RECELI I FTOIT DHE KONKURSET NDËRKOMBËTARE TË PROJEKTIMIT URBAN! Mapo, 05. 01. 2016

Diku nga fundi i viteve ’90-të, pasi kishim ngopur urinë për mallra importi, ne shqiptarët kthyem sytë nga prodhimet ushqimore vendase. Na kishte marrë malli për aranxhatën, sallamin dhe të tjera prodhime shqiptare të para viteve ’90-të! Kërkonim të njëjtën shije si vite më parë dhe nuk e kuptonim, se ashtu të mbingopur nga volumi i konsumit gjithfarësoj produktesh ndërkombëtare, nuk mund të gjenim shije të përjetuara në kohë urije. Mundoheshin mjeshtërit e asaj kohe të përdornin të njëjtit përbërës, të njëjtat receta e të njëjtat procedura përpunimi – por jo- nuk ja dilnin dot të na kënaqnin. Një synim i pamundur, përsa problemi nuk qëndronte te produkti por te konsumatori. Kishim ndryshuar ne! Garës së shijes, që nuk mund ta fitonte askush, ju atashua edhe gara për koston. Për të ishte më e lehtë të garoje sepse ishte më objektiv. Mjeshtërit u larguan nga tavolina e garës, në të cilën triumfuan ata që kënaqnin vetmashtrimin tonë të cmimit më të ulët për të njëjtin produkt. Kështu ndodhi edhe me recelin tim të preferuar, atë të ftoit. Amatorët, në kornizën e re të pranuar se shijen e asaj kohe nuk e arrijmë dot dhe cmimi më i ulët të bën fitues, zëvendësuan ftoin me karrotën në recelin e ftoit. Kush mund ti pengonte? Deontologjia! Deontologjia e kujt? Ata nuk ishin mjeshtër të bërjes së recelit të ftoit që synonin komercializimin e produktit të tyre, ata ishin vetëm ca tregtarë recelësh që për target kishin fitimin.
Në të njëjtën situatë amatoreske gjendemi me cështjet urbane. Larguam urbanistët dhe ja kemi besuar urbanistikën tregtarëve. Mirëpo, tregtarët japin përgjigje tregtarësh. Të mpleksur me interesa partie dhe të devijuar prej kohësh drejt formës në injorim të përmbajtjes, ata nuk na thonë dot të vërtetën thelbësore. Sikurse tregtarët që recelin e ftoit e bëjnë me karrotë nuk na e thonë dot pse produkti i tyre është shumë më i kuqeremtë dhe shumë më i ëmbël se origjinali sepse nuk mund të dëshmojnë mashtrimin, edhe tregtarët e urbanistikës nuk na drejtojnë dot në zgjidhje të cështjeve komplekse urbane. Kështu që na japin shfaqje me konkurse ndërkombëtare, të jurive ndërkombëtare dhe konkuruesve ndërkombëtar. Mirëpo, teatro të tilla përvecse nuk japin zgjidhje në përmirësimin e situatës urbane janë edhe antiligjore në tërrësinë e tyre. Të shesësh karrota të ziera e të sheqerosura për recel ftoi është një mashtrim publik dhe dënohet nga ligji. Sikurse është një maskaradë antiligjore seriale, të shesësh për projekte rilindjeje urbane shfaqje teatrale me juri, garues, procedura dhe organizator jashtë cdo kornize ligjore.
Për ta nisur nga qasja e fragmentarizuar e ofrimit të “zgjidhjes”. Që nga ligji i 1978 -ës e deri te ligji i vjetshëm ‘për planifikimin e territorit’, të gjithë saksionojnë karakterin hirearkik dhe të shkallëzuar të zgjidhjeve urbane. Nëse tenton të japësh zgjidhje për një pjesë të qytetit (projekt pjesor), ajo duhet të jetë parashikuar dhe miratuar në një propozim zgjidhje të një shkalle më të gjerë (plane urbane për tërrësinë territoriale të qytetit). Në të kundërt, propozimet e miratuara nga këto konkurse jo vetëm nuk qëndrojnë teknikisht për mungesë koordinimi vertikal, porse shkelin edhe ligjin. Për të vijuar me konkuruesit dhe vlerësuesit ndërkombëtar. Përtej kompleksit të inferioritetit fshatarak, pjesmarrja tyre është antiligjor. Jo vetëm sepse nuk ekziston asnjë ligj që përcakton si përzgjidhen për tu përfshirë, cka është një vendimarrje preferenciale. Pra e dënueshme nga ligji! Por edhe sepse, sipas ligjit shqiptar për të drejtat e ushtrimit të profesioneve, ata nuk janë fare arkitektë apo urbanistë. Mund të jenë arkitektët dhe urbanistët më të mirë të botës. Kush mund ta thotë me siguri!? Por nuk kanë të drejtën ligjore të ushtrimit të këtij aktiviteti në Shqipëri. Sepse të kryesh një aktivitet projektues në Shqipëri duhet të kesh kryer dy etapa: së pari të jesh diplomuar dhe së dyti të kesh kryer disa vjet praktika trainuese.
Për ta mbyllur me procedurat e “konkurimit” dhe “autoritetin” që i ndjek këto, mund të flasim shumë, por le të fokusohemi te më shteruesit ndër argumentat. Këto konkurse kushtojnë në vetvete dhe në fund të tyre shpërndahen para publike për fituesit. Bile, edhe për implementimin e projekteve fituese investohen para publike. Por pakkush nga këto gara i nënshtrohen kushtëzimeve ligjore mbi prokurimin publik. E njëjta situatë jashtëligjore me veprimtarinë e Agjensisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit që i organizon këto shfaqje. Edhe, sipas ligjit që kanë miratuar vetëm një vit më parë, autoriteti i saj është i paqënë në ushtrimin e këtij aktiviteti.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017