratike planifikimi.
Asaj i nevojitej një ligj që ndan në mënyrë të qartë funksionet e planifikimit
dhe kontrollit të zhvillimit territorial, midis niveleve të qeverisjes; një ligj
që detyron hartimin e hirerkisë së planeve përpara se të lejohet zhvillimi; një
ligj që mundëson koordinimin dhe bashkërendimin e instrumentave të planifikimit
vendor, rajonal dhe kombëtar; një ligj që detyron procese kuvenduese e gjithëpërfshirëse
të grupeve të interesit përgjatë hartimit dhe miratimit të këtyre
instrumentave.
Këto mund ti bëj vetëm
një qeverisje e djathtë, e cila pozicionohet diametrikisht në të kundërt me një
qeverisje të madhe, sepse vetëm ajo respekton të drejtat themelore të
individit, nuk shpërdoron taksat e qytetarëve dhe nuk i lejon vetes të shtrij
ndërhyrjen e kontrollin e saj përtej nevojës së përbashkët të individëve në shoqëri.
Kurse një qeverisje e madhe, një qeverisje socialiste, nuk ka kohë as për këto
‘brockullat individualiste të fokusuara te
të drejtat e individit’ dhe as të presi shkencën e teknikën të bëj punën e
saj, sepse nxiton të ndërtojë ‘parajsën
socialiste’ nëpërmjet ‘edukimit të
shoqërisë dhe transformimit fondamental dhe vendit’!
Comments
Post a Comment