RISHPËRNDARJE TË POPULLSISË NË TERRITOR NGA QASJA VENDORE! Mapo, 09. 03. 2018
Jo shumë kohë më parë u gjenda në një debat televiziv
mbi Kullat e Tiranës me numrin dy të Bashkisë, z. Mazniku. Dy ishin bindjet që mu
ngulitën: përball tij ishte e pamundur të shtjelloje ndonjë tezë apo argument;
dhe se administrata e bashkisë nuk kishte njohuritë bazike mbi cfarë është, dhe
për cfarë shërben planifikimi territorial. E ngatëronin me legalizimin e
trendit rastësor të lëvizjes demografike. Edhe lejimin e ndërtimit të Kullave e
justifikonin si përgjigje ndaj ardhjes së banorëve të rinj (rritjes mekanike të
popullsisë). Totalisht në të kundërt, detyra e parë e kësaj shkence të aplikuar
është të përcaktojë kapacitin (popullsinë) mbajtës të territorit vendor në
studim, dhe të gjejë mënyrat (politikat publike) që ky kapacitet të
respektohet. Mbajtja e një balance në shpërndarjen e popullsisë nëpër
territorin kombëtar, në fakt, është një detyrë primare e qeverisë qëndrore,
porse edhe qeverisja vendore mund të bëj shumë për këtë synim kombëtar.
Gjë për të cilën modestisht do të flasim në këtë
shkrim të opinionit, nisur nga qëndrimi i domosdoshëm politik që, asnjë njësi
vendore qeverisëse të mos i lejoj vetes të vendimarri për zhvillim (të japi
leje ndërtimi) pa miratuar më parë një set hirearkik instrumentash planifikimi.
Si për shumëcka në cështjet urbane, edhe për këtë synim është bazik pasja e
këtij seti dokumentesh politike dhe teknike që mundësojnë njohjen e gjëndjes
ekzistuese urbane, synimin se si duam ta bëjmë qytetin dhe rrugët që duhet të
ndjekim për të shkuar atje ku duam të mbërrijmë. Në të kundërt, edhe në
civilizimet shumë më të avancuara, qyteti kthehet në arenë kaosi ku gjithmon
fitojnë gladiatorët më të përgatitur. Interesat speciale të individëve të
fuqishëm dhe vendimarrja qeverisëse e korruptuar për ti preferuar ato, përvec
dëmeve të tjera urbane, shërbëjnë për ti evoluar qytetet shqiptare në dy
tipologji diametrikisht të kundërta, hiperqytete dhe miniqytete!
Armatosja e qeverisjes vendore me politika, plane
dhe rregullore të zhvillimit territorial shërben jo vetëm për të triumfuar mbi
këtë dukuri shumë të dëmshme kombëtare, por edhe për të fituar betejën
ekonomike. Sepse planifikimi i zhvillimit territorial shërben edhe për të
orientuar (tërhequr) paratë private drejt ekonomive të duhura dhe që punësojnë.
Të shoqëruar me politika të taksimit vendor të ndërmarra nga administrat lokale
sipas specifikës së njësisë vendore, planifikimi orientues shërben për ta bërë
qytetin e vogël më të lakmueshëm. Është e kuptueshme se investimi në një qytet
të vogël: ku burimet natyrore janë të pazhvilluara; planet territoriale të
orientojnë drejt mundësive; dhe sistemi i taksimit të favorizon, është shumë më
i preferuar për investitorët, por edhe hap vende të reja pune. Janë vendet e
reja të punës, më tej, që tërheqin banorë të rinj, dhe janë banorët e rinj dhe
kontributi i tyre që e fusin qytetin në një cikël ribërjeje.
Nga ana tjetër,
planifikimi territorial i mbështetur mbi kapacitete tavane mbajtëse urbane dhe i
shoqëruar nga politika të rrepta taksimi vendor e bëjnë qytetin e madh më të
papëlqyer nga qytetarët për të jetuar. Nëse i shtojmë këtu shumë dukuri dhe vecori
negative urbane dhe sociale që karakterizojnë qytetet e mëdha, si; mbitrafiku dhe ndotja që e shoqëron atë; kostot dhe cmimet
e larta të banesave, arsimit, shëndetsisë dhe mallrave e shërbimeve; vështirësi
arritje dhe konkurencë e lartë në punësim, qytetet e mëdha kthehen shpejt në të
keqjetueshme për banorët ekzistues dhe synime fatale për banorët aspirant. Si
rrjedhim, liria dhe racionaliteti njerëzor i pandikuar nga spekullimi i elitës
(politike dhe ekonomike) prodhon individë dhe familje të përgjegjshme, të cilat
largohen nga qytetet e mëdha në kërkim të jetës më të mirë në qytetet e vogla,
atje ku cilësia e jetës urbane është më e shëndetshme dhe punësimi arrihet më
lehtë.
Administratat lokale mund të kontribuojnë
shumë në rishpërndarjen e popullsisë edhe në aspektet e menaxhimit urban.
Procedura lokale të diferencuara midis njësive vendore, për aktivitetin e
pajisjes me një leje ndërtimi mund të shërbejnë për inkurajimin apo
disinkurajimin e investimeve në ndërtimin e banesave të reja. Më tej, vet dëmet
urbane që kanë pësuar qytetet nga koncentrimi i popullsisë nëpër qëndrat e
mëdha urbane mund të përdoren për të kundërtën. Shumë banesa në qytetet e vogla
sot gjenden të braktisura nga pronarët që kanë imigruar dhe me incentivat e
duhura mund të rifuten në treg me cmime shumë të ulta, duke u kthyer në tërheqëse
për banorë të rinj në qytetet e vogla. Shumë potenciale lokale ekzistojnë, por
si fillim na duhen administrata lokale që kuptojnë cfarë armësh të fuqishme
kanë në dorë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të vet! Sepse që të bien këmbanat
për së pari duhet që qyteteti të ketë këmbana, nëse jo, nuk bien!
Comments
Post a Comment