SHAKAJA E ‘DËGJESAVE PUBLIKE’! Mapo, 21. 01. 2016

Viti 2015 u mbyll me një sihariq të madh në fushën e zhvillimit të planifikuar të territorit kombëtar. Qeverisja qëndrore, për herë të parë në 30 muaj ndërmori një inisiativë të dimensionit kombëtar të zhvillimit territorial. Ajo ka startuar - sikurse deklaron - hartimin e tre planeve kombëtare të territorit. Pasi u sorollat ca kohë me projekte të fragmentarizuara lagjesh e blloqesh banimi në disa qytete shqiptare, mësë fundi u kujtua që paguhet nga taksat e shqiptarëve për të hartuar politika, plane, programe dhe projekte mbi cështjet kombëtare të territorit. ‘Më mirë vonë se kurrë’ thotë populli, kështu që të shpresojmë se duke bërë sikur po merret me punët e saj, qeveria qëndrore të lejojë njësitë e qeverisjes vendore të kryejnë funksionet e tyre qeverisëse. Edhe kaq do ishte një fitore e madhe, në kuptim të demokracisë vendore por edhe të zhvillimit të qëndrueshëm të qëndrave urbane. Po kush janë këto tre plane kombëtare? Nëse i ndjek me shumë vëmendje, diskursin misterioz të Ministrisë së Zhvillimit Urban, mund të kuptosh se në fakt kemi të bëjmë vetëm me një plan kombëtar: Planin e Përgjithshëm Kombëtar.
Dy të tjerët nuk janë të tillë! I pari, i njohur me titullin plani ‘Durrana’ është një plan ndërvendor. Sikurse e thotë edhe emri, ai është një plan që kërkon të japi propozime zhvillimi për një hapsirë që përfshin territorin nën juridiksionin e bashkisë Durrës dhe territorin e bashkisë Tiranë, si të ishin një i vetëm. Dhe kushdo që ka njohuritë më minimale mbi kulturën shqiptare të planifikimit territorial e kupton që kemi të bëjmë me një plan ndërvendor dhe se autoriteti që moderon hartimin e këtij lloj plani është një grup pune i ngritur nga dy bashkitë e përfshira. Sidoqoftë, në asnjë rast nuk mund të konsiderohet si një plan kombëtar, sikurse nuk mund të konsiderohet as i dyti: plani i jugut bregdetar. Sepse edhe ky, megjithëse shumë më pak i rrezikshëm në lidhje me depopullimin e trojeve shqiptare, nuk është një plan kombëtar. Një plan kombëtar- dhe kjo nuk ka lidhje me ideologjinë, sepse, i tillë është edhe në demokraci sikurse në diktaturë, si në qeveri të majtë ashtu edhe në të djathtë- është ai plan që jep propozime, orientime apo direktiva/normativa për të gjithë territorin që përfshijnë kufinjtë kombëtar.
Ky është kuptimi termit plan kombëtar, dhe ata mund të ndahen në tre klasifikime. Ka plan kombëtar sektorial që hartohet për një sektor të caktuar zhvillimi apo mbrojtje. Sikurse mund të jetë plani kombëtar i aeroporteve, apo plani kombëtar i zonave të mbrojtura natyrore. Ka gjithashtu plane kombëtare ndërsektoriale, që do të thotë plane që integrojnë dy apo më shumë sektorë. Për ta sqaruar, si shëmbull mund të marrim planin ndërsektorial të transportit kombëtar, ku integrohen plani i aeroporteve, porteve, sistemit rrugor kombëtar dhe sistemit hekurrudhor. Një qeverisje e përgjegjëshme harton nga një plan kombëtar për cdo sektor të zhvillimi ekonomik dhe për cdo sector konservimi natyror, që ligji i njeh si ‘funksion të vet’ qeverisjes kombëtare dhe për të cilët ajo harton politika kombëtare. Sepse të planifikosh zhvillimin territorial – vecanërisht në terma kombëtar – këtë kuptim ka. Pavarësisht dokrave që dëgjoni, të planifikosh territorin do të thotë tu japësh kuptim gjeografik politikave kombëtare. Në fund të fundit, është njësoj si planifikimi buxhetor që u jep kuptim financimi këtyre politikave.
Në këtë kuptim të gjësë, plani i përgjithshëm kombëtar nuk është gjë tjetër vecse integrimi sëbashku dhe prioritizimi i këtyre planeve sektorialë e ndërsektorialë, sipas prerogativave qeverisëse që shpallen në programin qeverisës. Përshembull, qeveria e kaluar vërtet nuk hartoi një plan të përgjithshëm por kishte nga një plan sektorial të miratuar me VKM për cdo sector dhe kishte prerogativë kombëtare infrastrukturën rrugore. Kështu që planifikoi, projektoi dhe financoi ndërtimin e rrugëve kombëtare. Pyetja një milion dollarëshe është: po qeveria e sotme?! Le të pranojmë se i treti për të cilët po zhvillon ‘dëgjesa publike’ të jetë një plan i përgjithshëm kombëtar. Qeverisë, nganjëherë, i duhet dhënë edhe besim. Por asnjëherë, pa marrë prej saj përgjigje për pyetjet e duhura. Së pari: pse po tallen me qytetarët? Ndërsa nuk i kanë pyetur për investime të fragmentarizuara lokale - që do kishte kuptim - pse po i marrin mendim për të vetmen gjë që konsiderohet e verifikuar pas votimit në zgjedhje. Sepse është e kuptueshme që një mazhorancë votohet për programin qeverisës dhe vecanërisht për parësitë e atij programi.
Së dyti: pse planin e përgjithshëm po e bën një ministri? Nëse kemi 19 ministri që hartojnë politika kombëtarë, si është e mundur që këto i integron dhe prioritizon vetëm një prej tyre! Duket sikur kemi dy qeveri matrioshka. Për të mos folur për përfshirje të urbanistëve ndërkombëtar. Kush është funksioni i tyre politik në Republikën e Shqipërisë? Nuk bën kuptim! Në fakt, shumëcka nuk bën kuptim në këtë sipërmarrje, porse le të kufizohemi këtu. Dhe në pritje të përgjigjeve për pyetjet e duhura le të qeshim me këtë shakanë e ‘dëgjesave publike’!

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017