TRANSFERTA E TË DREJTAVE TË PRONËSISË, VALA E PESTË E SPEKULLIMIT! Mapo, 11. 05. 2016

Për shumë vite industria e ndërtimit ka rezultuar si kontribues i rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Vecanërisht industria e ndërtimit të ndërtesave për banim. Arsyet kanë qënë të shumta, por më të spikaturat janë këto në vijim. Së pari, është dimensioni kulturor. Shqiptarët e shikojnë banesën si dicka që duhet pasur në pronësi dhe jo në përdorim. Së dyti, ishte varfëria e stokut të trashëguar të banesave, dhe shpërndarja e tyre e gabuar (sipas kuptimit se të gjithë duhet të jetojmë në Tiranë). Këto prodhonin një nevojë të shumfishtë, në raport me një industri që i përgjigjej vetëm rritjes natyrore demografike. Përball kësaj nevoje u vendosën edhe arsyet që vijnë nga mundësitë. Së pari ishte hapja e tregut të banesave ndaj sektorit privat të ndërtimit. Së dyti ishte paraja e lirë (nga tregtia, remitancat, korrupsioni) që gjendej në duart e shqiptarëve. Mirëpo, ekzistencat që përshfaqen edhe foshnjore edhe gjigante, gjithmonë përfshijnë deformime të lindjes dhe të rritjes. Në rastin konkret të tregut të banesave, kjo materializohet në dimensionin e spekullimit. I cili u ndihmua edhe nga administratat shtetërore që zhvendosën aksin e synimeve konkuruese, të operatorëve në këtë treg, nga ‘cilësia dhe cmimi më i mirë’ te ‘kush është i aftë të marri leje ndërtimi’. Këto të dyja janë arsyet që tregu i banesave, që në lindje e deri më sot, po zhvillohet (mbi-rritet dhe mbi-jeton) përgjatë një kaskade valësh të spekulimit me blerësin dhe territorin. Valë të cilat, megjithëse nuk kanë qënë plotësisht të ndara nga njëra-tjetra, në kohë, përsëri nuk janë mbivendosur në mënyrë të tillë që të mos diferencohen. Sot, tregu i banesave sapo ka hyrë në valën e katërt të spekulimit dhe plani Boeri i Tiranës po përgatit valën e pestë.
Tre valët e para, megjithëse kanë kaluar si fenomene janë akoma prezente, vecanërisht me pasojat e tyre. E para ishte ‘shitja qënë në gropë’, ku blerësi blente premtimin për një banesë me një cilësi të caktuar, kurse banesa nuk ishte ndërtuar akoma. E dyta ishte ‘shitja me klering’, ku ndërmarrjeve që ofronin shërbime, punime apo materiale ndërtimi u ofroheshin në këmbim sipërfaqe të ndërtuara apo në ndërtim. Dhe e treta ishte ajo e ‘shitjes për pamjen më të mirë’, sipas të cilës ofrohen apartamente e dyqane në objekte të ndërtuara “kallkan” me vijat bregdetare, me parqet, me pyjet natyrore, me bregliqenet apo me breglumenjtë. Secila nga të treja këto valë solli një dëm të trefishtë. Së pari dëm ekonomik për blerësit, së dyti për ekonominë e vendit për paratë që bllokuan dhe së fundi për territorin që okupuan e dëmtuan. Të njëjtat dëme, por në dimensione më të mëdha, do sjelli vala e katërt e spekulimit në tregun e pasurive të paluajtshme që sapo ka filluar. Modeli tejshtrirjes së re urbane sikurse është ‘Bulevardit të Ri’, por pa ekuilibuar më parë shtrirjet ekzistuese urbane. Është ky model që na barazon me virusët dhe parazitët, që në fillim e okupojnë një territor, pastaj konsumojnë dhe shkatërrojnë cdo burim natyror të tij, dhe më tej largohen për të shkuar në një territor tjetër natyror e për ta filluar ciklikisht nga e para. Mirëpo, kudo që shkojnë marrin me vete kulturën e tyre, e cila i drejton në të njëjtat praktika dhe përfundime shkatëruese. Kështu po sillemi edhe ne, me territorin e atdheut. Dhe nëse jemi vërtet të interesuar, na mjafton të lexojmë “The ghetto”, të sociologut urban të Shkollës së Chikagos, Louis Wirth, për të kuptuar se ku do mbërrijmë.
Instrumenti i ‘transfertës të të drejtave të pronësisë’, që po na prezantohet si e vetmja zgjidhje e problematikave të sotme urbane dhe e vetmja rrugë për një të ardhme tjetër urbane të kryeqytetit, është vala e pestë e spekullimit me paratë e shqiptarëve dhe territoret e tyre. I integruar dhe i preferuar, në Planin Vendor të Tiranës, ky instrument na rrezikon të bëjmë të njëjtat gabime dhe të arrijmë të njëjtat produkte duke paguar të njëjtat kosto. Sepse, një plan i ri kërkon një kulturë të re të planifikuari dhe zhvilluari, dhe jo instrumenta të reja në duart e të njëjtës mënyrë të të menduari e vepruari. Ajo që do ndodhi është thjeshtësisht e parashikueshme. Lagjet do vijojnë të zhvillohen në mënyrë të fragmentarizuar, ku përfituesit e vetëm të volumeve të shitshme do jenë ‘miqtë e shokët’, kurse hallexhinjtë do mbeten në pritje të “transferimit të volumeve ndërtimore”.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017