PSE DHE SI TË MBAJMË KËTË RAPORT DEMOGRAFIK FSHAT – QYTET! Mapo, 19. 02. 2018
Një komb i varfër, sikurse edhe një familje e
varfër, jeton keq, jeton varfërisht. Kjo bën kuptim dhe ka shpjegim logjik për
një periudhe kohore të caktuar ku për shkaqe rastësore ky komb ka zgjedhur rrugën
e gabuar në udhëtimin e tij. Këmbëngulja 45 vjecare e shqiptarëve në sistemin
politik monist dhe të ekonomisë së centralizuar është një shembull i shkëlqyer
për ta shpjeguar këtë pohim. Ai bën kuptim, edhe kur ky komb është në rrugën e
duhur por bën zgjedhjet e gabuara. Referuar këtij tranzicionit tonë të tejgjatë,
mund të kisha marrë shembuj pafund për ta argumentuar këtë pohim të dytë. Mirëpo,
nuk ka as kuptim dhe as shpjegim, kur një komb mbetet me vetëdije në rrugën e
gabuar, apo përzgjedh për të disatën herë modelin dëmtues. Një nga gabimet
fatale të tranzicionit shqiptar është modeli i zhvillimit urbano-territorial që
kemi ndërtuar, konsoliduar dhe me këmbëngulje fataliste duam ta konservojmë
edhe për të ardhmen.
Temën e modelit të gabuar të shpërndarjes së
koncentruar të popullsisë në zonën qëndrore dhe bregdetare të Atdheut e kemi
trajtuar disa herë edhe më parë, por sot do fokusohemi te një nga elementët
formues të këtij modeli dëmtues. Sot, do flasim për raportin demografik midis
dy tipologjive klasike të qëndrave të banimit dhe jetesës: fshatit dhe qytetit.
Do ta bëjmë këtë, jo vetëm se ky raport është komponent kritik për formësimin e
këtij modeli, por edhe se është pika potenciale e kthesës për ndërtimin e një
modeli të ri territorial. Qëndrimi mbarëkombëtar politik për një rishpërndarje
të balancuar të popullsisë nëpër territorin kombëtar është parakushti që do ta
drejtonte shoqërinë bashkëkohore shqiptare drejt një modeli të ri urban,
social, territorial, politik e ekonomik dhe do të hapte rrugën e daljes nga ky
tranzicion ciklik e vetpërsëritës që na mban në varfëri e të sunduar nga një
grusht njerëzish dhe interesave të tyre të privilegjuara.
Lëvizjet demografike nga fshati në qytet, pas
27 vjetësh, kanë prodhuar një realitet të përmbysur të raportit demografik
fshat-qytet. Nga 69-31% në favor të fshatit që ishte në 1991, ky raport u
konstatua 49-51% në censusin e 2011-ës. Edhe ky jo i saktë, sepse shumë familje
të migruara në qytet mbeten, për neglizhencë apo lehtësi të tjera, të
regjistruara në fshat. Pas 27 vjetësh tranzicion raporti i popullsisë
fshat-qytet mbetet i vetmi element zhvillimi që mund të krahasohet me atë të vendeve
të zhvilluara perëndimore. Mirëpo, as kjo nuk është një gjë e mirë. Fakti që
bota e qytetëruar ka një nivel të lartë urbanizimi nuk do të thotë se kjo është
një gjë e mirë në vetvete. Jo cdo gjë në perëndim është një sukses, krizat e përsëritura
tregojnë që edhe ai dështon. Megjithatë ky nuk hyn te gabimet e tij, sepse perëndimi
përjetoi një revolucion në bujqësi që pararendi një revolucion industrial, që e
kërkoi si domosdoshmëri rritjen mekanike të qytetit.
Ishin, mekanizimi i bujqësisë që c’mobilizoi krah
pune në fshat dhe risitë teknologjike në industri që i tërhoqi këto krah pune
në qytet, arsyet që qytetet perëndimore u përballën me një imigracion të
krahasueshëm. Ndërkohë që rritja fizike e qyteteve vinte në përgjigje të
nevojave të të punësuarve rishtas në industri për ndërtesa banimi apo të
aktiviteteve të tjera njerëzore. Në këtë kuptim, për perëndimin imigracioni nuk
ishte një zgjedhje, por një produkt i evoluimit të shoqërisë si pasojë e
zhvillimit. Gjë që nuk mund ta themi për Shqipërinë e të papunëve. Në Atdheun
tonë, toka bujqësore e ndarë sipas parimit ‘i takon atij që e punon’ është
tradhëtuar, nga ai që duhet ta punonte, për të shkuar në qytet në kërkim të një
punë në shtet! Edhe ato prodhime që toka e punuar jep, nuk arrijnë dot me volum
të plotë në treg. Por edhe ato që e arrijnë, mbeten në treg në një fashë kohore
minimale, ndërkohë që ai ka një kërkesë lineare gjatë gjithë vitit.
Deri këtu kemi folur vetëm
për punët parësore të ekonomive fshatare që ne i kemi injoruar prej vitesh. Po nëse
flasim për ekonomi me produkte që arrijnë tregun gjatë gjithë vitit; apo që
këto produkte parësore i kanë lëndë të parë; apo për të tjera që nëpërmjet tyre
mund të sigurojnë klientelë për veten dhe kërkesë të shtuar e të sigurt ndaj
prodhuesve të këtyre produkteve, bëhen shumë hapsira prodhimi e punësimi të lëna
në zbrazëtirë! Sidoqoftë, le t’ja lëmë ekonomistëve të folurin për këto tema
ekonomike. Ne, në këtë opinion modest, na mjaftojnë këto pak rreshta për të
kuptuar se shoqëria shqiptare duhet ti dorëzohet evoluimit të natyrshëm drejt
zhvillimit, dhe jo kapërcimeve mekanike. Mirëqënien dhe prosperitetin duhet ta
kërkojmë tek ajo që ne jemi dhe te ajo që ne kemi. Shpërndarja e popullsisë në
balancë me burimet natyrore mund të na i siguroj këto, ndërsa gjetja e
instrumentave për të ruajtur këtë nivel urbanizimi është hapi i parë drejt tyre.
Comments
Post a Comment