NJË LIGJ PËR STREHIMIN SOCIAL DHE TRE KEQKUPTIME QEVERISËSE! Mapo, 30. 03. 2018
Vitin e pestë të
qeverisjes Rama, ekipi rilindas u kujtua edhe për familjet që nuk kanë
mundësinë financiare ti drejtohen tregut të shit-blerjes së banesave. Edhe
kësaj radhe, sikurse shpesh në këto vite, për ti dhënë përgjigje shteruese
këtij fenomeni shoqëror rilindasit ju drejtuan instrumentit të ‘reformimit nga
niveli qëndror qeverisës’. Dhe zgjodhën një nga dy mënyrat e vetme që ata njohin,
hartuan një ligj të ri për të ndihmuar me paratë publike këtë shtresë të
popullsisë. Socialistët e rilindur nuk hartuan politika kombëtare, impakti i të
cilave të rriste aftësitë paguese të qytetarëve për tu përfshirë në tregun
ekzistues të banesave, sepse për të majtët është e pamundur të kuptojnë rrugë të
tilla. Ata nuk e trajtuan as me mënyrën më komune të të majtës, planifikimin
dhe alokimin e më shumë parave publike për përballuar këtë ndihmë që shteti u
jep qytetarëve në nevojë. Jo, ata thjeshtë u mjaftuan me rishkrimin e një
draftligji për këtë cështje.
Për brendinë e
dispozitave të ligjit dhe akteve nënligjore të shumta që përcakton ky ligj për
tu hartuar në të ardhmen, dhe efikasitetin e mënyrave që parashikojnë ato për
të adresuar këtë hall të madh shoqëror, ne do flasim herë të tjera. Sepse, cështja
e strehimit në përgjithësi (përballimi i një banese) dhe e strehimit social në
vecanti (ndihma e shtetit për të përballuar një banesë) jo vetëm ndikojnë në ekonomitë
familjare, por kanë një domethënie të rëndësishme edhe për ekonominë kombëtare.
Implikimi në cështjet mjedisore, kulturore dhe sociale është një nga
karakteristikat thelbësore të aktiviteteve private apo publike të strehimit.
Por, për së pari këto aktivitete janë pjata e parë e funksionit qeverisës të
zhvillimit territorial dhe urban, dhe nuk mund të trajtohen të ndara nga ky aktivitet.
Këtë nuk kupton dot administrata teknike dhe politike e qeverisë së Rilindjes,
dhe për këtë do flasim në këtë shkrim të shkurtër të opinionit.
E para gjë që duhet të
kuptojë administrata rilindase, është fakti se në një vend të hapur ndaj
ekonomisë së tregut të lirë, nuk mund të ketë dy tregje për të njëjtën produkt
(banesë). Pra, nuk mund të ketë një treg që ndërton dhe shpërndan banesa për
familjet në nevojë, dhe një treg tjetër që ndërton dhe tregton sipas aksiomës
‘ofertë-kërkesë’. Nuk mund të ketë, sepse së pari pengon përmbylljen e udhëtimit
drejt kapitalizmit, dhe së dyti, c’ka është më e rëndësishmja për këtë shkrim,
nuk lejon që paratë publike të arrijnë familjet që kanë vërtet nevojë për
ndihmën e shoqërisë. Sikurse e vërteton plotësisht realiteti shqiptar i këtyre
25 viteve, ato ose humbasin në labirinthet e tenderave publik për ndërtim, ose lumturojnë
pushtetarët me një shtëpi të dytë në plazh, ose shantazhojnë vullnet e votuesve
në zgjedhje. Prandaj tregu duhet të jetë një, dhe ‘shteti’ si një nga aktorët
në këtë treg të favorizoj familjet në nevojë nëpërmjet pronësive të tij.
Një tjetër gjë që duhet
të pranojë, e njëjta administratë qëndrore, është se për cështjen e strehimit
social me konceptin ‘shtet’ duhet të nënkuptojë pushtetin lokal. Njësitë e
qeverisjes vendore në Shqipëri, kanë aq shumë diferenca dhe ndryshime të
karakteristikave administrative, ekonomike, kulturore, sociale dhe urbane mes
tyre, saqë trajtimi me të njëjtat mënyra (target grupe dhe programe), të
detyruara nga qeveria qëndrore, minimzon mundësitë konkrete që ndihma të shkoj
te grupet reale në nevojë. Në të kundërt, fushëveprimi i qeverisë qëndrore
duhet të limitohet në hartimin e një ligji që përcakton nivelin e përgjegjësisë
së shtetit në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara prej saj,
implementimin e politikave kombëtare për lehtësimin e aksesit të gjerë të
familjeve në tregun privat të banesave, decentralizim real të këtij funksioni
qeverisës, dhe financiar që ti mundësoj pushtetit vendor përballjen me nevojat
për strehim social.
E fundit gjë që duhet
kuptuar e pranuar, kësaj radhe nga administratat lokale, është se këtë barrë të
rëndë shoqërore u takon atyre ta mbajnë. Kuptuar e pranuar këtë aksiomë qeverisëse
duhet ti kthehen planifikimit territorial; projektimit urban; menaxhimit urban
dhe të pronave; dhe vecanërish administrimit të pronësive publike në proceset e
rizhvillimit të pjesëve të qytetit, për të siguruar banesa në pronësi publike. Nëpërmjet
këtij stoku banesash publike, të krijuar nëpërmjet të vetmit treg, administratat
lokale mund të përballen me nevojat e të pastrehëve të qytetit. Pjesa tjetër
është thjeshtë procedure administrative. Se kush janë familjet më në nevojë për
ndihmë nuk e përcakton një draftligj i qeverisë qëndrore. Ata janë të
përzgjedhur nga gjendja faktike (aftësia paguese dhe kushtet e strehimit), dhe
të gjitha këto të dhëna zyrtare gjënden në databazën e secilës njësi
administrative lokale dhe janë lehtësisht e saktësisht të verifikueshme.
Comments
Post a Comment