VELIAJ DHE KONTRIBUTI PËR PARTINË. Mapo, 28. 02. 2018
Ditën e tretë të shtirjes si Kryebashkiak i
Tiranës, z. Veliaj, ju kthye Piramidës për të premtuar rikontruksionin e plotë
të kësaj godine që edhe pas 25 vjetësh akoma nuk po i gjejmë dot një funksion
publik. Që nga ajo ditë nuk i është ndarë mediave me të vetmin dhe të njëjtin
synim, ti tregoj qytetarëve të Tiranës se përvecse ‘grushtit të parë’ ai mund
të japi cdo ditë nga një të tillë. Si rezultat, strategjia e tij ‘cdo ditë nga
një punë’ e mban cdo ditë në ekranet televizive, dhe shpesh në dy a tre të
tillë në të njëjtën kohë. Aq sa, na ka vënë në një dilemë të madhe: mos vallë
z. Veliaj ka aftësinë e mbinatyrshme të të shfaqurit në të njëjtën kohë në disa
vende; apo thjeshtë ai ka disa sozi?! Cështja morri ngjyrat e okultes kur
kryebashkiaku këtë ushtrim prej prestigjatori filloi ta kryente edhe në
dimensione ekstrashtetërore, bile edhe ekstrakontinentale. Kjo ishte c’ishte, ndodhej
edhe në Vjenë, Paris apo Ëashington, por në të njëjtën kohë edhe në Tiranë!
Në kuptimin personal
unë kam një variant tjetër mbi si mundet z. Veliaj të jetë në të njëjtën kohë
në dy apo më shumë vende. Ky e shpjegon këtë kapërcim në kohë dhe hapsirë si
produkt të punës së një ekipi televiziv që paguhet nga taksapaguesit e Tiranës dhe
që qëndron në ‘stand by’ të axhendës së z. Veliaj për të bërë disa “kronika” në
të njëjtën kohë. Më tej këto materiale, që në gjuhën e gazetarisë
“bashkëkohore” quhen kaseta të parapërgatitura, transmetohen në të gjitha
televizionet në kohën kur z. Veliaj e vlerëson më oportune. Kështu që disa
kronika transmetohen edhe kur kryebashkiaku nuk është fare në Tiranë, Shqipëri
apo Europë. Si kompensim, z. Veliaj i shpërblen televizionet nëpërmjet disa
“punëve publike”që ne i kemi grupuar dhe i quajmë ‘servituti ndaj oligarkisë’. Për
këtë grup shumë të rëndësishëm të punëve të z. Veliaj ne do flasim një herë
tjetër, sepse sot do fokusohemi te grupi që ne e kemi quajtur ‘kontributi ndaj
partisë’.
Ky është tipi i dytë i
punëve të ‘njeriut që punon’, dhe përfshin dy nëngrupe. I pari kërkon të ndikojë
emocionalisht nostalgjikët e sistemit të kaluar e të konservoj unitetin e tyre
rreth partisë. Një qasje thelbësore kjo për të majtën demagogjike dhe aspak
origjinale e administratës Veliaj. Në këtë nëngrup bëjnë pjesë: rikontruksioni
fasadist i godinës së Piramidës, që nëse kemi parasysh cfarë personifikon, i
sjell një rendiment shumë të lartë partisë së sotme socialiste; festat e
përvitshme në Pezë; si dhe veprat e “artit urban” që i rilind emrin sheshit
Ataturk në 21 dhjetori dhe riforcon emrin Brryl të një prej nyjeve rrugore të
qytetit. Këtu përfshihen edhe vijimi i disa projekteve të ish-kryebashkiakut
Rama, që synojnë ti japin nostalgjikëve shijen e ‘vazhdimësisë’. Koncepti i vazhdimësisë është, gjithashtu,
shumë tradicional për nostalgjinë. Atë e përdori me shumë sukses pasuesi i
diktatorit pas vdekjes së këtij, derisa sistemi ra për arsye të treta.
Grupi i punëve publike
që i përkasin ‘kontributit ndaj partisë’ përfshin edhe një nëngrup punësh me
dimension të fortë pragmatik. Ky ka lidhje me cështje që ndikojnë direkt në
rezultatin e partisë në zgjedhje. Edhe këtu mund të përmendja disa, por do
fokusohemi vetëm në dy prej tyre. Së pari, te emërimi i administratorëve të
bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit. Për këdo që njeh sistemin politik në
Shqipëri është i qartë se dy janë mënyrat më të preferuara të partive për të
penguar vullnetet e kundërta politike apo për të incentivuar vota pro vetes.
Njëra ka të bëjë me krijimin e barrierave për të bllokuar votuesit e
kundështarit të shprehen me votë. Për këtë synim roli i administratorëve është
bazik, sepse kontakti i përditshëm me banorët ju jep këtyre informacionet se
‘kush voton për kë’ apo ‘kush nuk mund të votoj se është në emigracion’, të
cilat të kaluara në duart e duhura kanë ndikim të madh në rezultatin e partisë
në zgjedhje.
Tjetra është gjetja e
një vendi pune si shpërblim për votuesit e sigurtë, dhe nga kjo partia fiton
mijëra vota nga 5 mijë vendet e punës që ndan kryebashkiaku. Duhet kuptuar se
punësimi nga partia është një nga dy aspiratat bazike të shqiptarëve të sotëm,
tjetra është strehimi. Për të cilin, kryebashkiaku kontribuon nëpërmjet
programit ‘kreditim i lehtësuar’. Ky program, megjithëse shitet si ndihmë e
shtetit për të varfërit e pastrehë, i drejtohet shtresës së mesme që më tej
është moralisht e detyruar të votojë ‘për atë që e bëri me shtëpi e katandi’.
Asnjë i varfër shqiptar, bile asnjë i varfër nordik, nuk do të mund të paguante
80 mijë euro principal për të blerë një shtëpi sepse një pjesëz të interesit skllavërues
ja paguan shteti. Për më keq, ky program i kontributit ndaj partisë ka edhe një
dimension të fortë të servitutit ndaj oligarkisë sepse të vetmet që fitojnë
vërtet prej tij janë bankat dhe industrialistët e ndërtimit që sigurojnë
klientelë të kapur mat.
Comments
Post a Comment