VELIAJ DHE POPULIZMI LEGALIZUES. Mapo, 07. 02. 2018
‘Dielli shikohet që në mëngjes’ thotë populli,
mirëpo kryebashkiaku i Tiranës, z. Veliaj, duket se parapëlqen një shprehje tjetër
të popullit, ‘grushti i parë, gjysma e fitores’. Prandaj e nisi mandatin me
kamera me vete, për t’ja treguar gjithë popullit ‘live’ grushti e tij të parë
si kryebashkiak. Ditën e parë u shfaq duke shëtitur me autobusin e një linje të
transportit publik për të prezantuar një qasje të re ndaj tij. Të dytën në një
konferencë për shtyp me ministrin e Zhvillimit Urban për të shpallur hartimin e
Planit të Përgjithshëm Territorial. Rezultatet e ditës së parë, i njohin të
gjithë qytetarët që e përdorin këtë shërbim bazik urban. Përvecse një rritje të
ndjeshme të cmimit nuk konstatohet ndryshim tjetër. Por edhe produktet e ditës
të dytë po ju shpalosen. Qëndra e qytetit po përgatitet për tu mbushur me
kulla, që megjithëse bëhen publike vetëm pasi pajisen me leje ndërtimi, janë fëmijët
e mënyrës dhe procesit të hartimit të Planit.
Në këtë shkrim modest të opinionit, nuk do
flasim as për transportin publik e as për Planin e Kullave të kastës, por do fokusohemi
te punët dhe investimet publike të ndërmarra prej tij duke i grupuar ato sipas
një qasje racionale dhe më të kuptueshme për publikun. Sot do flasim për grupin
e parë të punëve të administratës Veliaj (nga katër të tilla), të quajtur ‘populizmi
legalizues’ dhe që përfshin ato punë publike të ndërmarra për të kënaqur
pritshmëritë e publikut, por që vlejnë pak, asfare apo dëmtojnë. Këtu hyjnë të
gjithë ndërhyrjet e fragmentarizuara në infrastrukturën inxhinierike dhe
sociale të blloqeve të banimit, si: asfaltimi i ndonjë rrugice a rruge; meremetimi
i ndonjë segmenti të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve; shtrimi i ndonjë
trotuari e mbjellja e disa pemëve; vendosja e disa stolave apo e një grup lodrash
plastike; bojatisja e shtimi i ndonjë kati apo shtese anësore në ndonjë kopësht
a shkollë ekzistuese, e të tjera si këto.
Shakaja më e madhe që na është thënë nga
oponenca teknike dhe opozita politike, në dekadën e fundit, është se thelbi i
disbalancave në qytetet tona janë mungesa e pemëve, trotuaret apo rrugët e
pashtruara, shkollat e pamirëmbajtura, rrjetet nëntokësore të vjetërura, e të
tjera si këto, dhe se mjafton të balancosh këto mungesa dhe problematikat e
qytetit zgjidhen automatikisht! Sigurisht që mungesa të tilla ekzistojnë, porse
ato janë aq evidente saqë nuk ka nevojë për shpjegim nga ekspertët, sepse cdo
individ mund ti perceptoj ato nëpërmjet shqisave të tij. Mirëpo këto janë
pasojat dhe jo shkaqet, dhe që të shërosh një qytet, sikurse edhe të shërosh
një njeri, dija dhe veprimet e ndërmarra në kuptim të saj duhet të na drejtojnë
te mjekimi i shkakut dhe jo i pasojës. Për këtë na nevojitet dija. Na nevojitet
që të identifikoj tumorin që sjell dhimbjen dhe ta kuroj atë, dhe jo të japi ca
qetësues për të ndalur përkohësisht dhimbjen duke ta lënë tumorin në vend!
Është ky diskurs, i pranishëm apo në mungesë,
që formëson njohuritë e publikut mbi hallet e qytetit, dhe si rrjedhim logjik
edhe kërkesat e pritshmëritë qytetare ndaj kryebashkiakut dhe administratës së
tij. Këto kërkesa e pritshmëri populiste kanë qytetarët ndaj kryebashkiakut
Veliaj, dhe ekzaktësisht këto është duke kënaqur ‘njeriu që punon’ cdo ditë në Tv. Ai po na jep
aspirina për tumorin, ndërsa ne përsërisim të njëjtat ankesa. Oponenca dhe
opozita i largohen qendrës së qytetit për të gjetur trotuare pa pemë, rrugë me
baltë, shkolla të palyera, terrene pa stola e lodra për fëmijë, e të tjera si
këto, nëpër periferi; ‘njeriu i punës’ i ndjek nga pas për ti rregulluar edhe
periferitë sikurse ka rregulluar qendrën; qytetarët sipas përkatësis partiake
mbeten të kënaqur apo të zhgënjyer nga punët e tij; ndërsa qytetit i mbetet
tumori që agravohet përditë e më shumë nga mungesa e trajtimeve dhe ndërhyrjeve
me medikamentet e duhura.
Është ky tumor i patrajtuar që i jep këtij
grupi punësh publike dimensionin legalizues së realitetit urban ekzistues.
Ndërsa shtrohen rrugë e trotuare, mbillen pemë, vendosen stola e lodra për
fëmijë, densiteti i bllokut të banimit mbetet ai që ishte. Raportet e volumeve
të elementëve formues të tij me numrin e banorëve mbeten ato që ishin,
përderisa: e njëjta rrugë apo trotuar shtrohet; në të njëjtin trotuar mbillet
ndonjë pemë; në të njëjtin terren të hapur vendoset ndonjë stol a lodër
fëmijësh. E njëjta gjë për infrastrukturën inxhinierike ku ndërhyhet me
segmente në një rrjet, apo infrastrukturë sociale ku godinave ekzistuese i shtohet
ndonjë kat! Prandaj, këto investime jo vetëm nuk përmirësojnë gjëndjen
ekzistuese, por edhe legalizojnë realitetin urban të formësuar nga
fragmentarizimi i ndërhyrjeve individuale të mëparshme e konstituojnë një kulturë
institucionale të zhvillimit të fragmentarizuar edhe për të ardhmen e ribërjes
së qytetit.
Comments
Post a Comment