SHTATË RECETA NGA URBANISTIKA PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE. Mapo, 20. 05. 2016

Ndryshimet klimatike janë një realitet që po e mohove të kap nga mënga e xhaketës. Përditë dhe më evidente bëhen ndryshimet e motit edhe në këtë vendin tonë. Duket se të jesh një vend territorialisht i vogël nuk të imunizoka as nga sëmundjet e dimensioneve të mëdha. Kurse të jesh i varfër, përvecse i vogël, të vështirëson shërimin nga sëmundje të tilla globale por me simptoma lokale. Sepse, megjithëse kontributorët për ndryshime klimatike janë vëndet më të mëdha dhe më të pasura, ndikimi i tyre në cilësinë e jetesës së gjallesave është pothuajse i njëjtë në të gjithë globin. Prandaj ato nuk duhen injoruar, as edhe nga një vend si Shqipëria, e cila duhet të veprojë me shpejtësi dhe zgjuarsi për të minimizuar dëmet e pariparueshme të ndryshimeve klimatike. Ndoshta është herët të flasim për Konferencën ‘Mbi Ndryshimet Klimatike’ të Kombeve të Bashkuara (COP 21), e cila u mbajt në Paris dhjetorin e kaluar dhe vendosi synime që pritet të konsiderohen pas vitit 2020. Trajtimet afatgjata janë shumë të rëndësishme për sëmundje të këtij niveli, por më e rëndësishme është të mos injorojmë terapitë e përditshme. Të tilla identifikohen nga Strategjia e Zhvillimit e BE (EU 2020) ‘Për një Zhvillim të Zgjuar, të Qëndrueshëm dhe Gjithëpërfshirës’. Ishte kjo Strategji që përcaktoi tre synime konkrete, deri në vitin 2020: së pari, uljen në masën 20-30% të lëshimit të gazit të efektit serë; së dyti, konvertimin në masën 20% të energjisë në të rinovueshme; dhe së treti, rritjen e eficensës së energjisë në masën 20%. 
Janë këto synime konkrete, te të cilat duhet të fokusohemi edhe ne shqiptarët për të përcaktuar lokalisht dhe specifikisht protokollet dhe barrnat konkrete. Cdo disiplinë shkencore e aplikuar duhet të japi ndihmesën e vet, por , referuar ‘Letrës së Bardhë’ (BE, 2009) dhe ‘Axhendës Territoriale ‘ (TA 2020), planifikimet territoriale dhe urbane kanë një rol vendimtar për të luajtur për shkak të lidhjes eksplicite që kanë. Nëse bëjmë një vlerësim krahasues Shqipëria shfaqet me nivel të lartë vulnerabiliteti ndaj ndryshimeve klimatike. Sikurse impaktet potenciale, edhe kapacitetet adoptuese (dy aspektet vlerësuese), nuk na privilegjojnë. Fatit të keq, që jemi një vend me 300 ditë me diell në vit dhe me një shtrirje të gjatë bregdetare, nuk kemi cfarë ti bëjmë. E cuditshme por e vërtetë! Në planifikim, komponentë që kanë valencë pozitive në një aspekt mund të ndikojnë negativisht në një aspekt tjetër. Në të kundërt me fatin, mund të bëjmë shumëcka me gjërat që kemi në dorë, nisur nga planifikimi i zhvillimeve në territorin kombëtar dhe në qytetet tona. Dhe këtu erdhëm te receta e parë: Shqipërisë i nevojitet një rishpërndarje e popullsisë nëpër territor, nëpërmjet një lëvizje të kundërt nga ajo aktuale. Pra, nga zonat fushore e bregdetare, drejt zonave malore. Receta e dytë ka të bëj me ekuilibrimin demografik të qyteteve. Në rivers me gjëndjen ekzistuese, qytetet duhet të jenë kompakte dhe të njëtratshme. Pra, as të mbipopulluara dhe as nënpopulluara, sepse tejshtrirrja dhe densiteti i ulët dëmtojnë.

Receta e tretë i referohet sistemit rrugor kombëtar. Cdo investim i rëndësishëm për lidhje të shpejtë mes rajoneve, qyteteve dhe qëndrave të banuara është një investim shumë produktiv. Receta e katër na kalon nga Shqipëria territoriale në atë urbane. Qytetet duhet të planifikohen me korridore të gjera ajrore. Të përcaktuara në respekt të tredafilit të erërave, ato ndihmojnë qytetet të ajrosen. Ajrimi natyror i njësive të banimit dhe përdorimeve të tjera ul nevojën e ndërtesave për klimatizim artificial. Planifikimi i një transporti të gjerë e të shumëllojshëm urban është receta e pestë. Ai minimizon varësinë e qytetit ndaj transportit me autovetura. Cka është një kontribut pozitiv në uljen e konsumin të energjisë nga hidrokarburet, dhe ndotjes së ajrit. Receta e parafundit i drejtohet përmirësimeve në njësitë urbane. Ato duhet të jenë të përdorimit miks, dhe jo vetëm për banim. Projektimi urban mund të bëj mrekullira për të krijuar lagje të sigurta për të gjitha grupmoshat e rezidentëve dhe për të gjitha aktivitet ditore të tyre. Kjo ul nevojën e qytetit për tranzit urban dhe shtrin hapsirat e hapura dhe të gjelbërta. Për të ardhur te banesa dhe receta e shtatë. Banesat e të ardhmes duhet të projektohen me koeficent të lartë të eficensës dhe autonomisë energjitike. Kurse stoku i banesave ekzistuese duhet të rikonstruktohen me synim modernizimin dhe rritjen e eficensës së energjisë për tu përshtatur, aq sa kushtet lejojnë, me risitë teknologjike dhe burimet e furnizimit me energji alternative nga ekzistueset.

 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017