VELIAJ DHE DEKORATAT GLOBALE. Mapo, 19. 03. 2018
Një shkrim i autores Laura Laker botuar këto
ditë në gazetën britanike ‘The Guardian’, tërhoqi vëmendjen time. Ajo që më
provokoi habi te unë, nuk ishte përfshirja e një qyteti si Tirana në një shkrim
të prestigjozes Britanike që po mbush dy shekuj jetë. Ishte fakti, se në pjesët
ku flistej për qytetet e Rotterdamit, Vancouverit, Lexingtonit dhe Bogotas autorja
transmetonte fjalët e saj, ndërsa në pjesën për Tiranën i referohej apo mbështetej
në citime të z. Veliaj! Dhe nga kjo, sipas interpretimit tim modest, duhet të
kuptojmë se autorja ngarkonte veten me përgjegjësi publike vetëm mbi
vërtetësinë e informacionit për katër qytetet e tjera, por jo për Tiranën urbane.
Sidoqoftë, ne nuk jemi të interesuar për marrdhënien e besimit midis autores,
gazetës dhe lexuesve britanike, por për vlerën e punëve të administatës Veliaj.
Si një shembull emblematik, shkrimi në ‘The Guardian’, koicidon në kohën e
duhur për të prezantuar grupin e tretë të tyre.
Punët e ‘njeriut që punon’ të tipi të tretë përfshijnë
projekte të tilla si: bërjen me pagesë të qeseve plastike për blerje; pyllin
orbital; shkollat me ushqim; autobusët me bateri, e të tjera si këto që synojnë
‘dekoratat globale’. Ato kanë pak lidhje me gjendjen e Tiranës urbane dhe
nevojat prioritare të saj, por synojnë të tërheqin vemëndjen e shtypit perëndimor
mbi ‘mrekullinë e transformimit të Tiranës’. Ky fenomen origjinalizon prej keqkuptimit
më bazik që kemi toleruar, sipas të cilit Tirana ka të njëjtat probleme me
qytetet perëndimore dhe në procesin e “modernizimit” të mëtejshëm duhet të
ndërmarri projekte zbukuruese! Në kohën kur Tirana nuk është akoma qytet, ne lejojmë
që administrata të financojë të ngjashme me projektet e luksit të qyteteve
perëndimore! Mbi këtë keqkuptim, të ndërtuar në vite nga diskursi demagogjik i
elitës teknike e politike, z. Veliaj po i mundëson vetes pjesmarrje në gara globale
me temë qytetin.
Vetëm si garues në të tilla evente z. Veliaj mund
të shfaqet nëpër gazeta e revista ndërkombëtare, që më pas këto bëma ti përdori
për të “argumentuar” se jo vetëm njerëzit e thjeshtë që shastisen nga daljet e
tij të përditshme nëpër TV, por edhe të jashtëmit mrekullohen nga Tirana urbane
nën drejtimin e tij. Mirëpo në të tilla gara, ku konkurohet me projekte rivitalizuese
e përmirësuese të aspekteve ekzistuese të qytetit (të konsoliduar tashmë) për
ta ngritur jetesën urbane në një nivel më të lartë, askush nuk mund të garojë
me projektet reale që i duhen Tiranës. Sepse Tirana ka nevojë për ndërhyrje
rregulluese të nivelit të mbijetesës, që ta tranzitojnë atë nga një grumbull
godinash ku flihet në një qytet ku jetohet. Të tilla synime, qytetet
perëndimore ose nuk i kanë ndeshur kurrë për shkak të dinamikave të zhvillimit të
tyre, ose i kanë ekuilibruar dekada më parë kur ju janë shfaqur, ose janë duke
i trajtuar si element të ribërjes së vazhdueshme të qytetit.
Ata investohen në realitetet e tyre, sikurse
do ishte mirë që edhe ne të ndjekim nevojat dhe mungesat tona. Ëndrat janë të
bukura, por jo ato që të nxjerrin lakuriq në diell. Prandaj, përpara se të bëjmë
pyllin orbital, duhet të zhvillojmë rrjetin e terreneve të gjelbëruara të zonës
së banimit, nga lulishtet e grupit të banimit te parqet e qytetit. Përpara se të
bëjmë shkolla me ushqim, duhet të ndërtojmë institucionet arsimore që mungojnë,
në përputhje me kërkesat teknike të njësive urbane. Përpara autobusëve me
bateri, na duhen autobusë që qytetarët kanë mundësi ti përballojnë, dhe nuk shtypen
si sardele. Përpara se të bëjmë bulevarde me korsi për bicikleta, duhet të
bëjmë blloqe që lejojnë lëvizjen e sigurt të këmbësoreve e biciklistëve.
Përpara se të ndërtojmë hiper-këmbësoren Skënderbej, duhet të bëjmë sheshe në
cdo bllok banimi, ndërsa me paratë e shpërdoruara për të, të ndërtojmë Stadium
dhe Teatër Kombëtar pa kulla mbi krye.
Vetëm nëse sot ndërmarrim nga këto projekte, dhe
të ngjashme me to, por në harmoni dhe në zbatim të prioriteteve të përcaktuara
nga seti i planeve urbane, Tirana ka shanse që pas disa dekadash të ketë
problemet që përballojnë sot qytetet perëndimore. Kjo është rruga! Fatkeqësisht
e vetmja rrugë racionale për ta kthyer këtë kithtësirë asfalti, betoni, metali,
plastike, xhami, në një qytet ku jetohet me dinjitet. Mirëpo, kryebashkiaku
jonë duket se nuk e ka qëllim Tiranën urbane! Për të, ajo është thjesht një mjet
drejt postit të kryetarit të partisë dhe kryeministrit të vendit. Këto janë
qëllimet e tij private, që i synon nga karrigja kryebashkiake dhe i financon me
paratë publike. Prandaj ‘Tirana e tij’ është një histori Hirusheje që botohet
në gazetat dhe revistat perëndimore. Në të njëjtën kohë, i njëjti qytet, ‘Tirana
e publikut’, trashëgon nga e kaluara dhe tranziton nëpër të sotmen drejt të
ardhmes, problemet dhe disbalancat e një qyteti të sëmurë!
Comments
Post a Comment