BALANCIMI I POPULLSISË NËPËR TERRITORIN KOMBËTAR ËSHTË DOMOSDOSHMERI! Mapo, 31. 01. 2018
Tre tumoret që kanë shtrirë metakstazat në
trupin social dhe territorial të Atdheut: imigracioni nga territoret periferike
dhe kufitare drejt Durasanës; emigracioni masiv drejt vendeve të zhvilluara perëndimore;
dhe ulja e rritjes natyrore të popullsisë po e shkatërrojnë Shqipërinë e sotme.
Cdo simptomë që konstatohet në mënyrën tonë të jetesës, dhe që mëndjet e pastërvitura
ja faturojnë sistemit kapitalist, ka komponent shkaktues të paktën një nga këto
tre tumore. Të treja kërkojnë ndërhyrje radikale dhe të menjëheshme, por ne do
fokusohemi te balancimi i shpërdarjes së popullsisë nëpër territorin kombëtar,
sepse ky është kurimi ku rezultatet mund të jenë më të shpejta dhe politika ka
kompetenca dominuese. Sepse politikat publike jo vetëm mund të stimulojnë një
qasje patriotike të shoqërisë për të mos u larguar më nga trojet e të parëve apo
për të rikontruktuar modelin e saj politik dhe ekonomik, por edhe për synime të
tjera kombëtare.
Në këtë shkrim modest të opinionit do
fokusohemi vetëm te disa prej tyre, duke e nisur me problematikën akute të
dëmeve nga përmbytjet. Tashmë ato janë të konsiderueshme dhe dimensioni periodik
i tyre na shtron përgjegjesinë shoqërore për ti dhënë një zgjidhje reformatore
dhe të guximshme. Kjo na hap dyert për ta trajtuar cështjen e dëmshpërblimeve për
përmbytjet si një komponent të agregatit të cështjeve territoriale. Nga njëra
anë përmbytjet shkaktojnë dëme në banesa dhe mjete prodhimi (dëmshpërblimi apo
zëvendësimi i të cilave ka kosto, pavarësisht kush i përballon), dhe nga ana
tjetër koncentrimi i popullsisë ka krijuar banesa apo mjete prodhimi të
papërdoruara, që gjenden në treg me cmim të ulët. Vlerësuar rast pas rasti,
atje ku është e mundshme dhe zgjidhje më e mirë, ne nuk duhet të dëmshpërblejmë
por të zhvendosim banorët e dëmtuar në zonat e përshtatura për zhvillim por të
braktisura për shkak të imigracionit.
Një problem i madh global, me të cilin
shoqëria shqiptare gjithashtu duhet të përballet, janë impaktet nga ndryshimet
klimatike. Studime serioze europiane (programi ESPON) thonë se rajonet më të
prekura nga këto impakte gjenden në Europën Lindore dhe vendet e Mesdheut, veçanërisht
në ato vende ku ekonomia është në varësi të thellë nga industria e turizmit
veror. Ekzaktësisht, sikurse ne po tentojmë (ëndërojmë) ta drejtojmë ekonominë
tonë, dhe pa marrë asnjë masë balancuese. Të njëjtat studime theksojnë se
rajonet veriore dhe malore jo vetëm nuk po impaktohen negativisht, por po
përfitojnë nga këto ndryshime klimatike. Ndërkohë, trendi i imigracionit
shqiptar është në kah të kundërt, nga zonat malore e veriore drejt zonave
bregdetare dhe të ultësirës perëndimore. Për këto arsye, duhet të orientojmë
politika publike që synojnë, së pari, frenimin e këtij fenomeni imigrues, dhe më
tej, ripopullimin e zonave veriore e malore.
Nëse bëjmë një analizë mbi vëzhgime të
situatës urbane në vend do të identifikojmë me lehtësi se qytetet shqiptare, në
këto 27 vjet, janë zhvilluar të diferencuara në dy tipologji diametrikisht të
kundërta: në qytete me shtrirje të gjerë (të tejshtrira), të mbipopulluara dhe me
densitete të larta banimi (banor për njësi të sipërfaqes); dhe në qëndra të vogla
banimi, të nënpopulluara dhe me densitete të ulta banimi. Dhe kjo është një
mënyrë shumë e keqe zhvillimi, jo vetëm se impaktet nga ndryshimet klimatike
janë të larta, por cka është më e rëndësishme edhe se kostot për administrim
dhe menazhim publik janë të papërballueshme. Qyteteve të mëdha ju mungojnë
hapsirat e hapura apo korridoret rrugore për të zhvilluar infrastrukturën
inxhinierike apo sociale, edhe në rastin kur paratë publike nuk mungojnë. Kurse
qëndrave të vogla urbane ju mungojnë paratë (sepse mungojnë taksapaguesit) për
këto investime, megjithëse nuk ju mungojnë territoret.
Shoqëria shqiptare duhet të kuptoj sa më
shpejt se ky shteg që kemi marrë na drejton e mban asgjëkundi tjetër vecse në një Atdhe
territorialisht të përdhosur, të braktisur dhe të disbalancuar në popullim; në
një sistem politik të centralizuar dhe të dominuar vetëm nga tre-katër njerëz;
në një model ekonomik oligarkik të mbështetur vetëm në konsum; në një model urban
të mbështetur vetëm në dy tipologji qëndrash të banuara të cilat prodhojnë
varfëri urbane, keqjetuarje dhe shëndet public të rrezikuar. Është dhe mbetet
detyrë patriotike e elitës politike të marri një qëndrim të qartë politik për
një rishpërndarje të balancuar të popullsisë nëpër territorin kombëtar. Është
dhe mbetet detyrë deontologjike e elitës teknike dhe intelektuale që këtë
qëndrim politik ta përkthejnë në teza teknike. Dhe është e mbetet obligim i
administratës publike që këto teza teknike që zbërthejnë këtë qëndrim politik, ti
përkthejnë masa, programe dhe projekte konkrete.
Comments
Post a Comment