EDUKATORI I POPULLIT! Mapo, 18. 03. 2016

Përvec punëve prej supermeni të këtyre javëve të fundit, kryebashkiaku Veliaj, ju rikthye edhe një prej ëndrave bazike të tij. Ëndrës për të edukuar shoqërinë shqiptare. Thënë më specifikisht edukimit të dynjasë për të pastruar mjedisin rrethues ku jeton. Të djelën që shkoi, kryebashkiaku thërriti gjithë banorët në një aksion për të pastruat qytetin. Zhulit të Tiranës, kryebashkiaku i ka shpallur luftë që para se të punonte drejtpërdrejt për qytetin. Është e papranueshme për nivelin e tij të pastërtisë personale, pislliku që e ka pushtuar Tiranën në katër vitet e fundit, por më acaruesja për nivelin e tij të aktivizimit qytetar, është pasiviteti i dynjasë ndaj kësaj gjëndje. Sikurse edhe në 25 nëntor 2013, kur Eri ishte ministër dhe kërkoi kontributin e gjithë shqiptarëve për të ‘pastruar Shqipërinë në një ditë’, edhe kësaj here unë nuk ju përgjigja pozitivisht. Unë nuk shkova të pastroj, në mënyrë të organizuar e drejtuar nga lart, as zhulin e gjithë Shqipërisë dhe as zhulin e Tiranës. Dhe nuk do shkoj në asnjë rast kur edukatorët e partive të bëjnë ftesa të tilla, sepse unë e urrej demagogjinë. Vecanërisht demagogjinë që synon, përvec mashtrimit publik për t’u shfaqur një drejtues e veprimtar i përgjegjshëm, por edhe për të c’vlerësuar aksione të vërteta qytetare. Sikurse ishin ato, kundër armëve kimike, dhe, sikurse janë këto, në mbrojtje të parkut.
Nuk kam shkuar dhe as nuk do shkoj, sepse unë jam kundër punës angari. Asnjë individ nuk duhet të detyrohet të kryejë punë të papaguar. Këtë, mendimtari Herbert Spencer në librin e tij ‘Njeriu kundër shtetit’ të botuar në 1884, e quan skllavëri. Ka pak rëndësi nëse punon i detyruar nga një padron që të zotëron fizikisht dhe në dobi të tij, apo në “shërbim të të mirës së shoqërisë”, gjëndja prej skllavi është e njëjtë- na mëson Spencer. Por, gjëndja bëhet edhe më keq kur padroni fshihet pas “për të mirën e shoqërisë” për të arritur përfitim e dobi private. Dhe ky është rasti i karrierës së ndërtuar dhe në përshkallëzim të demagogut gjithkënd përdorës, Veliaj. Unë nuk besoj as te pastrimi vullnetar pasi është bërë pis. Kjo është detyrë e atyre që paguhen nga taksapaguesit për të pastruar. Por, unë besoj te mbajtja pastër. Këtu besojnë edhe rrjetet e aktorëve komunitar të shoqërive moderne. Ato nuk dalin në “punë vullnetare” të djelave komuniste, të detyruar. Sikurse, kanë dalë prindërit tanë, apo si po përpiqen të na nxjerrin ne. Ato kontributin e tyre komunitar e japin duke mos bërë pis. Dhe këtë të dytën, e bëjnë në bindje të thellë të përkatësisë së tyre mbi ato mjedise. Kështu duhet të bëjmë edhe ne: të mbjellim dhe të rrisim ndjenjën e përkatësisë mbi mjediset tona të jetesës, arsimimit e edukimit, dhe të punësimit. Ky duhet të jetë qëndrimi ynë politik mbi gjënë. Vetëm ndjesia dhe bindja e brendshme që këto mjedise janë tonat mund të na drejtojë në mbajtjen e tyre po aq pastër sa hapsirat e brendshme në banesat tona. Nuk i shtrëngonte njëri, fizikisht apo partishmërisht, gjyshet dhe stërgjyshet tona që pasi pastronin banesat dhe oborret e tyre, vijonin me rrugicën para shtëpisë. Mirëpo ato e bënin se e ndjenin të tyren, qoftë edhe si një “garë” kush ishte më puntorja e më e pastra ndër to. Kurse, mënyra praktike për ta realizuar këtë qëndrim politik, apo për ta rikthyer këtë traditë kulturore që nuk qënka risi për ne, është trajtimi i cështjeve urbane në mënyrë gjithpërfshirëse.
Sepse planifikimet si produkt të kuvendimeve, të grupeve të interesuara dhe të prekura nga zhvillimet që po planifikohen, i bëjnë qytetarët të kuptojnë se gjërat janë edhe në dorë të tyre. Pra, edhe gjëndja ekzistuese urbane dhe mjedisive të tyre jetësore, është ashtu si është edhe për meritë apo për faj të tyre. Dhe ky është themeli i godinës së përgjegjshmërisë së qytetarit për mjedisin rrethues. Këta lloj qytetarësh, më së paku, dijnë ‘ku ju pikon catia’ e lagjes. Dhe qytetarët që dijnë, veprojnë. Ata së paku nuk kontribuojnë në dëmtimin e mëtejshëm të catisë. Ndërsa, ka ndër ta që agazhohen në meremetim, njësoj si të ishte catia e shtëpisë së tyre. Mirëpo, kjo nuk i intereson Erit. Nëse qytetarët do njohin problemet reale të njësive të tyre të banimit, kush do i besonte premtimeve të tyre populiste partiake?! Kush do ti mbështeste në projektet e tyre fasadiste dhe kundër produktive?! Pakkush. Ndërsa kjo nuk i intereson, ajo që nuk do e pranonte kursesi, është ndarja e pushtetit. A mund të heqi dorë Eri nga të qënin ngallnjimtari i vetëm i Tiranës?! Asnjëherë. Prandaj, Eri na pozohet si edukator i masave, me kostum supermeni. Ai, sa herë ndjen se qytetari po del nga gjumi letargjik për të marr përsipër përgjegjësi shoqërore në konsumim të lirisë individuale, na thërret në aksione “antizhuli”.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017