VELIAJ DHE SERVITUTI OLIGARKIK. Mapo, 30. 04. 2018
Lavdisë mediatike,
kombëtare e ndërkombëtare, të kryebashkiakut Veliaj duket sikur ju morën këmbët
kur opinionistë të ndryshëm i kujtuan, këtij, shkeljen e premtimit për
moratorium ndërtimor në Tiranë. Disafishimi i lejeve të dhëna për pallate e
kulla në kundështim me këtë premtim nuk u përtypën lehtë nga qytetarët e kryeqytetit,
pavarësisht sec qëndrim mbajti secili për këtë tematikë urbane. Tashmë opinioni
i përgjithshëm publik, është gjerësisht i unifikuar në tezën se Shqipëria
drejtohet nga një grusht i vogël njerëzish dhe se qeverisja lokale e Tiranës
nuk bën përjashtim nga ky realitet. Personalisht ndaj mendimin se vendi, për së
pari Kryeqyteti, drejtohet nga një grusht oligarkësh, të cilët nuk janë as
vetëm sipërmarrës të pasur dhe as vetëm politikanë të lartë. Prandaj, sot
Shqipëria ka bisnesmenë që ushtrojnë pushtet real qeverisës pa u votuar nga
askush, dhe politikanë që pasurohen pa qenë asnjëherë aktorë në tregjet
ekonomike.
Ky është konteksi, ku
administratat vendore apo kombëtare vigjëlojnë të kënaqin interesat speciale të
këtij grushti të vogël njerëzish, dhe ky është kuptimi im në shërbim të këtij
shkrimi mbi punët publike të Tiranës, për konceptin ‘oligarki’. Ndërsa, koncepti
tjetër që do ta bënte të plotë kornizën formuese të shkrimit është termi ‘servitut’.
Ai rrjedh nga shqyerja e togfjalëshit ‘servitut publik’ që emërton një
instrument të menaxhimit urban dhe që përkufizohet si një barrë që i vendoset
një apo më shumë pronave private në dobi të interesit publik, përgjatë proceseve
të zbatimit të planeve urbane të qytetit. I përdorur me përgjegjshmëri të lartë
publike, ky instrument i kontrollit të zhvillimit urban mund të ndihmojë shumë
administratën vendore në përmirësimin e situatës urbane, por në realitetin e kryeqytetit
të drejtuar nga kryebashkiaku Veliaj ‘servituti publik’ degjeneron në ‘servituti oligarkik’. Dhe kjo është cështja për të cilën po flasim sot.
Sot po flasim për, sesi
një strukturë e korruptuar (e kalbur apo e ndërtuar keq) e ushtrimit të
pushtetit qeverisës mund të devijojë një instrument menaxhimi publik, nga në shërbim
të të mirës publike, në shërbim të interesave të oligarkisë. Kuptimi praktik i
këtij deformimi janë punët publike të tipit të katër të administratës së sotme
të Tiranës, të cilat vlejnë pak, asfare apo dëmtojnë dimensionin urban të
qytetit, ndërkohë që kënaqin nevojat dhe interesat speciale të një grushti të
vogël njerëzish të privilegjuar. Ky grup investimesh publike, që e kemi emërtuar
‘servituti oligarkik’, përfshin: zhvillimin e ‘Bulevardit të Ri’ dhe parkimin
nëntokësor në fillim të tij; zhvillimin e ‘Këmbësores Skënderbej’ dhe parkimin
nëntokësor poshtë tij; shkatërimin e ‘Luna Parkut 7 Xhuxhat’ dhe kthimin e saj
në një hapsirë të hapur dhe të gjelbërt; dhe të tjera projekte si këto, që
megjithëse janë financime të parave publike nuk shkojnë në dobi të publikes.
Sepse qytetarëve të Tiranës
nuk i duhet një tejshtrirje e re urbane si ajo e ‘Bulevardit të Ri’, por
investime për ribërjen e blloqeve ekzistuese të banimit. Mirëpo, ndryshe nga
qytetarët e Tiranës, oligarkët e Tiranës kanë nevojë për shtrirjen e re të
‘Bulevardit të Ri’ sepse e kanë më të vështirë dhe ju kushton më shtrenjtë të
bëjnë marrveshje për të ndërtuar pallate, me trashëgimtarët e shumtë të trojeve
në shtrirjen eksistuese të Tiranës së vjetër. Kështu që bëjnë marrveshje me
oligarkët e politikës për troje në pronësi publike apo pronësi private nën
presionin e politikës që ‘mund ti kthej në lulishte’. Qytetarëve të Tiranës nuk
i duhet, gjithashtu as një këmbësore si ajo e ‘Sheshit Skënderbej’ apo një
hapsirë e gjelbëruar në vend të ‘7 Xhuxhave’, aq sa i duhen sheshe dhe hapsira
të hapura në cdo bllok ekzistues banimi apo aq sa i duhen kënde lojrash për
fëmijë, hapsira rekreative, të gjelbërta e sportive për cdo grupmoshë në cdo
bllok ekzistues banimi.
Mirëpo, ndryshe nga
qytetarët e Tiranës, oligarkët e Tiranës kanë nevojë për ‘Këmbësoren e
gjelbëruar Skënderbej’ dhe ‘Sheshin e gjelbëruar 7 Xhuxhat’ sepse kullat që po
ndërtojnë përreth tyre, mund të realizojnë fitime më të mëdha në shitje apo në
përdorim nëse fqinjësojnë me hapsira të hapura, të gjelbërta dhe këmbësore. Përdoruesit
e privilegjuar të këtyre kullave mund të ndihen të bezdisur nga ndotja vizive
apo akustike e përdorimeve të tjera urbane të qytetarëve të zakonshëm, si
lëvizja motorike apo aktivitetet e fëmijëve. Ndryshe nga qytetarët e Tiranës, oligarkët
e Tiranës kanë nevojë edhe për parkime të mëdha në shërbim të përdoruesve të
nesërm të kullave që po ndërtojnë. Sepse këto parkime nëntokësore, jo vetëm i
bëjnë kullat e tyre më lehtësisht të aksesueshme dhe më atraktive në tregun
imobiliar, por edhe sepse financohen me paratë e qytetarëve që përditë e më
shumë po humbin qytetin nga punët e ‘njeriut që punon’.
Comments
Post a Comment