KEQKUPTIMET QË KEMI TOLERUAR PËR CËSHTJET E QYTETIT. Mapo, 06. 09. 2017
‘Ky
qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë’, thoshte
Platoni. Ai fliste për Athinën e 2400 viteve më parë, por duket se ky pohim
është universal. Profesionistët e bërjes së qytetit mund të nxjerrin me qindra
arsye kontekstuale, por duket se kjo sentencë platoniane i përmbledh të gjitha.
Qyteti fizik zhvillohet në përputhje me kulturën e qytetarëve të tij. Me
kuptimet e tyre, me stilin e tyre të jetesës, me mënyrën e tyre të
ndërveprimit njerëzor dhe gjithcka
tjetër që formojnë atë që ne e quajmë kulturë qytetare. Në këtë shkrim do të
fokusohemi te disa kuptime të gabuara (keqkuptime) tonat që po ndikojnë për keq
në cështjet e qytetit.
Ta nisim me keqkuptimin se qytetet shqiptare
kanë nevojë për projekte zbukuruese. Ngatërojmë konceptin e ‘bërjes me estetikë (bukur) të gjërave që
duhen bërë’ me konceptin ‘bërjes së
gjërave të bukura’, duke injoruar totalisht të nevojshmen për qytetin. Cdo
projekt urban i qeverisë së sotme është një shembull praktik i këtij keqkuptimi.
Edhe nëse pranojmë për një moment se këto projekte i kanë zbukuruar këto
qytete, kurrësesi nuk mund të pretendojmë se i kanë bërë këto qytete më mirë të
jetueshme! Sot qytetarët shqiptarë vuajnë mungesa bazike jetësore, të njëjta me
qytetarët perëndimor të kohës së fillim-bumit të Revolucionit Industrial.
Një keqkuptim tjetër që kemi pranuar është
njësimi i plotë i ndërtimtarisë me sektorin e ndërtimit të banesave. Kurdo kur
ne flasim për industrinë e ndërtimit në mendjen tonë shfaqet imazhi i vetëm i
godinave të banimit (pallatet). Nëse këtij kuptimi i shtrojmë edhe ndikimin
psikologjik të këtyre godinave, imazhi merr formën e një vargmali betoni që na bllokon frymëmarrjen. Mirëpo,
praktikat ndërtimore përmbledhin edhe infrastrukturat inxhinierike dhe sociale
që i kthejnë grumbujt e ndërtesave të banimit nga fjetore kolektive në qytet
funksional. Këtu gjëja bëhet problematike, sepse atje ku duhet të gjejmë
zgjidhjen ne shohim vetëm problemin.
Kjo na drejton në një keqkuptim tjetër. Atë të
përgjigjes së gabuar që i japim si zgjidhje situatës së keqe urbane duke
bllokuar industrinë e ndërtimit. Kjo ishte zgjidhja që qeveria e sotme i dha
problemeve të shumta urbane. Rezultati është evident. Situata u agravua akoma
më tej, sepse ndërtimtaria e pallateve është një sektor që nuk mund të
bllokohet përsa prodhon para’, kurse sektorët e ndërtimit të infrastrukturave
mbeten në vend përsa ato janë monopol i qeverisë dhe vet qeveria vendosi ti
bllokojë. Duke i shtuar këtu edhe ndikimin e keqkuptimit të parë, përsa
infrastrukturat nuk janë elemente zbukurimi, qytetet tona do vijojnë të mbeten
fjetore kolektive.
Një keqkuptim tjetër
që kemi toleruar është se sa me e madhe ndërtesa aq më shumë fitohet prej saj, por edhe aq shumë dëm i bëhet qytetit!
Në fakt ky është një keqkuptim konteksual, dhe ka ndikim vecanërisht në këtë
fazë të zhvillimit të qyteteve shqiptare. Është e kuptueshme që urisë, në vitet
e para të tranzicionit, për sipërfaqe të banueshme dhe hapsira të shërbimeve e
të shitjes me pakicë i duhej dhënë një ushqim i bollshëm. Mirëpo sot kemi një
tejngopje të tregut me banesa dhe njësi tregtare, aq sa mijëra prej tyre mbeten
të pashitura në të gjithë Shqipërinë. Ndryshimi i tipologjisë së banesave në
ndërtim, duke i diversifikuar me ndërtesa në volume më të vogla, është një
domosdoshmëri.
Keqkuptimi se ndërtimet paleje qënkan e keqja
e vetme e qëndrave të banuara shqiptare, duket sikur na vjen jashtë sistemit
legal të zhvillimit ndërtimor. Në fakt ishte paaftësia e sistemit për ti
përthithurt brenda vetes që lejoi daljen e tyre më vete. Përvec kësaj, në të
gjitha aspektet: urban; mjedisor; estetik; higjenik; bile edhe ligjor nuk ka
asnjë ndryshim midis ndërtimeve paleje dhe ndërtimeve me leje! Ndryshimi i
vetëm është një copë letër që e quajmë ‘leje ndërtimi’. Ndryshe nga praktikat
tona të deri tanishme, këto aspekte duhet të jenë synimi për të pasur qytete të
jetueshme, kurse lejimi burokratik është thjeshtë mjeti për ti arritur ato
synime dhe atë rezultat.
Janë këto, dhe të tjera keqkuptime, që na
drejtojnë në përgjigje të gabuara ndaj problemeve të shumta urbane, mjedisore,
estetike, higjenike, por edhe shoqërore, të qëndrave tona të banimit.
Keqkuptime që shoqëria shqiptare i ka pranuar përgjatë udhëtimit të deritanishëm,
por në të njëjtën kohë ndërtojnë realitet urbane të së ardhmes. Prandaj është
një domosdoshmëri të ndalojmë, të identifikojmë problemet e vërteta të qyteteve
tona, dhe në mirëkuptim të tyre të gjejmë përgjigjet më racionale e më pak të
kushtueshme. Burokratët, teknikët dhe politikanët kanë vendin e tyre bazik, por
fjalën e parë dhe të fundit në bërjen dhe ribërjen e qytetit e kemi ne.
Comments
Post a Comment