KU GABOJNË PETICIONISTËT E ARTIT SKENIK! Mapo, 02. 08. 2018
Për herë të parë në 15 vjet aktivitet publik
të z. Veliaj, unë dakortësova me të kur ky deklaroi se cështja e teatrit i ndau
artistët në dy grupe. Megjithëse synimi i këtyre fjalëve të z. Veliaj ishte
reklamimi i një peticioni që 54 artistë i kishin dërguar Presidentit,
Kryeministrit, atij vetë dhe dy prej institucioneve ndërkombëtare më të
rëndësishme në vend, konstatimi ishte real. Cështja e godinës së Teatrit,
vërtetë, i përcau artistët në dy grupe: në grupin që kërkon prishjen e tij të menjëhershme,
gjë që ja kërkuan me forcë edhe Presidentit dhe ndërkombëtarëve; dhe grupit që,
të tretur tashmë në masën elitare të Tiranës, po lufton në mbrojtje të kësaj godine
historike.
Mirëpo, që ky fakt i
pamohueshëm nga askush të sjelli dobi, duhet lexuar në konteksin e tij
specifik. Është e vërtetë se ndryshe nga 20 vjet më parë, kur artistët ishin të
bashkuar kundër prishjes së Teatrit, sot janë të përcarë. Por është,
gjithashtu, e vërtetë se ndryshe nga 40 vjet më parë, kur artistët ishin të
unifikuar ti shërbenin diktaturës nëpërmjet manipulimit të masave për
mrekullinë socialiste, sot gjithashtu nuk janë në të njëjtën barrikadë. Sot, jo
të gjithë ata janë në shërbim të shoqërisë për të mbrojtur godinën që po
shkruan fatin e demokracisë; por, gjithashtu, jo të gjithë ata janë në shërbim
të kastës për të konsoliduar një oligarki autokratike në vend.
Është ky sqarim
minimalist që na drejton të kuptojmë se dicka e rëndë po ndodh me demokracinë shqiptare,
dhe peticioni i 54 artistëve është një sinjal i fortë për këtë. Ai është aq i
palogjikshëm në vetvete, sa është praktikisht e pamundur ta konsiderosh si komponent
që synon të kontribuojë në zgjidhjen e këtij konflikti. Është plotësisht e
kuptueshme që 54 artistët kërkojnë një godinë të re për të ushtruar aktivitetin
e tyre; dhe është po kaq e vlefshme kërkesa që godina e re duhet të ndërtohet sa
më shpejt, porse, nuk bën asnjë kuptim insistimi i tyre ultimativ ndaj
Presidentit dhe ndërkombëtarëve që u dashka ‘të prishet Teatri ekzistues’ që të mund ndërtohet Teatri i Ri!
Pse u dashka prishur
dicka për të ndërtuar dicka tjetër?! Kush është lidhja shkak-pasojë për të
cilën duhet të prishim godinën historike për të ndërtuar një godinë të re?!
Kush mund ta shpalli këtë?! Ne, urbanistët dhe arkitektët, jo! Edhe pse
pranojmë dëmet që i kemi lejuar qyteteve tona, kurrësesi nuk mund ti shtojmë
edhe këtë krim. Godina e Teatrit Kombëtar është element i një uniteti urban të
pandashëm; një entitet arkitektonik unikal për historinë e arkitekturës; një
identitet i konceptuar nga produkte ndërtimore eksperimetale. Dhe secila nga këto
është një arsye e vetmjaftueshme, pse në vlerësimin e cdo arkitekti dhe
urbanisti kjo godinë nuk duhet prekur.
Nëse e shikojmë me
qetësi, e gjithë cështja e prishjes së godinës së Teatrit dhe ndërtimit të kullave
është një cështje që i përket urbanistikës. Përfshihen në të, pronësia e
qeverisë qëndrore mbi një godinë, pronësia e qeverisë vendore mbi një trual,
dhe disa milion euro të sipërmarrjes private, të cilat do të përzihen për të riformuar
një stituatë tjetër urbane e pronësore, por gjithësesi është një vendimarrje që
inicion me ribërjen e qytetit. Prandaj së pari duhet të flasi urbanistika, dhe
urbanistika bashkëkohore flet me Plane të hartuara e miratuara në procese demokratike
të moderuara nga urbanistë dhe me pjesmarrjen e të gjithë palëve të
interesuara.
Është kjo aksiomë që na
bën të kuptojmë se 54 artistët janë jo vetëm të palogjikshëm në kërkesën për të
ndërtuar një teatër të ri mbi gërmadhat e teatrit historik, por edhe jashtë
kohëve për të kërkuar një godinë të re në vetvete. Vetëm një vit më parë u
miratua Plani i Përgjithshëm Vendor ‘Tirana 2030’, dhe këtë nevojë ekstreme për
‘ti dhënë Tiranës dhe Shqipërisë Teatrin
Kombëtar të së ardhmes’ duhet ta kishin prezantuar atje. Ashtu sikurse u
bënë bashkë sot, hartuan dhe nënshkruan një peticion për këtë nevojë, ashtu
edhe dy vjet më parë duhet ta kishin shfaqur si domosdoshmëri në proceset e
hartimit të këtij instrumenti të zhvillimit urban të së ardhmes.
Peticionistët janë në
gabim me këtë peticion që duhet ta drejtojnë në të tjera vende dhe me të tjera
kërkesa. Së pari duhet ti drejtohen vetes, për të kuptuar se asgjë e së ardhmes
nuk mund të ngadhnjoj mbi themelet e trashëgimnisë së shkatërruar, dhe për të
pranuar se qyteti i tyre është kështu si është, edhe për shkak të tyre. Së dyti
Ministrisë së Kulturës, që kjo të kuptoj se nuk ka kërkesë më imediate për
kulturën kombëtare se financimi publik i ndërtimit të një Teatri të ri. Dhe së
fundi duhet ti drejtohen Bashkisë Tiranë, që ajo të kuptojnë nevojën e hartimit
të Planit Urban -nga qytetarët dhe për qytetarët- ku të gjejë vend edhe ‘Teatri Kombëtar i së ardhmes’.
Comments
Post a Comment