KËMBËSOREN ‘SKËNDERBEJ’ E VRAU KRYEBASHKIAKU RAMA! Mapo, 11. 11. 2015

Pas një periudhe disa mujore të propogandës artistike, kryebashkiaku Veliaj i është kthyer një prej temave më të partitizuara të fundmandatit të fundit të z. Rama. Jemi duke folur për ‘projektin belg’ të kthimit të sheshit ‘Skënderbej’ në një shesh këmbësor. Projekti, në të folurin e përditshëm, morri këtë emër për shkak të origjinës belge të studios 51N4E që punoi për hartimin e projekt idesë së këtij zhvillimi ku z. Rama kishte varur shpresën për një mandat të katërt si kryebashkiak. Fatkeqësisht, jo sepse besonte te vota e qytetarëve të impresionuar nga një hata e tillë urbane, porse besonte te aftësitë e tij të pashoqe për të triumfuar e ngadhnjyer në konflikte që publikut i shiteshin si politike. Mirëpo, qeverisja qëndrore Berisha nuk ra në këtë grackë dhe nuk e pengoi Kryebashkiakun e Tiranës në ekzibicionin e tij. Cka ishte një gjë e mirë në dimensionin e realpolitikës (në lidhje me aspiratat integruese Europiane të shqiptarëve) sepse i ashtuquajturi ‘stabiliteti politik’ i munguar mund ti dënonte sërisht, porse, ishte edhe vrasja e mundësisë së fundit që sheshi ‘Skënderbej’ të kthehej në një unitet këmbësor gjigant.
E theksova etiketën ‘unitet këmbësor gjigand’ për dy arsye. Së pari, për shkak të dimensioneve të saj të mëdha në marrdhënie me atë pjesë të qytetit në shërbim të të cilit mund të vendosej. Është e kuptueshme, shpresoj, për këdo që një këmbësore e tillë nuk mund t’i shërbej të gjithë Tiranës. Vështirë të besohet se qytetarë nga periferitë të vijnë për të ushtruar aktivitetin e ecjes në qëndër të Tiranës! Dhe së dyti, për shkak të perceptimit si një unitet i vetëm i kësaj hapsire të hapur. Duhet të jemi të moralshëm e të themi se pjesë të caktuara dhe jo vogla të kësaj hapsire janë tashmë këmbësore. Bile më shumë se kaq. Ato kanë, prej dy vjetësh, formatin e këndeve të gjelbëruar me funksion rekreativ, ku funksioni i ecjes mund të kryhet me lehtësi e vijueshmëri të pranueshme. Me pak fantazi të burokratëve të bashkisë apo të shoqërive private turistike, këto hapsira ku realisht mund ti preki vetëm këmba njerëzore, mund të ishin kthyer në linjën e një turi turistiko- historik për qytetin. Në një sipërfaqe të vogël përreth tij gjënden të mishëruara në objekte ndërtimore të gjitha fazat historike që ka kaluar qyteti, që nga krijimi e deri sot.
Mirëpo duhet thënë se kryebashkiaku i ri nuk e ka merakun te gjetja e mënyrave racionale për të përmirësuar cilësinë e jetesës së komuniteteve që banojnë në zonat përreth sheshit ‘Skënderbej’. Ai nuk po punon as për rritjen e shanseve realë që Tirana të fitoj një dimension turistik të munguar. Dukshëm ai po hakmerret për dështimin e ‘Kapitenit’ të tij. Ai po hakmeret ndaj qytetarëve, të cilëve do t’ju vështirësoj lëvizjen private e publike, duke ndërprerë të paktën katër akse rrugore dhe disa linja kryesore të shërbimit urban të qytetit. Dhe e gjitha kjo, vetëm për t’i treguar shqiptarëve se Kapiteni e mban fjalën! Mirëpo, Kapiteni nuk mund ta mbaj dot fjalën, sepse ishte ai që i vrau mundësitë që sheshi ‘Skëndërbej’ të kthehej në një unitet të vetëm këmbësor, edhe nëse pranojmë se kjo është një gjë e mirë për Tiranën urbane. Ai, për së pari, vrau mundësinë nga qasja makro. Me mënyrën e fragmentarizuar dhe apsolutisht të paplanifikuar sesi e lejoi zhvillimin, ai i pamundësoi Tiranës një zhvillim policentrik. Dhe vetëm një zhvillim policentrik mund të ulte volumin e lëvizjes në këtë nyje shumë active të flukseve të tranzitit.
Të pretendosh që burokratët apo politikanët vendor të Tiranës të kuptojnë se një qasje policentrike e zhvillimit do ulte nivelin e varësisë së komuniteteve ndaj sheshit ‘Skëndërbej’ si nyje tranziti, dhe se ky është parakushti bazik që sheshi të kthehej në këmbësor, ndoshta është e tepërt. Sidoqoftë, nuk është e tepërt të kërkosh të kuptojnë se dy lejedhëniet ndërtimore në zonën pranë kalasë së Tiranës, të z. Rama si Kryebashkiak, vranë mundësinë që ‘unaza e vogël’ të ndërtohej dhe të kryente funksionin për të cilin ishte projektuar që në vitin 1977. Dhe, nëse ‘unaza e vogël’ do ishte sot në funksion të plotë, ndoshta përdorimi i sheshit ‘Skëndërbej’ për lëvizje të motorizuar nuk do ishte domosdoshmëri. Thënë këtë, vijmë te e fundit mundësi që kishim dhe z. Rama na e vrau. Te projektimi i sheshit ‘Skënderbej’ në dy plane, nëntoka me lëvizshmëri motorike dhe mbitoka këmbësore. Kjo ishte mundësia e fundit, por edhe këtë e humbëm kur u betonua masivisht nëntoka e sheshit për depozitat e shatërvaneve të sipërfaqes, sipas ‘planit belg’. Ai vërtet nuk përfundoi, por u implementua aq sa për të lënë litarin jashtë!

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017