PPP-TË SI NJË PREZANTIM I FASHIZMIT NË EKONOMI! Mapo, 30. 01. 2019
Prej vitesh, tashmë, mbetem në bindjen se nuk është
korrupsioni problemi më i madh i shoqërisë shqiptare. Problemi më i madh i saj është
se akoma pas 27 vjetësh nuk ka kuptuar themelet e sistemit ku po kërkon të
zhvillohet. Populizmi dhe demagogjia po e mbajnë larg kuptimeve të reja për
këtë sistem të ri, dhe të mbërthyer në mentalitetin etatist, i cili jo vetëm
nuk është i përputhshëm me sistemin e ri, por edhe vepron si një shkak për
korrupsionin e kudo shprehur. Korrupsioni nuk është shkaku i gjëndjes mjerane
të shqiptarëve, por pasoja; dhe ai nuk mund të luftohet nëse ne nuk
prezantohemi dhe përvetësojmë parimet mbi të cilat ngrihet sistemi i ri.
Ky shkrim modest i
opinionit është i fokusuar te instrumenti i ri ekonomik që ka “shpikur”
Rilindja, PPP-të; dhe ato që u thanë më sipër nuk mohojnë thelbin korruptiv të
tyre. Nuk duhet të jesh ekonomist, apo ekspert në cështjet e auditit për të
kuptuar se të gjitha projektet e programit të Partneritetit Publik Privat janë
thellësisht të korruptuara. Mjafton vetëm të krahasosh numrin e konkurentëve
dhe kostot e ndërtimit të ‘Bypassit’ të Vlorës e të Fierit, të zhvilluara si
tendera ndërkombëtarë, të financuara nga bankat Europiane dhe të mbikqyrura nga
organizmat e BE-s, me ato të ndërtimit të Unazës së Re, të zhvilluar nga
Rilindja; dhe cdo gjë qartësohet për këdo.
Në të vërtetë, PPP-të
janë më shumë sesa një instrument ‘thellësisht i korruptuar’, ato janë
konstruksion i pastër korruptiv të cilit i është veshur një fasadë “moderniste”
për tu dukur si një risi në ekonomi. Ishte dëshira e kastës për të përvetësuar
një sasi të caktuar të parave publike, e cila solli nevojën e konceptimit të
kësaj shakaje, që e propogandojnë si instrument ekonomik. Katapultimi nga
nevoja e qytetarëve dhe mundësitë e buxhetit publik, te dëshira e përfituesve
të PPP-ve, është aq i dukshëm sa pyetja e parë që të shkon në mend është: nëse këto
janë projekte ekonomikisht rentabël, pse nuk i zhvillojnë kompanitë me paratë e
tyre, si investime private?
Kështu duhet të ndodhte në sistemin e
demokracisë liberale dhe të ekonomisë së tregut të lirë, në të cilin ne
kujtojmë se kemi tranzituar. Nëse një projekt është fitimprurës, sipërmarësit
investojnë paratë e tyre apo të investorëve të tyre në të, dhe fitojnë para’
duke mbajtur vet rreziqet e zgjedhjes së tyre ekonomike. Dhe në këtë rast, këto
infrastruktura do kushtonin më lirë dhe do ishin më cilësore, edhe se rrugët që
po ndërtojmë me tendera ndërkombëtarë, të financuara nga bankat Europiane dhe
të mbikqyrura nga organizmat e BE-s; sepse zhvilluesit privat janë më të
interesuar se burokratët qeveritar, për të ulur kostot dhe ngritur cilësinë e
investimit të tyre!
Le ta shohim në këtë mënyrë: nëse një individ
do blente një produkt për veten, ai do synonte në treg cmimin më të lirë dhe
cilësinë më të mirë të atij produkti, sepse këtë produkt do ta paguante me
paratë e tij dhe do ta përdorte vet. Nëse një i afërm, do ti thoshte të përgjidhte
për të njëjtin produkt në treg sepse do ja paguante ky (i afërmi), individi do
kërkonte cilësinë më të mirë pavarësisht cmimit, sepse ndërsa do ta përdorte
vet pagesën do e bënte dikush tjetër. Tani le të imagjinojmë sikur këtij
individi ti duhej të blinte një produkt që as nuk do ishte i tiji dhe as do ta
paguante vet! Sigurisht, ai do ta bënte blerjen pa e vrarë mëndjen as për
cilësinë e as për cmimin.
Ky është instrumenti ekonimik që kemi njohur
deri tani, e quajmë tender apo prokurim publik, dhe është lloji i tretë i
shkëmbimit ekonomik. Varianti i mësipërm i këtij lloj shkëmbimi është varianti
më i moralshëm, sepse - sikurse realiteti na ka dëshmuar - ky lloj ka edhe
variantin kur blerësi negocion me shitësin, që blerësi të pranoj një cilësi më
të dobët dhe cmim më të lartë për produktin, nëse shitësi i jep blerësit një
zarf nën dorë! Këtë instrument kemi përdorur shpesh përgjatë kohës kur vërtet
tranzitonim për në kapitalizëm. Dhe në vend që ta zvogëlonim përdorimin e tij
që ta përmbyllnim tranzicionin, ne kemi kaluar në llojin e katërt, atë të
PPP-ve.
PPP-të janë ai lloj i
shkëmbimit ekonomik, ku shteti në rolin e blerësit, jo vetëm mund të përdori
pushtetin që ka mbi shpenzimet buxhetore për përfitime personale, por mund të
sajoj instrumenta që përfshijnë sektorin privat në aritjen e synimeve qeverisëse!
Synime që i shpall Udhëheqësi, pa lidhje me kombin dhe shoqërinë, dhe që
nënshtrojnë e asimilojnë edhe mjetet kapitaliste të prodhimit. Prandaj: PPP-të
nuk janë vetëm niveli më i lartë i korrupsionit qeverisës, por edhe një
materializim në praktikë i programit me
25 pika të Partisë Nacional Socialiste Gjermane të Luftës së Dytë Botërore. Ato
janë një prezantim i fashizmit në ekonominë e coroditur shqiptare!
Comments
Post a Comment