ËSHTË DURASANA AJO QË PRODHON KËTË MODEL UNIVERSITAR! Mapo, 10. 01. 2019
Protesta e studentëve të universiteteve publike është
legjitime sepse cdo grup interesi ka të drejtë të protestojë për gjëra që nuk i
vlerëson si të drejta. Ajo është edhe racionale, sepse kërkesat e saj
origjinalizojnë nga një gjendje jo normale e universiteteve publike. Është
ekzaktësisht sic thonë studentët, tarifat janë të larta për mundësitë e tyre
dhe të krahasueshme me ato europiane. Mirëpo, nga ana tjetër, edhe të ardhurat
e familjeve shqiptare nuk arrijnë të përballojnë me lehtësi kostot e jetesës, dhe
nuk janë të krahasueshme me ato në vendet perëndimore. Asnjë prej aspekteve
jetësore të qytetarit shqiptar nuk është e krahasueshme me ato të qytetarit
europian.
Prandaj, të paktën në kërkesat e prezantuara deri
tani, protesta e studentëve nuk është e drejtë. Do të ishte e drejtë, nëse
familja shqiptare do të jetonte si cdo familje europiane. Do ishte e tillë,
gjithashtu, nëse kërkesat e tyre do të ishin pjesë përbërëse të një seti të gjerë
kërkesash qytetare drejtuar sistemit politik shqiptar. Mirëpo, fakti dëshmon të
kundërtën! As jetesa studentore nuk është më e vështirë se jetesa e familjeve
shqiptare, dhe as kërkesat e tyre nuk janë zgjeruar me qëndrime politike që adresojnë
problematikat e gjera shoqërore. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, rruga që kanë
zgjedhur studentët për të zgjidhur hallet e tyre është edhe e pamoralshme.
Ata kërkojnë që investimin e tyre personal, për tu
specializuar në kurse universitare dhe pasuniversitare, me synim rritjen e
konkurueshmërisë individuale në tregun e lirë, ta realizojnë nëpërmjet varfërimit
të mëtejshëm të familjeve të tjera shqiptare! Mirëpo, ky interpretim, sikurse edhe
adresimi që sipas meje vjen vetëm nëpërmjet largimit të duarve të qeverisë nga
ky sektor, mbetet një qasje në minorancë për kuptimin dominues shoqëror. Ai që
na bashkon është fakti i gjithëpranuar se cilësia akademike e universiteteve
shqiptare lë shumë për të dëshiruar. Për këtë cështje, cdo fushë e veprimtarisë
intelektuale duhet të japi propozimet e veta për përmirësim.
Modestisht, këtë, do të tentojmë të bëjmë në këtë
shkrim të opinionit, vëzhguar nga fusha e zhvillimeve territoriale. Por që ta
bëjmë këtë, për së pari, duhet të dakortësojmë se masivizimi që dëmton cilësinë
nuk vjen si një aspiratë idealiste e rinisë shqiptare për të grumbulluar dije,
por si një nevojë pragmatike për të zotëruar diploma e tituj shkencorë. Kështu
ka qënë që në regjimin socialist, kur një i ri me diplomë universitare automatikisht
fillonte një punë me pagesë rreth 800 lekë në muaj, martohej me një person
gjithashtu të diplomuar; dhe sëbashku nisnin jetën si një familje me të ardhura
katër herë më të larta se një familje që nuk kishin diploma universitare.
Ky ishte konteksi formues për qasjen e shoqërisë
shqiptare ndaj arsimit të lartë në sistemin e ri. Megjithëse shumëcka duhet të
ndryshonte në të gjitha aspektet jetësore, qasja e shqiptarëve ndaj arsimit të
lartë shfaqet i njëjtë. Teorikisht, në sistemin e demokracisë liberale dhe
ekonomisë së tregut të lirë, që ne pretendojmë që po ndërtojmë, diploma nuk
duhet të ishte një determinues suksesi. Një sipërmarrës mund të ishte edhe pa
diplomë, dhe të njëjtën kohë të bënte më shumë sukses se një mjek, jurist apo
inxhinier. Kështu që, diploma si një dëshmi aftësie të supozuar, të c’vlerësohej;
kurse njohurive reale e të vlefshme në tregun e lirë, tju lartësohej dobishmëria.
Mirëpo, koha na fakton se kjo nuk ka ndodhur, ndërsa
është detyra jonë të gjejmë arsyet! Dhe arsyeja, vëzhguar nga fusha e
zhvillimeve territoriale, është Durasana. Është modeli i koncentrimit të
popullsisë në zonën qëndrore të Atdheut dhe braktisja e shpopullimi i
territoreve kufitare e periferike të tij. Sepse është ky model territorial që
kemi toleruar, dhe që na detyron: një model ekonomik, ku qytetari i suksesshëm
është ai që konsumon më shumë, jo ai që rrezikon, punëson dhe prodhon më shumë;
dhe një model social e politik, ku qytetari i suksesshëm është i punësuari në
shtet apo i favorizuari nga tenderat e PPP-të e partisë në pushtet.
Një qytetari të tillë, nuk i shërbejnë dijet për të
konkuruar drejt suksesit, atij i mjafton diploma universitare për të gjetur
punë te punëdhënësi më i madh i vendit: Shteti i gjithëpushtetshëm dhe i kudo
shtrirë. Prandaj, e vetjma rrugë është dhe do mbetet për shumë kohë,
rishpërndarja e balancuar e popullsisë nëpër territorin kombëtar. Vetëm një
model i tillë territorial mund të na sigurojë: një model ekonomik të orientuar
nga sipërmarrja, punësimi dhe prodhimi, që kërkon vlerësimin e guximit,
përgjegjshmërisë dhe kreativitetit që lind prej dijes; dhe një model social dhe
politik që c’vlerëson mbajtësit e kartonave të diplomave dhe titujve të pa
mbështetur në dije.
Super shkrim ��
ReplyDelete