ZGJEDHJE PA PROJEKT PËR PRONËN?! Mapo, 21. 06. 2017


Shqipëria ka domosdoshmëri një ‘Republikë të re’, por nuk mund të ketë një të tillë pa zgjidhur cështjen e pronës.

Fushatës së zgjedhjeve po i vjen fundi. Shumë shpejt do marrim vesh jo vetëm kush do ta qeverisi Shqipërinë e katër viteve të ardhshëm, por edhe si ka ndikuar diskursi politik i partive garuese në këtë fakt të pashmangshëm. Ajo që të alarmon është mungesa e propozimeve për zgjidhje të një nga cështjet më të rëndësishme që mban pezull shumëcka në këtë vend. Cështja e kthim-kompensimit të pronësive të paluajtshme të shtetëzuara nga sistemi komunist, dhe që nuk u adresua kurrë shterueshëm në këto 27 vjet. I vetmi artikulim është ai i z. Basha në protestën e 13 majit, sipas të cilit e tija ‘Republikë e Re do ti kompesonte pronat me vlerë Europiane’! Sigurisht që shumëkujt mund ti ketë pëlqyer kjo “zgjidhje”, porse për mua nuk është gjë tjetër vecse një shkallë më e lartë e talljes së klasës partike me qytetarët. Gjë, që thërret nevojën e kontributeve për propozime racionale, dhe që modestisht do bëjmë në këtë shkrim të opinionit.
Le ta nisim me ligjin 7501 për tokën bujqësore. A mundet që pas 27 vjetësh të vazhdohet me një rregullim të tillë ligjor? Ta lëmë Kushtetutën, me të cilën bie në kundështim të hapur, por a është koherent në konteksin e sotëm ky ligj pasi rreth gjysma e përfituesve prej tij janë sot në qytet apo në emigracion? Sepse këtu starton problemi në praktikë dhe këtu duhet të nisi argumentimi për një zgjidhje të moralshme dhe gjithëpërfshirëse. Shikoni statistikat e censusit të 2011. Sot raporti banor në fshat me banor në qytet është barazuar. Le të flasim me shifra: nëse në 1991 raporti ishte 30 me 70%, sot ky raport është 50 me 50%, c’ka indikon që një pjesë e madhe e përfituesve nga ky ligj kanë ardhur në qytet. Dhe po të shtojmë këtu familjet që kanë migruar në qytetet shqiptare apo jashtë vendi dhe nuk janë hequr nga regjistrat vendor, konteksi ‘i takon atij që e punon’ bëhet i paqënë. Dhe ky fakt të mundëson dhe detyron që ligji të rishikohet nga themeli.
Vazhdojmë me ligjin 7652 për privatizimin e stokut të banesave, që gjithashtu bie në kundështi me Kushtetutën! A është e domosdoshme që taksapaguesit shqiptar të paguajnë shpronësimin e tokës urbane që privatizuesit e rreth 230 mijë banesave të kenë në bashkëpronësi edhe truallin e ndërtesës!? Një nga elementët e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit e cila as sot nuk është e regjistruar si pronë, sepse kaq vlerë ka për Shtetin dhe për pronarët e rinj. Ndërsa për pronarët e vjetër, megjithëse përkohësisht ju cënohen tagrat e pronësisë (të drejtat e përdorimit), është dinjitet i kthyer. Kanë pritur 70 vjet, dhe nëse do të përfitonin nga rizhvillimi në një kohë të dytë, mund të presin edhe ca të tjerë. Prandaj, ky ligj duhet rishkruar mbi këtë moral të ri. Asgjë e keqe nuk na vjen nga kjo. Më e pakta e sigurtë ndërtesa nuk bie, por në të kundërt shoqëria shpëton nga një përshtjellim i panevojshëm moral me ngarkesa të mëdha financiare për buxhetin publik.
Shkojmë më tej, te ligji 9482 për legalizimet! Dhe nëse nuk gjeni pyetje, përgjigjuni pyetjes publike se cfarë lidhje ka legalizimi i një objekti të ndërtuar pa leje me shtetëzimin e trojeve nga pronari legjitim dhe privatizimi në favor të ndërtuesve paleje? Nuk ka asnjë lidhje. Legalizim do të thotë njohje dhe regjistrim nga shteti i pronësisë së krijuar në rrugë joligjore. Kurse trualli i ndërtimit nuk është i tillë, por ka qënë aty që në krye të kohërave. Shtetëzimi i tyre dhe më pas kalimi në pronësi të dikujt tjetër nuk është Kushtetues. Kur një transaksion pronësor përfshin dy individë privat, ai kurrsesi nuk ka lidhje me interesin publik, dhe Shteti nuk ka lidhje me të. Atherë, pse u dashka që shoqëria shqiptare të paguajë diferencën e faturave të shtetëzimit dhe riprivatizimit? Më shumë akoma, pse u dashka që taksapaguesit fukarenj shqiptarë të mbajnë me rroga, zyra e shpenzime të tjera ca qindra burokratë në institucione të dedikuara kësaj cështje?!
Deri në këtë moment kemi folur për një vlerësim statik të kësaj cështje, por ajo ka edhe dimensionin dinamik të saj. Dimensionin e rizhvillimit të këtyre pronësive të paluajtshme. Shumë ndërtesa banimi janë prishur për tu zëvendësuar me të reja dhe të tjera do të përfshihen dekadat e ardhshme në procesin e ribërjes urbane. E njëjta me tokën bujqësore ku janë zhvilluar apo do zhvillohen infrastruktura e struktura kombëtare apo rajonale. Përfitimet nga këto procese po i marrin pronarët e rinj, ndërsa kostot po i paguajnë dy herë taksapaguesit shqiptar. Një herë për të shpronësuar pronarët legjitim dhe njëherë tjetër për të shpronësuar pronarët e krijuar nga këto ligje. Kjo thyesë ka mundësi për thjeshtimin që na drejton te zgjidhja e domosdoshme. Zgjidhje e cila dëmton vetëm kastën, e cila këto ligje i ka përdorur për të kënaqur militantët dhe klientelat që nga ngastra e bukës së mbijetesës deri te “legalizimi” i trojeve të vilave në bregdet.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017