CFARË DUHET TË KUPTOJMË NGA PROTESTA E BANORËVE TË ZONËS ASTIRIT! Mapo, 14. 11. 2018
Për të disatën ditë, banorët që preket nga
rizhvillimi e zgjerimi i unazës së re, po protestojnë në mbojtje të interesave
të tyre. Ngjarje shumë e mirë, kjo, në lidhje me angazhimin qytetar në cështjet
urbane, dhe në këtë kuptim, edhe në shërbim të demokracisë së aplikuar në
proceset vendimarrëse. Vendi ynë e ka domosdoshmëri një frymë të tillë
qytetare, pavarësisht se edhe ata vet e kanë formatuar protestën duke kufizuar
liritë dhe të drejtat e qytetarëve të tjerë që kanë nevojë të përdorin atë
infrastrukturë. Po kaq i rëndësishëm, gjithashtu, në kuptim të demokracisë së
aplikuar është edhe përfshirja e deputetëve të opozitës në këtë konflikt
qytetar. Të strukur në foltoren e selisë dhe studjot televizive, e vetmja punë
që kanë bërë është akuzimi i antarëve të qeverisë për krime monstruoze; dhe zhvendosja
e tyre nga statika e pozimit para kameras te dinamika e kundështisë qytetare,
në një protestë antiqeveritare është një zhvillim shumë pozitiv.
Sidoqoftë, kjo është një vendimarrje që i takon opozitës,
ndërsa ajo që na takon ne është pyetja; a mjafton një rotacion politik midis
kësaj qeverisje me një qeveri të opozitës, që cështja të zgjidhet? Sepse,
rotacioni në vetvete mund të jetë thelbësor për opozitën, kurse për qytetarët e
prekur nga ky projekt thelbi qëndron te ndryshimi i shkaqeve që prodhojnë
pasojën, për të cilën ata ndihen të rrezikuar dhe sulmuar në të drejtën e tyre kushtetuese
të pronësisë! Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje, na duhet të kuptojmë se kush
janë arsyet që i kanë nxjerrë këta njerëz në rrugë; dhe si mund të ndryshojnë
shkaqet që kanë prodhuar këto arsye. Ajo që po ndodh është shumë e thjeshtë;
qeveria kërkon të përmirësojë një aks shumë të rëndësishëm të infrastrukturës
rrugore dhe kjo është një gjë e mirë për qytetin. Në këtë pikë, të dyja palët e
përfshira në konflikt dakortësojnë, sepse edhe vet banorët që preken nga ky
projekt nuk janë kundër këtij zhvillimi.
Ajo për të cilën komuniteti lokal është ngritur në
protestë nuk ka lidhje me projektin në vetvete, ka lidhje me atë që projekti
sjell si konseguencë. Që projekti të zhvillohet duhet që ndërtesat e tyre të
prishen menjëherë dhe ata të dalin në rrugë të madhe pa asnjë mbështetje ose me
shumë pak para’ si dëmshpërmblim për dëmin që po pësojnë nga zhvillimi. Këtu
vijmë te absurdi i cështjes, tradicional në Shqipëri, që krijon këtë konflikt.
Nëse ndjekim mediat tradicionale apo sociale, si të vetmet mundësi që kemi për
tu informuar dhe kuptuar realitetin, pjesa dërmuese e shoqërisë shqiptare është
dakort që qeveria të dëmshpërblej familjet e dëmtuara nga ky zhvillim, në masën
e dëmit që ju është shkaktuar atyre. Dhe ky është absurdi që duhet zgjidhur: taksapaguesi
shqiptar, i vetmi pronar i buxhetit të shtetit, jep; kurse qeveria, menaxhuesja
e parave publike, nuk pranon të dorëzoje paratë që pronari pranon se i
detyrohet një pjese të vet!
Rrotacioni politik në pushtet mund të sjelli shumë
gjëra të mira, jo vetëm për opozitën, por edhe për individin, familjet dhe
shoqërinë shqiptare. Ai, përshembull, mund të ndryshojë qasjen e institucioneve
dhe agjensive qeverisëse, që kanë lidhje me lejimin, kontrollin dhe
disiplinimin e punimeve në ndërtim, në mënyrë që ato të kryejnë më me përgjegjshmëri
funksionet dhe detyrat e tyre ligjore. Dhe në këtë kuptim, mundet, që
institucionet dhe agjensitë e një qeverisje të opozitës së sotme, të
kontrollonin më mirë territorin për ndërtime paleje apo shtesa paleje në ndërtime
të mëparshme; dhe kjo do ndikonte shumë në uljen e kostove për shpronësime.
Ato, gjithashtu, mund të shtrinin në një kohë më të gjatë komunikimet dhe
negocimet me familjet që po dëmtohen nga ky zhvillim; dhe kjo do të ndikonte
pozitivisht në proces. Por kurrësesi nuk mund të presim që rrotacioni politik në
vetvete mund ta adresojë absurdin për të cilin po flasim.
Sepse rrënjët e këtij absurdi lidhen me atë që
gjendet midis qeverisë dhe popullit; legjislacionin. Nëse duam ta zgjidhim këtë
cështje, dhe shumë të tjera të ngjashme që do vijnë në vazhdim, duhet të
ndërhyjmë në të paktën dy legjislacione. Së pari, në legjislacionin që
rregullon cështjen e shpronsimeve, në mënyrë që cdo qytetar i dëmtuar nga
zhvillimi të dëmshpërblehet në masën e plotë të dëmit që ka pësuar. Dhe së
dyti, në legjislacionin e legalizimeve, në mënyrë që jo vetëm të mos ketë
trajim të ndryshëm për qytetarë që kanë shkelur të njëjtin ligj, dhe që ky
proces i tejzgjatur të përfundoj sa më shpejt, por mbi të gjitha që gjithë
palët e përfshira në këtë zhvillim të paligjshëm por të amnistuar, të
përfitojnë në mënyrë propocionale me kontribunin në të. Kjo është rruga e
vetme, që bujaria e taksapaguesve të shpërblehet me mirëqeverisje dhe kohesion
shoqëror, gjë që qeveria aktuale nuk mund ta bëj dot më, kurse opozita mundet,
nëse do dhe di.
Comments
Post a Comment