DËSHTIMI I PARALAJMËRUAR DHE DOMOSDOSHMËRIA E MBETUAR PËR NJË REFORMË TERRITORIALE. Mapo, 27. 09. 2017
Me një fjalë një
dështim i plotë për një reformim bazik qeverisës, që ka qenë dhe mbetet më
shumë se i nevojshëm në këtë stat të zhvillimit dhe modernizimit të vendit. Nevojë
kjo që ka evoluuar nga tentativat e ministrit Blushi 2004 dhe Olldashi 2006 në
domosdoshmëri në vitin 2009, kohë kur qeveria e asaj kohe draftoi një ligj të
ri për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Ishte ky ligj shumë modern dhe
i mbështetur në parimet bazike të devizës themelore të BE, atë të qeverisjes së
mirë, që kushtëzonte një reformim të thellë dhe të plotë të administrimit lokal
dhe qeverisjes territoriale. Atje ku qeverisja Nano dhe Berisha dështuan për të
krijuar mazhorancën parlamentare që kërkon miratimi i një reforme të tillë,
duket se suksesoi qeveria Rama! Ai, edhe me ndihmën e ndërkombëtareve, arriti
të grumbullonte numrin e nevojshëm të deputetëve për ta miratuar, ndërkohë që
dështoi në konceptimin dhe formulimin e duhur të saj!
Reforma Territoriale dështoi,
së pari, në kuptimin demokratik sepse pushteti ju largua qytetarit. Zvogëlimi i
numrit të njësive vendore për administrimin e të cilave ushtrohet aktiviteti i
përzgjedhjes me votë, ka si rrjellim logjik zmadhimin e shtrirjes territoriale të
tyre, dhe kjo nënkupton një numër më të madh votuesish për përzgjedhjen e kryebashkiakut.
Largimi i mundësisë për të kushtëzuar me votë, zvogëlon edhe ndikimin e votës
qytetare dhe kjo ka ndikim direkt në demokracinë vendore. Reforma territoriale dështoi,
gjithashtu edhe, në kuptimin e cilësor dhe sasior të shërbimeve publike që
pushteti vendor është i detyruar me ligj t’ju ofroj qytetarëve. Zëvendësimi i
kryekomunarëve/bashkiakëve të njësive të vogla me administratorë, e pa shoqëruar
kjo me kalim të funksioneve qeverisëse nga kryebashkiakët te administratorët, rezultoi
me burokraci të shtuar dhe produktivitet të munguar të performancës së këtyre
të fundit.
Por tentativa për të
bërë një Reformë Territoriale dështoi edhe në synimin e saj parësor, atë
ekonomik. Sot 13 bashki të reja mund të konsiderohen të falimentuara, 9 nga të
cilat pas Reformës. Parashikimit të parareformimit se bashkitë e reja do
fuqizohen ekonomikisht sot i vihet përballë fakti empirik se, detyrimet e
prapambetura të pushtetit vendor kanë arritur në vlerën e 90 milionë dollarëve.
Një raport fundit i Ministrisë së Financave ka evidentuar se vetëm gjatë
tremujtorit të dytë të këtij viti, ky borxh është rritur me 37 milion dollarë
dhe nga 61 njësi të pushtetit vendor 57 prej tyre janë në borxhe. Megjithëse
hartuesit e kësaj reforme na premtuan një kursim të parave publike prej 80
milion euro, duket se vetëm për vitin 2018-të qeveria do të rritë transfertën
nga buxheti për bashkitë në masën 5%, ndërsa do të fillojë të japë edhe 25% të
të ardhurave nga taska e qarkullimit të automjeteve dhe 2% nga tatimi i të
ardhurave personale.
Dukshëm e
ashtuquajtura Reformë Territoriale degjeneroi në një hartë më ngjyra të bukura,
ndërsa nevoja për një reformim të tillë mbetet si një shpatë e ngritur mbi
kokën e demokracisë lokale dhe ekonomisë kombëtare. Ajo duhet trajtuar
seriozisht mbështetur në dy parakushtet bazike për suksesin e saj. Nuk mund të
projektohet një ndarje apo bashkim mekanik i njësive ekzistuese të qeverisje
vendore pa vendimarrë më parë për një shpërdarje të balancuar të popullsisë në
territor, dhe një ndarje proporcionale të funksioneve qeverisëse midis niveleve
të qeverisjes. Vetëm kështu mund të projektojmë mundësi konkrete për bashki në
sukses ekonomik, mjedisor e social që menaxhojnë e administrojnë territore të
populluara nga qytetarë dhe famije në prosperitet. Shanset i kemi, diskursi
opozitar po na i premton, na mbetet vetëm të guxojmë!
Comments
Post a Comment