DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017
I ulur në një restorant në Munih, në verën e
vitit 1932, Hitleri skicoi prototipin e Beetle për Volswagen (makina e
popullit). Në atë kohë vetëm elita shoqërore mund ti lejonin vetes një makinë,
ndërkohë që Hitleri propogandonte se i gjithë populli duhet të kishte një makinë.
Ai ja dha këtë skicë Jakob Werlin, shefit të Daimler-Benz, duke i theksuar: ‘Merreni këtë dhe flisni me njerëz të cilët
kuptojnë për të, më shumë se unë. Por mos e lini pas dore. Unë dua të më
raportohet sa më shpejtë për detajet teknike të saj’. E solla këtë detaj
për të kuptuar se kush ishte marrdhënia, e pranuar nga të dyja palët mbi
interesin reciprok, e Hitlerit me bisnesin privat.
Mirëpo nga skica në produkt ishte një rrugë e
kushtueshme dhe Hitleri, tashmë lider i oligarkisë që drejtonte politikën dhe
ekonominë si një unitet të vetëm, ja kaloi kostot e “suksesit” të këtij
projekti popullit gjerman. Sikurse
ndodh gjithmon në regjimet majtiste, ku e “mira e popullit” kthehet në
fatkeqësinë e tij, edhe për këtë projekt populli u shtrëngua të pranonte
shpikjen nacional-socialiste të ‘kursimit të detyruar’. Qytetarët që porosisnin
makinën duhet të paguanin për kartelat e kursimit nga 5 marka në javë derisa të
arrihej kosto e saj, dhe të prisnin rreth 4 vjet për ta marrë atë. Sigurisht që,
shumica e “kursimtarëve” nuk e morën makinën që kishin paguar.
Në fakt, dimensioni që ma solli në vëmendje
këtë situatë është impenjimi i gjerë i spektrit politik gjerman të para Luftës
së Dytë Botërore në pranimin e kësaj nisme hitleriane, kurse ngjarja aktuale që
e thërriti nga sirtari memoristik i leximeve të mia, është ‘sigurimi i
detyrueshëm për përbytjet’. Tezë kjo, e z. Rama dhe e mbështetur nga bisnesi privat
i sigurimeve, por cuditërisht, antilogjikisht dhe antipolitikisht edhe nga
eksponentë të ekonomisë dhe gazetarisë që njihen si përcues të zërit të
opozitës. Kjo më shqetëson sot, edhe sepse për ta fshehur këtë mbështetje ndaj
nismës, sillej argumenti se kjo ishte një qasje e djathtë për zgjidhjen e
problemit të përmbytjeve.
Apsolutisht një e pavërtetë që shoqërohet me
një spektër të gjerë të pavërtetash që po ju shiten shqiptarëve prej 25
vjetësh, dhe që kanë prodhuar këtë demokracinë dhe kapitalizmin që ‘gëzojmë
sot’! Hendeku parësor midis të majtës dhe të djathës nuk janë as niveli i
taksave dhe as qasja ndaj sipërmarrjes private, sikurse po na thuhet në këtë
rast por edhe në shumë raste të tjera në këto 25 vjet! Këto janë vetëm pasoja
të hendekut të parë dhe të vetëm midis dy kaheve politike, i cili është niveli
i respektimit të lirive ekonomike dhe politike të qytetarëve. Niveli i taksave
dhe qasja ndaj bisnesit është pasojë logjike e kësaj diference ideologjike
midis tyre.
Për të majtën individi është budalla që nuk e
kupton të mirën e tij, dhe se qeverisja duhet të mendoj në vend të tyre. Bile,
edhe ti mbroj nga vetja, ti edukoj, ti kulturoj, dhe këtë ta bëj edhe nëpërmjet
‘dhunës legjitime’ të shtetit. Kur e majta është nacional-socialiste, pra që e koncepton
bisnesin privat jo si armik por si element të qeverisjes dhe instrument ‘për të
arritur synimin e madh dhe final’, përfshin në diskursin dhe veprimtarinë
qeverisëse edhe vendimin se cfarë duhet dhe ku duhet ti blejnë produktet dhe
shërbimet qytetarët. Dhe, ky është rasti i ‘makinës së popullit’ në Gjermaninë
e 1938-ës, dhe i ‘siguracionit të detyrueshëm’ në Shqipërinë e 2018-ës.
Ndërsa për të djathtën, qytetari është
koshient për liritë e tij ekonomike e politike, dhe i ushtron ato i përgjegjshë
për kornizën e Republikës. Fushëveprimtaria e qeverisë limitohet në ato nevoja
që shoqëria i ka të përbashkëta, duke mos cënuar hapsirat e vendimarrjes
individuale. Është kjo qasje që lejon mbajtjen e një shteti të vogël por
eficent, dhe si pasojë e këtij shkaku, taksat janë të ulta dhe sektorët
ekonomik privat në konkurencë të lirë lulëzojnë. Është liria ekonomike dhe
politike e individit që prodhon demokracinë dhe kapitalizmin. Prandaj, ‘Sigurimi
i detyrueshëm’ është vecse një taksë e re për oligarkinë që sot është një
unitet, por kurrsesi zgjidhje e problemit.
Zgjidhjen duhet ta kërkojmë te përgjegjshmëria
individuale që vjen si pasojë e lirisë. Ti lejojmë qytetarët të rriten, ata nuk
janë fëmijët minoren të shtetit. Ata nuk janë as më budallenj dhe as më të
pashkolluar se të parët e tyre që nuk e kishin “mbrojtjen” e shtetit nga
fatkeqësitë natyrore, por janë më pak të përgjegjshëm sepse janë më pak të lirë.
Edhe sepse, populizmi 25 vjecar nuk i ka lejuar të njohin përparësitë e kapitalizmit.
‘Sigurimi i detyrueshëm’ ka kuptim kur bëhet për dëmet ndaj të tretëve, por kur
bëhet për veten dhe përfshin të gjitha familjet shqiptare, ai është shumë larg
interesit publik dhe po aq korruptues sa demagogjia e ‘dëmshpërblimeve shtetërore’.
Comments
Post a Comment