CMËND PRONARI! Mapo, 24. 03. 2016

Në këto vite tranzicion kemi parë shumë cudira në këtë Shqipërinë tonë të mjerë. Një ndër to, kanë qënë uljet fiktive të cmimeve në dyqanet e butiket e veshjeve. Në fasadat e xhamta të tyre mund të shikoje turli mënyrash vizive për ti bërë klientët të hyjnin e të blejnin veshje me cmime “disa fish më të ulta”. Sidoqoftë, mjaftonte një sy i stërvitur dhe lehtësisht dallohej se cmimet ishin të njëjta me një muaj më parë. Aq konsistente e joproduktive u bënë këto tentativa saqë pronarët as nuk merrnin më mundimin ti ndryshonin apo ti hiqnin. Një ndër to ishte aq goditëse sa më ka ngelur në memorie edhe sot e kësaj dite. ‘Cmënd pronari. Fal produktin e dytë’- ishte promocioni që arriti të tërheqi brenda butikut, shqiptarët e “pamanipulueshëm më” nga mënyrat fiktive të marketingut. Mirëpo, të ndihesh i pamanipulushëm më, nga marketingu, është parakusht që të rimanipulohesh. Sidomos nga pronarët që cmendin dhe dhurojnë.
Në të njëjtën skenar gjendemi këto ditët e fundit kur pronari i Tiranës, z. Veliaj, na premton një Tiranë pa depozita uji në terracat e pallateve. Një cmenduri e bukur! Do ta nis me tmerrin e shprehur nga zonjat dhe nikoqiret, e intervistuara në disa media vizive, të cilat të pyetura mbi këtë cështje shpreheshin gjithë ankth për atë që do ti gjente. Dhe nuk kanë faj. Nëse do mbeteshin edhe pa ujë, pakogjë i mbetej për të bërë në banesat e tyre. Këtyre nënave dhe grave të dhimsura po ju them një “sekret” të madh: askush nuk mund tu’a heqi në mënyrë arbitrale dhe të sforcuar të drejtën për të pasur ujë 24 orë në ditë, edhe pse nëpërmjet një mënyre aspak bashkëkohore; megjithëse ato depozitat shëmtojnë dukshëm qytetin, kjo nuk përbën argument shterues se duhen hequr edhe me koston e mbetjes pa ujë në banesat tuaja; gjithashtu, duhet të kuptoni se, ato depozita dhe ato taraca janë në pronësinë tuaj individuale dhe të bashkëpronësisë!
  Mafton që ju të kundështoni, të organizuara të sëbashku, dhe askush nuk mund ti heqi jashtë vullnetit tuaj! Përmirësimin viziv të qytetit të gjithë e duan, por asesi në mohim të domosdoshmërive bazike jetësore. Është një cmenduri të kthehesh te furnizimi me orare i ujit vetëm që qyteti të duket pak ‘më shumë qytet’! Tirana, jo për kohën e qeverisjes Veliaj por as për 30 vjet, nuk do ketë ujë 24 orë në rubinet nga rrjeti i furnizimit. Kushdo që thotë të kundërtën gënjen nga dëshira apo nga padija. Rrjeti i furnizimit me ujë, si cdo infrastrukturë tjetër ingjinierike apo sociale është një lëmsh i rëmujshëm telash, tubash apo ndërtesash që datojnë nga koha e Mbretit Zog e deri sot që po flasim. Ato janë aq të përziera mes vetes, përshkak të investimeve e ndërhyrjeve jashtë cdo parametri planifikues dhe projektues, sa do ishte më ekonomikisht eficente të rindërtohet i tëri nga fillimi. Fakt ky, që është produkt logjik i mënyrës së zhvillimit të qytetit në dimensionin urban dhe lejedhënies ndërtimore në 20 vitet e fundit.
Sepse, furnizimi me ujë i Tiranës nuk ka qënë asnjëherë problem burimesh ujore. Ato, Tirana i ka me shumicë. Provoni të hapni një gropë në Tiranë dhe që në metrin e dytë do ju dali ujë. Me pak shtrëngësë e me menaxhim të mirë vetëm burimi i Selitës mund ti përgjigjet nevojave mesatare të qytetit për ujë. Thënë matematikisht: sot ujësjellsi faturon në muaj më pak se 3 milion metër kub, që janë prurjet e Selitës. Po ti shtosh këtu edhe Bovillën! Asnjë problem. Problem është rrjeti i transmetimit dhe vecanërisht ai i shpërndarjes. Cështja e miliardave që duhen për të ndërtuar një rrjet të ri (qoftë edhe duke integruar ato pjesë të rrjetit ekzistues që mund të shërbejnë), është problemi më i vogël. Problemi real është hartimi i një projekti për rrjetin sekondar dhe tercial. Thënë thjesht, një projekt teknik për tubacionet që e marrin ujin nga depot apo stacionet e pompimit dhe e sjellin te cdo ndërtesë ku janë të vendosur konsumatorët.
  Tre janë kërkesat bazike të një projektuesi për një rrjet të tillë hirearkik! Të treja ja drejtojnë urbanistikës. Kërkesa e parë është numri përfundimtar i rezidentëve që ky rrjet do ti shërbej, për të llogaritur dimesionet e tubacioneve. Kërkesa e dytë është njëtratshmëria e lartësisë së ndërtesave që do furnizohen, për të balancuar presionin në tubacine. Dhe e treta është rrjeti i trotuareve nën të cilat këto tubacione do të shtrihen. Kërkesa shumë të thjeshta ti artikulosh por të pamundura ti kesh. Të paktën në mënyrën e paplanifikuar të zhvillimit të Tiranës së sotme: ku të gjitha njësitë e banimit janë në ribërje e sipër dhe askush nuk mund të thotë për sa banor; ku pallatet 15 katëshe bashkëjetojnë kallkan me shtëpitë përdhese; dhe ku trotuaret konsiderohen ‘shfaqje të huaja’. Prandaj, të shpresojmë se një ditë zhvillimi do të paraprihet nga planifikimi, dhe deri atherë ta shtrëngojmë kryebashkiakun ti kthehet problemeve të vërteta të qytetit.
 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017