DURASANA PËRFORCON MODELIN TONË SHOQËROR DHE POLITIK! Mapo, 05. 01. 2018
Një nga të pavërtetat që na është servirur këto kohë,
është teza se qytetet tona janë të pajetueshme si pasojë e ‘betonizimit’. Kjo
zëvendësoi tezën e ‘kjoskëzimit’, sipas së cilës fajin për gjendjen urbane e kishin
kjoskat. Rënia e kësaj teze dhe niveli i lartë i partishmërisë bi-partizane në
gjykimin shoqëror, solli dhe konsolidoi tezën e ‘betonizimit’ të qyteteve apo
ndryshe ‘pallatet e shumta dhe voluminoze që u lejuan të ndërtoheshin’. Mirëpo,
ndryshe nga teza e ‘kioskëzimit’, këtë të dytën nuk mund ta testojmë dot në
praktikë! Ajo që na mbetet është teoria, dhe teoria na thotë se nëse do të kishim
ndjekur rrugën shkencore të lejimit të zhvillimit sipas një seti hirearkik planifikimesh,
pallatet nuk do e kishin prodhuar gjithë këtë dëm urban. Në fakt ne lejuam
zhvillimin e fragmentarizuar, ku vendimarrësit lejonin ndërtimin e një pallati
në oborret e 2-3 pronarëve pa e vrarë mëndjen për cfarë do ndodhte me gjithë
bllokun e banimit.
Kjo metodë zhvillimi udhëheq, përvecse në mjerim
urban, edhe në dy kosenguenca logjike e praktike: mungesë të hapsirave
shoqërore; dhe atomizim të shoqërisë. Mungesa e hapsirave të përbashkëta e
limiton aktivitetin njerëzor vetëm në dy marrdhënie hirearkike: atë të punës;
dhe atë të familjes, duke penguar krijimin e grupeve shoqërore me interesa të
ngjashme. Kurse, atomizimi social copëton deri në individuale interesat
shoqërore dhe kërkesat që i drejtohen politikës. Kështu shoqëria konvertohet
nga një rrjet grupesh e interesash në një kope individësh e familjesh, secili
me interesa individuale dhe familjare ndaj vendimarrjes administrative dhe asaj
politike. Në përgjigje të kësaj strukture, klasa politike e orientoi diskursin në
dy lojëra gjuhësore: individuale në kafene (premtime për vënde pune, tendera
dhe koncensione); dhe populiste nëpër mitingje (premtime larg nevojave reale shoqërore
dhe mundësive konkrete të buxheteve publike).
Kështu u ndërtua
marrdhënia e përfaqësuesit me të përfaqësuarit përgjatë proceseve të kalimit të
legjitimitetit politik, dhe ishte kjo që ndërtoi modelin tonë social e politik.
Legjitimitet që kalohej bazuar në vënde pune në administratë, tendera dhe
koncesione për ata që dijnë të bëjnë “bisnes” me përfaqësuesit e tyre dhe
anekdoda populiste për naivët idealistë që besojnë qorrazi te partia e “tyre”
dhe te uniteti i celiktë rreth kryetarit të saj. Rreth këtij modeli politik u
zhvillua gjithë organizimi dhe funksionimi i shtetit dhe shoqërisë. Shteti
përbëhet nga: administratorë të lartë dhe politikanë që mundohen të fitojnë sa
më shumë nga vendet e punës në administratë, tenderat e koncensionet; dhe
zyrtarë injorantë që mundohen të mbrojnë rrogën që kanë duke përmbushur cdo
kërkesë të ‘shefit’. Kurse, shoqëria segregohet në: oligarkë që tentojnë të
gllabërojnë sa më shumë nga pasuria kombëtare; dhe mjeranë e të papunë që synojnë
mbijetesën për të nesërmen.
Ndërsa liderat partiak
kthehen në udhëheqës të gjithëpushtetshëm dhe dishepujt e tyre marrin në dorë
fatet politike, sociale dhe ekonomike të vendit, shoqëria nuk ka shpresë tjetër
vecse të konkuroj në këtë model të vetëm shoqëror me strukturë të vetëm
partitokracinë. Kështu të gjithë i afrohen qëndrave më të mëdha urbane ku ka
dicka për të ndarë nga vendet e punës në shtet, paratë, pronat, tenderat dhe
koncensionet publike. Nga ana tjetër, është ky koncentrim popullsie që shton
konkurencën e individit për tu kthyer në dishepuj të udhëheqësit. Këtu kemi
hyrë në një cikël vetpërsëritës dhe vetstimulues që përforcon modelin tonë
shoqëror prej katër “klasash”, dhe modelin tonë politik të oligarkisë sunduese.
Produkti i gjithë kësaj është realiteti i sotëm: kryetarë partish që tejshtrijnë
pushtetin; oligarkë që shtojnë pasurinë; dishepuj apo zyrtarë që kapërcejnë nga
një parti në tjetrën; dhe masa që shkojnë nga varfëria drejt mjerimit të
skajshëm.
Comments
Post a Comment