DISA SHTYLLA KOMBËTARE PËR NJË RISHPËRNDARJE TË BALANCUAR DEMOGRAFIKE. Mapo, 09. 04. 2018
Përvec ndërtimit të ndonjë dogane të re brenda
territorit Shtetëror, qeveria jonë qëndrore ka pesë vjet që nuk kryen asnjë
funksion të nivelit kombëtar të qeverisjes territoriale. Kryeministri është vet-konvertuar
në një Kryebashkiak të Republikës dhe udhëheq vendin nëpërmjet disa drejtorëve
qëndror (ministra) dhe disa të tjerëve lokalë (kryebashkiakë). Ndërkohë vendi i
është nështruar braktisjes totale nga shtetasit që shkojnë në perëndim;
territoret periferike po shpopullohen me shpejtësi nga qytetarët që vijnë të
jetojnë në Durasanë; dhe shoqëria shqiptare po pëson plakjen më të shpejtë, edhe
se në kohëra luftrash të përgjakshme, si pasojë e nivelit të ulët të lindjeve.
Kjo është Shqipëria e sotme, që edhe pas 25
vjetësh nuk po arrin dot të krijojë modele politike, ekonomike, sociale e
kulturore që ta drejtojnë drejt një mirëqënie minimale për shtetasit e saj.
Modele pa të cilat nuk mund të ëndërojmë asgjë ndryshe nga ajo që kemi, por edhe
të pamundura të zhvillohen nëse nuk e nisim me një model të ri të zhvillimit
territorial të Atdheut. Mirëpo, pakkush nga elita intelektuale e vendit dhe
askush nga mbajtësit e pushtetit politik në vend, po e kupton këtë gjë. Qeveria
jonë qëndrore spostohet nga qëndrat e qyteteve në ato të fshatrave, pa e
kuptuar sesa shumë ka në dorë për ta ndryshuar këtë realitet që po vret të
sotmen dhe të ardhmen.
Në këtë shkrim modest të opinionit do flasim për
cfarë mund të bënte një qeveri e përgjegjshme kombëtare për të penguar
shtrirjen e këtyre tre metastazave që po mbysin kombin e po shkretojnë atdheun.
Një qeveri e tillë duhet ta niste me një qëndrim të qartë e të fortë politik për
një rishpërndarje të balancuar të popullsisë nëpër territorin kombëtar. Plane,
programe, projekte dhe normativa të përgjithshme, ndërsektoriale dhe sektoriale
kombëtare duhet ta materializonin këtë qëndrim politik gjithëpërfshirës. Instrumentat
kombëtarë territorial duhet të detajoheshin deri në përcaktimin e një fashe numerike
të popullsisë së detyruar për cdo njësi të qeverisjes vendore.
Pas kësaj kornize të qartë të politikave
kombëtare, detyruese dhe/ose orientuese për njësitë e qeverisjes vendore, një
qeverisje e përgjegjshme kombëtare duhet të ndërmerrte procese të forta
decentralizimi të funksioneve qeverisëse. Në mënyrë të vecantë decentralizim
fiskal, i cili ti mundësonte administrative lokale të ndërmerrnin procese
gjithëpërfshirëse të ringritjes politike, ekonomike, sociale e kulturore të
qytetit. Do ishte kjo qasje decentralizuese që do krijonte parakushtin që
njësitë e qeverisjes vendore, mbështetur në specifikat gjeografike dhe
kulturore të tyre, të hynin në konkurencë me njëra-tjetrës për të tërhequr sa
më shumë bisnese dhe qytetarë.
Një qeverisje qëndrore e përgjegjshme ndaj
përgjegjësive qeverisëse që ka marrë përsipër duhet ti jepte një theks të
vecantë rrjetit të transportit kombëtar. Mungesa e një rrjeti rrugor që lejonte
transit të shpejtë e të sigurtë ishte një nga arsyet bazike pse banorët e
zonave të thella dhe periferike të Atdheut imigruan në zonat qëndrore dhe
perëndimore të tij, në fillim të viteve ’90-të. Të izoluar në vendbanimet e
tyre si pasojë e mungesës së akseve kombëtare, banorët e zonave të thella ishin
shumë të justifikuar ti braktisnin vendbanimet e të parëve. Mirëpo, pas pothuaj
30-të vjetësh është plotësisht e pakuptueshme që këta qytetarë përplasen me të
njëjtat barriera.
Një arsye po kaq themelore që stimuloi
imigracionin në fillim vitet ’90-të, si produkt i prishjes së balancave të
vendosura nga regjimi i mëparshëm që kishte rënë, ishte edhe mungesa e ofrimit
të dy shërbimeve themelore publike, sic janë shëndetësia dhe arsimi. Të cliruar
nga shtrëngimi shumë mjek dhe arsimtar të “hedhur” në zonat e thella u larguan
drejt vendlindjeve të tyre. Pas tre dekadash, një qeveri e përgjegjshme qëndrore
në koherencë me mekanizmat e tregut të lirë duhet të gjej mënyrat ta rimbushi
këtë zbrazëtirë. Jo vetëm eksperiencat e vendeve perëndimore, por edhe
praktikat shqiptare të kohës së mbretërisë mund të na orientojnë drejt një ekuilibri
të ri.
Një qeveri e përgjegjshme mund të bëjë shumë
për balancimin e popullsisë nëpër territorin kombëtar edhe nëpërmjet orientimit
të investimeve private. Kapitalet e lira kanë vetëm tre nevoja themelore për tu
investuar: lëndë të para; tregje dhe burimet njerëzore. Në një vend si
Shqipëria ku ekonomia prodhuese është akoma në faza foshnjore, lëndët e para dhe
tregjet për prodhimet vendase nuk mungojnë. Ndërsa, burimet njerëzore janë nyja
lidhëse midis investimit dhe mungesës së vendeve të punës që detyron braktisje vendbanimesh.
Asgjë nuk mungon, përvecse një qeverisje qëndrore e përgjegjshme që i
përkushtohet atyre detyrave për të cilat është votuar.
Comments
Post a Comment