TË DREJTAT E PRONËSISË DHE PLANI I TIRANËS! Mapo, 03. 05. 2016

Intervista e arkitektit italian Stefano Boeri, dhënë gazetarit të Top Channel, duket se ka përfshirë shumëkënd. Vecanërisht shprehja‘duke prishur pallatet e Enverit dhe duke ndërtuar pallate të reja’. Jo për të mbrojtur Boerin por për të qënë të ndershëm, duhet thenë se për asnjë moment arkitekti nuk foli për pallate por për ndërtesa. Dhe me ndërtesa nënkuptohen si ato përdhese edhe ato shumë katëshe, që ne i quajmë pallate. Kjo për opinionin e gjerë, kurse nga qasja profesionale mund të themi se dy janë mënyrat (në dominancë të njërës) për rritjen e qytetit! Ose nëpërmjet tejshtrirjes duke shkatërruar territore natyrore, ose nëpërmjet densifikimit duke shkatërruar ndërtesa të vjetra. Në një konteks të caktuar gjithkush mund të ketë preferencën e tij, kurse nga qasja profesionale në konteksin e sotëm, unë përzgjedh dominancën e variantit të dytë. Me një fjalë, nëse z. Boeri pranon se zëvendësimi duhet të filloj nga ndërtesat më të vjetra përdhese prej qelpici të fillim shekullit të kaluar, atherë mund të them se ndaj modestish të njëjtin propozim për zgjidhje. Porse kundështoj me forcë z. Boeri, për eskluzivitetin e instrumentit nëpërmjet të cilit ai kërkon ta arrij këtë synim. Instrument që ai e prezantoi si ‘zhvendosja e të drejtave volumetrike’, por, që gjerësisht në rrethet profesionale njihet si ‘transferta e të drejtave të zhvillimit’. Ky instrument, megjithëse sikurse na thotë arkitekti i planit të Tiranës po përdoret edhe në vendët europiane, është një instrument amerikan i menazhimit të pronave. Ai synon të kënaqi në mënyrë simultane kërkesat teknike të urbanistikës por edhe të pronarëve të pronave të paluajtshme, gjatë procesit të ribërjes së njësive urbane.
Seti i arsyeve kundështuese, është i gjerë por unë po rreshtoj disa prej tyre. Në planin teorik, instrumenti nuk i përket planifikimit territorial, gjë për të cilën është kontraktuar arkitekti italian, bile as projektimit urban, por menaxhimit urban. Më sakt akoma, është një nga instrumentat ekonomik të tij. Që do të thotë se trajtimi i sotëm është shumë i parakohshëm. Mirëpo duhet kujdes, nuk është kaq rastësore, mendje po kaq të ndritura e kanë injektuar këtë instrument ekonomik në ligjin e planifikimit të territorit! Duhet thënë, gjithashtu, se për qyteza të vogla apo satelitore, ky instrument mund të trajtohet që gjatë procesit të hartimit të planit territorial, por në cdo rast vetëm për të përcaktuar zonat ‘dhënëse’ dhe ‘marrëse’. Sepse, vetëm këto dy elementë kanë lidhje me territorin, të tjerët janë ekonomikë dhe funksionojnë si në cdo transaksion të tillë. Në planin krahasimor duhet pasur parasysh që Tirana, në problematikën urbane, nuk ka asnjë krahasim me referencat. Tirana vuan nga problematika apo disbalanca urbane të tmerrshme, të shumëllojshme dhe gjerësisht të shtrira, kurse qytetet amerikane apo europiane, për të cilat po flasim, tentojnë të akomodojnë rritjen natyrore të popullsisë apo ndonjë përmirësim tematik dhe pjesor të situatës urbane. Të vësh paralele, është njësoj sikur të barazosh një set ndërhyrjesh kirurgjikale në trupin e një të aksidentuari që nuk ka lënë kockë pathyer me një botoks fytyre. Përvec kësaj, Tirana i ka të gjitha njësitë urbane të sulmuara nga zhvillimi i paplanifikuar, pra cdo njësi ka dëme, dhe dëmet kanë diferenca sasiorë e cilësorë mes tyre. Këto e bëjnë planin e Tiranës krahasimisht shumë kompleks, për tu komplikuar më tej nga detajime të parakohëshme.
  Në planin specifik, e kundështoj për mungesë drejtësie dhe kuptimi të deformuar mbi tregun. Është e pamoralshme të bësh rrokadë të drejta pronësish dhe, si pa të keq, tu kërkosh të largohen mbajtësve prej dekadash të të drejtave të pronësisë së një blloku banimi, meqënëse administratat vendore në shkelje të ligjit kanë krijuar mbajtës të rinj titujsh pronësie dhe të drejtash zhvillimi për bllokun e tyre! Por ka edhe më keq! Të besosh se ky instrument pranon ngurtësinë e “fletëve të Planit” të cilat miratohen politikisht për 25 vjet, është edhe të mos njohësh tregun e pronave të paluajtshme. Në qytetet e Shba, ku ky instrument përdoret gjerësisht, shkëmbimi i të drejtave ndodh në bursa të dedikuara që, sikurse cdo bursë tjetër, janë në ndryshim të vazhdueshëm. Ndërkohë që Bashkia, si një ent publik, nuk është pronare e këtij tregu por një ndër lojtarët e tij.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017