KORSITË E BICIKLETAVE, NJË TJETËR MEDALJE NDËRKOMBËTARE PËR VELIAJN! Mapo, 31. 09. 2018
Një nga djemtë më simpatik të një qyteze të
vogël u kthye nga studimet jashtë shteti sëbashku më gruan e tij, të renë nga
vendi ku ai kishte studjuar, e cila për shkak të dashurisë kishte pranuar të braktiste
të mirat, bollëkun, dhe modernitetin e vendit të saj të madh për të vijuar
jetën në një qytezë të vogël dhe periferike, të një vendi të vogël dhe
periferik. Familja e djalit, që ishte një ndër më të pasurat e më të
kulturuarat e qytezës, por gjithësesi shumë larg modelit të familjes së saj,
mezi po priste që djali të kthehej në atdhe së bashku me dy trofetë e tij,
diplomën dhe gruan e huaj. Në fakt, gjithë qyteza mezi po priste, por zhgënjimi
nuk vonoi! U zhgënjye familja e djalit, u zhgënjye qyteza, por u mërzit edhe burri
nga zhgënjimi i përgjithshëm. Gruaja e shqetësuar se mos i shoqi ishte zhgënjyer
nga martesa, e pyeti; buzëqeshi me përgjigjen; dhe morri përsipër zgjidhjen e “problemit”.
U deshën pak ditë, dhe gjithë qyteza nuk ja ndante më sytë të huajës.
Zhgënjimi i qytezës, që
ishte edhe arsyeja e mërzitisë së burrit, qëndronte te fakti se gruaja e huaj
nuk ngjante aspak me ‘gratë e jashtme’! Këtë e kuptoi zonja e re, dhe nxorri
nga valixhja pikërisht ato veshje dhe aksesorë që kishte menduar se nuk do ti përdorte
kurrë. Shoqëruar me tualet të rëndë ato e konvertuan në një zonjë nga ato të
ballove të shekullit të 16-të, por gjithashtu tërhoqën te ajo gjithë interesin
e njerëzisë. Ata nuk kishin ujë rrjeti; nuk kishin ndricim elektrik; nuk kishin
rrjet të largimit të ujrave të ndotur dhe përmbyteshin sa herë binte shi; porse
asgjë nuk kishte vlerë përpara faktit se edhe në qytezën e tyre kishte ‘gra të
jashtme’. Qyteza, më në fund, ishte e lumtur sepse edhe ajo po bëhej njësoj si
të gjitha qytetet e moderne të botës. As zonja nuk u shqetësua fare që qyteza
nuk kishte teatër, kinema dhe nuk organizonte ballo - dhe në këtë kuptim ato
veshje ishin të gabuara - përderisa ishin pikërisht këto veshje që ja zgjidhën “hallin”.
Kjo histori e ngjarë
njëqind vjet më parë, që ma tregonin në fëmijëri për të ngulitur te unë
prioritetin e brendisë mbi pamjen, vlen edhe për Tiranën e sotme. Edhe banorët
e sotëm të gjithështrirjes ndërtimore Tiranë - që nuk e kuptoj pse e quajnë
qytet - tolerojnë “magjistarin” e radhës, t’jua bëj qytetin si jashtë shtetit pa
e vrarë mendjen për dobishmërinë konkrete të gjërave! Pavarësisht se jetojnë në
fjetore të kithta dhe me një pafundësi mungesash e disbalancash, banorët e sotëm
të qytezës së djeshme, nuk kanë asgjë për të kundështuar nga projekti poetik
për të përgjysmuar gjerësinë asfaltike të rrugëve kryesore të Tiranës! Për ta
mjafton që fjetorja e tyre “njësoj” si qytetet e mëdha perëndimore do të ketë korsi
të dedikuar bicikletash. Mirëpo shtatori, së bashku me domosdoshmërinë
racionale të lëvizshmërisë urbane, po vjen, dhe kënaqësia për tu dukur si
jashtë shtetit do ti lërë vendin vuajtjeve të përditshme në trafikun e agravuar
të qytetit.
Në fakt ky është gjithë
thelbi i këtij ekuacioni menaxhues, dhe pikërisht për ti dhënë përgjigje këtyre
pyetjeve janë zhvilluar teknikat e urbanistikës. Është shumë e thjeshtë të
thuhet se lëvizja bicikliste sjell shumë të mira për qytetarët dhe qytetin, por
thelbi është si të gjesh mënyrat dhe rrugët që lehtësimi i kësaj alternative të
lëvizjes të mos vështirësoj alternativat e tjera. Të shtosh problemet dhe
disbalancat në qytet duke vështirësuar praktikat e përditshme të lëvizshmërisë
qytetare nuk mund të justifikohet nga asnjë përfitim imagjinar. Duhet të
kuptojmë, dhe ta bëjmë sa më shpejt, se synimi final i administrimit lokal
është përmirësimi i cilësisë urbane të jetesës së qytetarëve, jo krijimi në
mendjen e një pjese prej tyre të imazheve të rreme se ‘Tirana po bëhet si
jashtë shtetit’! Imaxhet e rreme janë gënjeshtëra të bukura që veniten sapo të
vërtetat e shëmtuara bëhen prezente në jetën reale, dhe korsitë e bicikletave
do na zhgënjejnë që këtë fillim shtatori.
Lehtësimi i lëvizjes
bicikliste, dhe në këtë kuptim shtimi i numrit të qytetarëve që e përdorin këtë
lloj transporti qytetas, mund të suksesojë vetëm nëpërmjet një procesi të gjatë
për implementimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të qytetit. Por edhe ky
proces duhet të mbështetet në tre kushtëzime thelbësore: së pari, procesi duhet
të jetë aq i gjatë sa të shkoj paralel me kohën që kulturalisht qytetarët të
përvetësojnë gjerësisht këtë mënyrë lëvizjeje; së dyti, Plani duhet të jetë
hartuar duke përfshirë të gjitha mënyrat alternative të lëvizshmërisë urbane dhe
jo vetëm atë bicikliste; dhe së fundi, Plani duhet të projektojë një Tiranë
policentrike, me theksin te rrjetet e transportit dhe blloqet mikse urbane. Cdo
mënyrë tjetër, vecanërisht rruga që ka zgjedhur administrata e sotme, mund të
prodhoj vetëm dështim për synimin dhe zhgënjim e vuajtje për qytetarët, ose në
rastin më të mirë, ndonjë medalje ndërkombëtare për kryebashkiakun Veliaj.
Comments
Post a Comment