TËRMETET DHE URBANISTIKA. Liberale, 28. 09. 2019
Një ngjarje e jashtëzakonshme ndodhi të shtunën e
fundit kur qytetarët e Tiranës, Durrësit dhe disa qyteteve të tjera u sulmuan
në formën dhe përmasën që nuk e kishin përjetuar kurrë. Një tërmet i fuqishëm,
hyri në jetët e tyre për pak sekonda, për të mbetur aty për një kohë të gjatë.
Tërmetet janë një dukuri natyrore, që pa më të
voglin dyshim askush nuk mund ti parashikoj kur dhe ku do të ndonin. As
shoqëritë që i janë dorëzuar shkencës prej 500 vjetësh nuk e kanë privilegjin
që të paralajmërohen. Për këtë nuk ka asnjë diskutim, dhe unë besoj se edhe për
shumë kohë, e ndoshta asnjëherë, humanët nuk do ta paranjohin rrezikun që po ju
afrohet prej tyre. Në këtë kuptim, ne shqiptarët nuk duhet të ndihemi sikur
jemi “prapa bote”!
Ne jemi thjeshtë të keqqeverisur, dhe kjo mund të
konstatohet kudo ku individi varet nga qeverisja. Për të mbetur të tërmeti; ne
mund ta konstatojmë faktin në mënyrën sesi institucionet shtetërore kryejnë
detyrat e tyre në fazën post-tërmet. Një fazë shumë e rëndësishme kjo, në
raport me faktin sesa kohë dhe sa thellë do mbetet tërmeti në jetët e individit
të shoqërisë. Këtu individit i duhet shteti! Sa më mirë të reagojnë ingranazhet
e shtetit, aq më shpejt individi i kthehet normalitetit, dhe e kundërta. Për
këtë qëllim në vendet e mirëqeverisura, institucionet e qeverisë zhvillojnë
protokolle reagimi, të cilat i ndjekin me përpikmëri kurse vendet e
keqqeverisura e nisin cdo herë nga fillimi. Njësoj sikur të mos ishin ndeshur
ndonjëherë me një fenomen të tillë, shoqëritë e keqqeverisura për një kohë të
gjatë, fillojnë e improvizojnë reagime spontane dhe të fragmentarizuara.
Më vjen keq që e them për kombin tim, por ne
shqiptarët e kemi toleruar veten ti përkasim grupit të dytë të shoqërive, pra
atyre të keqqeverisura. Edhe ky tërmet, sikurse shumë sulme të tjera të natyrës
në vitet e fundit, dëshmon se ne jemi një shoqëri që, fillojmë të ndërtojmë
tualetin kur na duhet ta përdorim. Mirëpo, nëse nisim ta ndërtojmë kur na duhet
ta përdorim, vetëm pas pak tullave të vendosura nuk do na duhet më, kështu që e
ndërpresim ndërtimin për të vijuar me rutinat tona derisa të ndjejmë se na
duhet përsëri ta përdorim; dhe kështu vijojmë në cikle vet-përsëritëse pa pasur
kurrë tualet.
I bindur se, jo ky shkrim modes i opinionit por as dhjetëra
manuale të sjelljes qytetare në
demokraci, nuk mund ta ndryshonin dot menjëherë këtë qasje kulturore të
shoqërisë tonë; do të preferoja të kaloja te një gjë që shoqëria jonë e ka
utilizuar edhe më parë, por që duket se dekadat e fundit ka vendosur ta
injorojë. E kam fjalën për zhvillimin ndërtimor të planifikuar më parë dhe
vecanërisht; si mund të shërbehemi nga dija shkencore e urbanistikës, në mënyrë
që sulmi nga tërmetet të na rrezikojë sa më pak jetën dhe shëndetin, por edhe
mirëqënien pronësore.
Dy janë mjetet që mund të përdorim, kemi përdorur më
parë, dhe që duhet me urgjencë tju rikthehemi. Së parin kemi planifikimin e
nivelit kombëtar. Përvec planifikimeve territoriale të infrastrukturave, si
aeroporte, porte, rrjet kombëtar hekurrudhor apo rrugor dhe të tjera si këto;
një mirëqeverisje ka detyrë të angazhohet edhe me planifikimin dhe shpërndarjen
e balancuar dhe të duhur të popollsisë nëpër territorin kombëtar. E thënë me
fjalë më të thjeshta, e ka për detyrë të kontrollojë dhe në këtë kuptim të
përcaktorë vendosjen dhe shtrirjen e qëndrave të banuara nëpër territorin
kombëtar.
Ka shumë variabla që ndikojnë në një shpërndarje të
drejtë të popullsisë, por një nga më të rëndësishmet prej tyre është harta e
rajonalizimit të aktivitetit sizmik të vendit. Një zhvillim i paraprirë nga një
planifikim i tillë, pa dyshim që do ti ulte shumë rreziqet dhe dëmet nga një
sulm natyror si tërmeti. Në fakt, kjo vjen edhe për sulmet e tjera natyrore,
sikurse mund të jenë rreshjet e dendura, që gjithmon e më shumë po përmbysin
qëndrat tona të banuara. Mirëpo, qeveria jonë e rilindjes, jo për shtrirjen
territoriale të qëndrave të banuara që nuk i shkon mendja, që duhet pranuar që
nuk është një gjë kaq e lehtë; por as për planifikimin kombëtar të
infrastrukturave kombëtare nuk gjen dot kohë. A e keni dëgjuar Kryebashkiakun e
Republikës kur cdo javë prezanton nga një aeroport të ri që do të ndërtoj!
Së dyti është planifikimi i nivelit vendor. Aspekti
më i rëndësishëm i planifikimit vendor, që në fakt është arsyeja pse hartohen
plane urbane për qëndrat e banuara, është akomodimi në territor i rritjes së
qytetit. Thënë thjesht, dhënia përgjigje se ku do vendosen qytetarët e rinj të
qytetit, pra rritja natyrore (lindjet) dhe rritja mekanike (imigrimi) i
popullsisë. Ka dy mënyra për ta bërë këtë; ose nëpërmjet densifikimit të zonave
urbane të mëparshme, pra rritja e numrit të kateve të godinave; ose nëpërmjet
shtrijeve të reja urbane duke përshtatur për zhvillim të territoreve në gjendje
natyrore apo përdorime të tjera.
Cdo grup pune që duhet të ngrihet për të drejtuar
procesin e hartimit të Planit urban të qytetit duhet të përfshijë në vetvete inxhinierë
të specializuar për cështjet sizmike apo të mekanikës së dherave dhe të
orientohet nga hartat e mikrorajoneve të veprimtarisë sizmike apo studime të
tjera.
Sepse vetëm nën asistencën e kësaj ekspertize dhe këtij informacioni
tekniko-shkencor, një grupi i punës mund të bëj propozimet më të mira për
qytetin, përfshirë ato në lidhje me minimizimin e dëmeve nga tërmeti,
përmbytjet etj. Mirëpo, c’të themi për Planet territoriale të qyteteve tona;
ato janë hatuar nga një njeri i vetëm, janë Plane individuale, Planet e
Boerëve.
Comments
Post a Comment