ËSHTË POLITIKE, O MIK! Mapo, 01. 03. 2016

Debati ndërpartiak se ‘kur iku gjermani i fundit nga Shqipëria’ përvecse më pafruti në këto 25 vjet është edhe simboli i mënyrës sesi bëhet politikë në Shqipërinë e tranzicionit të përhershëm. Mirëpo, vetëm pak ditë më parë media na njohu me një informacion që duket se i rëzon plotësisht të dy “tezat politike” të debatit. Pra gjermani i fundit nuk paska ikur as në 28 dhe as në 29 nëntor 1944. Sepse, gjermani i fundit është akoma në Shqipëri. Ai po ushtron profesionin e arkitektit-urbanist, për një sërë punësh ndërtimore në disa qytete që po rilindin, ku spikat zhvillimi i një kënd lojrash për fëmijët e Tiranës te parku i liqenit. Nuk do ta kishim mësuar kurrë këtë fakt historik, nëse ai nuk do të kishte dalë publikisht në media për të shprehur cudinë e tij, në lidhje me kundështinë e shoqërisë civile ndaj këtij projekti. Më shumë se u cudit, arkitekti gjerman na cuditi, kur pohoi se ishte vet ai që kishte përcaktuar domosdoshmërinë dhe lokalizimin e këndit të lojrave. Me një fjalë, qytetarët nuk kishin pse protestonin për demokracinë e munguar përsa vullnete të epërme, sikurse ai vet, kishin vendimarrë mbi cështjen.
Mos u cudit, o mik, dhe mos na cudit! Debati ku je vetpërfshirë nuk është një cështje arkitekture por një cështje politike. Djemtë e vajzat që dallove të prishnin rrethimin e kantierit tënd, nuk kanë kërkesa ndaj zgjidhjes arkitektonike. Por kërkesa të qarta politike. Ata janë aty kundër vullnetit të klasës politike shqiptare, sipas të cilës politikbërja e vendimarrja janë ekskluzitivitet i partive politike! Janë këto vullnete partish që bëjnë cdo gjë që ‘partiakja’ dhe ‘politikja’ të kenë të njëjtin kuptim në fjalorin tonë politik. Pranojnë përcaktorët gënjeshtarë, të korruptuar, hajdut, kriminel, vrasës. Po a ka qënie që pranon me dëshirë por edhe padrejtësisht të konsiderohet gënjështar, i korruptuar, hajdut, kriminel e vrasës!? Paska, ja janë këta. Bile kanë shpikur edhe një shprehje, me gjasme, folklorike ‘politika është prostitutë’. Për të justifikuar mënyrën e tyre të ushtrimit të partishmërisë, me një karakteristikë të profesionit, jo të profesionistit. Po a ka profesion më të moralshëm se politika? Sa miliona jetë njerëzish, për të mos folur për përfitime të tjera, janë kursyer që kur njerëzia vendosi të merren vesh me fjalë (politikë) dhe jo me shpatë?
Gjithcka pranon kjo klasa jonë partiake, që vetquhet politike, mjafton që askush tjetër nga jashtë konjukturës të mos i konkurojë në fushën e tyre. Se ku i dihet. Po sikur dikush nga ata djemtë e vajzat që dallove të prishnin rrethimin e kantierit tënd, të mos kufizohen te mbrojtja e pemëve! Në mëhallën e politikës shqiptare, sikurse në cdo mëhallë të mëkatit shqiptar, kështu shkon gjëja ‘në fillim një cigare, pastaj një gotë raki, më tej pak kumar dhe në fund një nga Ato’. Me një fjalë, po sikur këta të rinj të kërkojnë të dëgjohen, bile, të përfshihen në politikbërje dhe vendimarrje për cështje të tjera më të rëndësishme! Përshembull, po sikur të kërkojnë të përfshihen në hartimin e Planit të Tiranës? Po sikur të kërkojnë të përfshihen në draftimin e ligjit për cështjet e planifikimit dhe zhvillimit të territorit? Do ishte tmerr, o mik, për këtë klasën tonë partiake, që për bashkëpronarë të parë ka mafien e ndërtimit të banesave. Nëse do përfshihej, shoqëria shqiptare do kuptonte sa të thjeshta janë gjërat dhe sa të vështira na i paraqisin partitë.
Mirëpo, klasa jonë partiake nuk mund ta toleroj këtë, prandaj veproi ashtu sic e pe. Si hap i parë, mohimi i mundësisë së politikes jashtë partiakes. Pala e punëdhënësit tënd i konsideroi vandal; njerëz që shkatërrojnë të mirat e qytetit. Me një fjalë, njerëz në prag të c‘qytetarimit. Pala kundështare ju bashkangjit që ta asimilonte; ta njësonte me veten; ti humbte identitetin dallues. Ta përfshinte në axhendën e saj. Me një fjalë, numra në revolucionin ala ‘Taksim’. Dhe kur e kuptuan se e humbën davanë, startuan hapin e dytë. Atë të mos lejimit të daljes nga korniza e vogëlsive. Pala e punëdhënësit tënd po i fton të negociojnë mbi numrin e pemëve që do priten, mbi fatin e grand kafesë, mbi volumet e betoneve që do përdoren. Kurse pala tjetër këmbëngul t’ju mbushi mëndjen se dhjetë pemët e prera janë barasvlera e mushkërisë së qytetit 1 milion frymësh. E sheh, o mik, që u ngatërove kot me një debat plotësisht politik, kur ti je vecse ekspert i arkitekturës. Sepse qofsh arkitekti më i mirë në botë, për cështjet politike të vendit tim, ti je askush. Kurse, cudia jote që na cuditi, ka vlerën e ‘datës 28 v. 29 të ikjes së gjermanit të fundit’.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017