VIJIMI I ‘RILINDJES URBANE’ KËRKON REFERENDUM KOMBËTAR! Mapo 16. 08. 2017
Samiti i Triestes na dha një leksion papagesë. Ai i
tregoi edhe më besimtarëve të Rilindjes se ka dicka të rëndë që nuk funksionon
me qeverisjen. Sigurisht, ai foli për njerëzit që duan të dëgjojnë. Në asnjë
rast, nuk foli për shqiptarë që janë ‘pro’ cdo gjëje që bën qeverisja, vetëm se
ajo është e partisë së tyre. Për këta, Samiti i Triestes na ‘renditi në vend të parë me pesë projekte’ dhe
kjo flet për suksesin e Qeverisë Rama. Kurse njerëzit që duan të dëgjojnë,
dëgjuan. Samiti i Triestes, i konsideruar jo si një xhep me para’ europiane për
vendet e Ballkanit Perëndimor, por si një test aftësie dhe eficense për
qeveritë e këtyre vendeve, na dëshmoi se qeveria jonë ishte totalisht e
papërgatitur për të konkuruar në evente të tilla me projekte infrastrukturore
kombëtare. Nuk ekziston matje më e saktë se kjo, për vizionin qeverisës të një
vendi që aspiron të jetë pjesë përbërëse dhe e barabartë e këtij bashkimi shtetesh,
i cili ishte edhe juria vlerësuese e kësaj gare.
Anekdodat e tipit, Europa na ka inat sepse jemi
populli më i vjetër, më i bukur, më i zgjuar i rajonit prandaj nuk na miratoi
asnjë projekt, mund të jenë arsyetim justifikues për një grup tjetër shqiptarësh.
Grup që ka qënë aktiv që nga krijimi i shtetit shqiptar dhe që nuk mund të
mungoj as sot. Mirëpo arsyetimet e tij, sikurse arsyetimet e grupit të parë,
nuk na cojnë asgjëkundi. Më keq akoma, ato na mbyllin dyer që mezi i kemi hapur
dhe na udhëheqin në vet-izolimin e një kohe që e kemi lënë pas. Të ardhmen
drejt synimit që i kemi vënë vetes duhet ta ushqejmë me parime të huazuara nga
ai model ku aspirojmë të integrohemi. Me parimet e Bashkimit Europian, që në
këtë rast specific është ‘meritokracia’! Pyetjes, a e merituam ne të përfitonim
grande për projekte të infrastrukturës kombëtare, ja dha përgjigjen Europa në
Samitin e Triestes! Kurse pyetjes, pse qeveria shqiptare nuk e meritoi të
përfitonte grande në këtë Samit, duhet ti përgjigjet qeveria.
Të paktën kështu ndodh në vendet e Bashkimit
Europian ku ne përpiqemi të integrohemi. Edhe qeveritë e tyre gabojnë, por në
ndryshim nga qeveria jonë që tenton të manipuloj opinionin publik për të
fshehur disfatën, qeveritë perëndimore marrin të gjitha përgjegjësitë për
gabimet e tyre. Dhe jo vetëm si shprehje e dy parimeve të tjera Europiane:
përgjegjshmëria dhe transparenca, por edhe si një parakusht bazik që udha e
gabuar të ndryshojë drejtim. Sepse, së pari, duhet pranuar sëmundja që më tej
të filloj kurimi i saj, pavarësisht sa kohë do marri ai. Nëse kjo nuk ndodh nuk
ekziston asnjë mundësi shërimi. Si rezultat logjik, qeveria shkon ‘nga fitorja
në fitorje’, ndërsa populli nga varfëria në mjerim. Shembullin e kemi akoma të
gjallë në memorjen shoqërore, kur për 45 vjet një grusht njerëzish udhëhiqnin “kalanë e pamposhtur në brigjet e adriatikut”
ndërsa pjesa tjetër e kombit zhytej në thellësitë e pafundme të këtij deti.
Arsyeja pse qeveria shqiptare nuk tërhoqi asnjë
financim nga Samiti i Triestes është se ajo nuk paraqiti asnjë projekt të
infrastrukturës kombëtare. Kaq e thjeshtë! Kurse arsyeja pse qeveria Shqiptare
nuk paraqiti asnjë projekt të nivelit kombëtar është akoma më e thjeshtë. Është
ajo që kemi thënë disa herë përgjatë katër vjecarit të jetës së saj: qeveria
Shqiptare ka hequr dorë nga fushëveprimtaria kombëtare për t’ju dedikuar
cështjeve vendore. Ajo është vet-formatuar si një administratë bashkiake e
drejtuar nga ‘Kryebashkiaku i Republikës së Fasadave’! C’ka është një hall i
madh për një popull hallemadh që pret zhvillimin, modernizimin dhe
prosperitetin e merituar dhe të premtuar. Hall, lehtësisht i zgjidhshëm ky në
sistemin politik ku fantazojmë se jemi, në demokraci, ku opozitarizmi ndaj
punëve të qeverisë sjell frymëzime dhe prespektiva të reja vendin dhe e drejton
shoqërinë në rrëzimin e qeverisë me votë në zgjedhjet më të para.
Këtu duket sikur jemi të pashpresë, përderisa
qeveria u rikonfirmua në rritje. Por jo! Tashmë duhet ta nisim nga niveli më i
lartë dhe më i gjerë i aplikimit të parimit bazik të demokracisë perëndimore,
përfshirjes qytetare në vendimarrjen qeverisëse. Këtë nuk duhet ta presim nga
axhendat e përcaktuara dhe kornizuara nga demogogjia dhe populizmi i pushtetit,
që na fton në “dëgjesa publike” për të shkarkuar ndonjë drejtor. Por si një
qasje demokratike nga jashtë-brenda sistemit, të vet-organizohemi, të
vendimarrim dhe vendimin tonë t’ja detyrojmë pushtetit. Referendumi mbi
cështjen ‘a duhet të vijojë apo jo financimi i projektit të Rilindjes Urbane,
nga qeveria qëndrore’, tashmë është një detyrim jo vetëm ndaj të sotmes por edhe
ndaj të ardhmes. Mendësia nga ku frymëzohet ky projekt shpërdorimi populist i
parave publike, na drejton në ineptokraci kombëtare në garat rajonale për
integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Comments
Post a Comment